top of page

Sheshi Skënderbej: Kujtesa e videoklipeve të viteve 90´ dhe paradoksi i ulëseve bosh!

Të gjendesh në Sheshin Skënderbej, epiqendrën e kombit, dhe të flasësh para ulëseve bosh, është ndoshta metafora më e saktë e gjendjes sonë kulturore sot.


Mbrëmja e 1 nëntorit tek hapsira e HBS më vuri përballë pikërisht kësaj kontradite.

Në njërin krah, kishim lenten e Jutta Benzenberg mbi "shtëpinë e djegur" një ekspozitë që, ndonëse ka kohë që është hapur (shumë ditë më parë e kisha vizituar ekspozitën e saj) dhe vizitat bien natyrshëm, ajo ka prekur nervin e traumës sonë: atë të humbjes, migracionit dhe mallit. Arritja e jashtëzakonshme e Benzenberg qëndron në etikën e qasjes së saj. Teksa shumë shqiptarë donin të provonin fatin e tyre në perëndim, Jutta Benzenberg bëri të kundërtën! Ajo la Gjermaninë, shkoi në Tiranë në vitin 1991 dhe qëndroi, për shkak të njeriut të zemrës dhe vendit. Fotografja zbuloi një Shqipëri me motive që i përgjigjeshin standardit më të lartë të fotografisë dokumentare botërore, ku fokusi ishte te njeriu dhe mjedisi i tij. Në çdo cep të trojeve shqiptare ajo gjeti motive të mrekullueshme a la Ara Güler, plot nostalgji dhe jetë autentike urbane. Ekspozita e saj arrin të bëjë diçka tejet të vështirë, të dokumentojë këtë "shtëpi të djegur" pa e estetizuar zjarrin dhe pa e viktimizuar bujtësin e saj. Jutta nuk e zbukuron mjerimin por i jep dinjitet plagës, duke vepruar jovetëm si "artiste", por si "gazetare" në kuptimin më të mirë të fjalës.

Kjo është arsyeja pse ky akt kulturor funksionon. Ai na jep një hapësirë kremtimi, jo me ngarkesa akademike, e sigurt se shoqëria mund të reflektojë mbi atë çka kanë kaluar apo njohin, pa u ndjerë të gjykuar. Publiku, sado i paktë tashmë, e respekton këtë hapësirë pikërisht sepse ajo arrin të kthejë dhimbjen në një akt meditativ.


Dhe pastaj, në të njëjtën hapësirë, ndodhi paradoksi.. Një tjetër “ekspozitë” po aq jetike: një përpjekje ambicioze (e ligjërueses Çina) për të hapur një diskutim mbi arkeologjinë e ëndrrave tona: një retrospektivë me muzikë dhe klipet e viteve '90 .

Pyetja që lind natyrshëm është: Pse njëra kujtesë (ajo e dhimbjes) gjen jehonë, ndërsa tjetra (ajo e simptomës pop music) përballet me heshtjen e mungesës së publikut?


Të jetë vallë desinteresim apo vetë-përjashtim?

Sa mirë që rastisa atë natë! Ndonëse errësirë, vetëm një dritë projektori më tërhoqi vëmendjen. U afrova dhe dikush më informoi se po mbahej një diskutim për videoklipet e viteve '90, një temë fiks për mua.

ree

Ndoshta nuk është e saktë të thuhet se shoqëria jonë 'ka turp' të pranojë që ka kërcyer me ato këngë.

Mbase problemi është më i thellë: është më empatike dhe më e 'fisme' të merresh me traumën e madhe, me 'shtëpinë e djegur', me narrativat ekzistenciale.





Ajo që kërkon punë të vërtetë kërkimore, dhe pikërisht ajo që i mungonte fatalisht ligjëratës, është të merresh seriozisht me cikra-mikrat sociale-kulturore të shoqërisë. Me ato gjërat e vogla, të përditshme, të rrëmujshme, që në parim përbënin jetën tonë reale dhe që formuan brezin. Sepse pikërisht ajo kulturë e prodhimit të videoklipeve nga hiçi, ato përpjekje amatore, ato iniciativa të çmendura krijuesish, ishin një mini-revolucion i përditshëm i njerëzve që çalltisnin të bënin mrekulli nga asgjëja, thjesht nga dëshira për t’u ndjerë pjesë e diçkaje që prej vitesh qe e ndaluar. E gjithë kjo narrativë, historia e kësaj përpjekjeje guerile, mungonte plotësisht. Në vend të saj, "ekspo-ligjërata" na ofroi homeopati, duke na dhënë ilaçin me pikatore. Na tregoi menunë, por refuzoi të na shërbente ushqimin.

Ky ishte në letër, edhe premtimi i eventit: “Diskutimi i radhës hulumton (...), pas diskutimit, do të shfaqet...". Por çfarë ndodhi? Premtimi për "diskutim dhe hulumtim" u tradhtua. U premtuan "ndikimet ndërkombëtare", e vetmja gjë që laptopi dhe telefoni s'e bën dot vetë, por nuk morëm asgjë. Asnjë paralelizëm. Na u dha simptoma shqiptare, pa influencën e huaj (cili trup? Ai i Madonnës, i Grunge-it, i turbo-folkut?). Premisa ishte vitet '90, por videot vazhdonin deri në 2005. Madje, i gjithë koncepti ishte një përsëritje nga viti 2022 (ligjërata e parë nga “TRAGË, CIKËL LIGJËRATASH RRETH FOLKLORIT, TRADITËS, ARTEVE DHE TRASHËGIMISË KULTURORE”, Revista Albanologjike vëllimi 5, 2022). Ishte pikërisht ai momenti ku "hulumtimi" i premtuar vdiq.


Problemi është kur bëhemi kaq fake sa humbasim lidhjen.

Laptopi, telefoni të mundëson scroll´in dhe sipërfaqe xhami. Ligjërata ishte fiks e njëjta gjë: klikime mekanike, humbje kohe ilustrime të gjata pa kontroll dhe në fund... asnjë diskutim. Në vend të analizës, morëm kategorizim ("kategoria e trupit", "animacioni" etj.). Bukur, por këtë e bën edhe Spotify. Pa reflektim, ti nuk je kurator as ligjërues, je thjesht një playlist manager. Qëllimi i ligjëratës humbi diku rrugës mes klikimeve. Dhe ja ku është ironia: ti je në Sheshin Skënderbej, por nuk i flet “Sheshit”. Tranzicioni dhe kujtesa jonë kolektive nuk janë tema vetëm për ekspertë që i njohin këto koncepte të përsëritura. Këto tema duhet t'i kthehen publikut të gjerë si mjete ndërgjegjësimi.

A mjafton të thuash "ne e bëmë eventin"?

Kjo ngasje llafi kritik nga unë nuk ka të bëj me fajsimin… Çdo justifikim i mundshëm pas-ekspozitës e humbet fillin. Një bisedë private dhe veçmas me kuratoren (një luks) pasi salla të jetë zbrazur (paçka se ishte bosh që në krye të herës) sado e vyer dhe sqaruese, nuk mund të zëvendësojë kurrë interaktivitetin publik të premtuar. Aq më pak kur vetë justifikimi, siç mund të jetë me të drejtë mungesa e materialeve arkivore apo nevoja për leje nga autorët, bie ndesh me atë që ndodhi në praktikë. Literalisht në fund të ditës, pyetja është: si frymon arsyeja e "ekspo-ligjëratës", nëse gjithë mbrëmja ishte diçka që telefoni e bën vetë tak-fak?


Ndërkaq u dështua në të dyja frontet. Nuk iu fol dot publikut të specializuar, sepse qasja ishte sipërfaqësore dhe pa reflektim. Dhe sigurisht u dështua t'i flitej publikut të gjerë, atij që nuk ka nge për t’u marrë me atë që në zhargon quhen yçkla akademike. Problemi më i madh për kulturën nuk është kur njerëzit s'vijnë aq më tëpër kur hyrja është e lirë! Ngërçi është kur vetë kultura bëhet aq e thatë sa ato katër persona që ishin shpërndarë nëpër cepa, për ta nuk ia vlente të hiqnin sytë nga ekrani i tyre smart për ta ndjekur.

ree

Sillemi nga sillemi dhe kërkojmë kulturë për të gjithë!


Në këtë pikë, vete më tutje për të thëne se ky dështim për të komunikuar, nuk është një fenomen thjesht lokal. Përkundrazi, është një sëmundje e njohur e institucioneve kulturore. Në mbarë botën, panorama kulturore e financuar nga të ashtuquajturat institucione të mëdha donatorët, ministritë, muzetë, teatrot, ekspozitat, fetivalet apo edhe hapësirat e projekteve si kjo, janë nën një presion të vazhdueshëm. Ato marrin pjesën më të madhe të fondeve publike, por buxheti i tyre shpesh përthithet pothuajse tërësisht nga vetë institucionet, pa arritur te publiku.

Prej dekadash, premisa politike ka qenë "kulturë për të gjithë". Por realiteti, siç e dëshmojnë studimet e bëra ndër të tjera nga Eurostat, NESTA, SPPA, UIS, është krejt tjetër. Statistikat janë kokëforte! Rreth 50% e popullsisë në Europe, nuk viziton kurrë të tilla evente. Bota akademike (universitetet), fusha e menaxhimit kulturor dhe ajo e studimeve të audiencës (flas veçanërisht në botën gjermanofolëse) e analizon këtë si një problem specifik kërkimor.


Pra, po, ky është një problem real, i njohur dhe i matur gjerësisht në nivel ndërkombëtar.


Pikërisht puna e jashtëzakonshme e Benzenberg, si dhe kërkimi themelor e absolutisht i domosdoshëm i Çinës, duhet të shërbejnë si katalizatorë për një reflektim më të gjerë dhe të vyer. Me gjasë ka sosur momenti që të gjithë aktorët; artistët, krijuesit, studiues, grupet interesit e deri tek individë të shoqërisë, të nisin një dialog mbi përgjegjësinë tonë kolektive si nikoqirë të kulturës. Lutem dhe theksoj se kjo nuk është një thirrje që kërkon të ndjellë konflikt, por përkundrazi, një ftesë e sinqertë për sinergji. Është pikërisht vlera e këtyre kontributeve (dhe vështirësitë e hasura, siç kuptova, nga mungesa e sistemimit të materialeve në institucionet përkatëse) ajo që e bën këtë dialog kaq të domosdoshëm. Na takon ne krijuesve, artistëve, organizatorëve, kuratorëve dhe institucioneve, të gjejmë mënyrën për të dalë nga gjuha e ekspertëve dhe për t'i treguar publikut të gjerë se kjo është edhe historia e tyre.

Përndryshe, do të vazhdojmë të bëjmë evente shumë të rëndësishme, vetëm për njëri-tjetrin.


© 2025 Eda Zari. Të gjitha të drejtat e autores janë të mbrojtura. Ndalohet çdo riprodhim pa miratimin e autores.

Comments


  • YouTube
  • Instagram
  • Facebook
  • Spotify
  • iTunes
bottom of page