Quo Vadis Intelektual? Paradoksi i Kujdestarëve të Mozaikut të Tiranës dhe Ligji Barazisë Gjinore. Nga Eda Zari
- Eda Zari

- Dec 1
- 9 min read
Ka një soj arrogance naive që vjen jo nga jeta urbane, por nga fronti i "intelektualit" shqiptar, që nuk synon të mbrojë popullin e tij, por t’i bëjë atij diagnozën. Së fundmi, lexoj analiza të krekosura nga studiues të rinj, kandidatë për doktoratura, të cilët më etiketojnë duke thënë se jam pjesë e një "sulmi të koordinuar të së djathtës ekstreme," (qesharake) vetëm pse guxoj të citoj absurditetin që vjen nga Evropa - prandaj!
“Quo vadis, (intelektual) Domine?” - Ku po shkon, Zot? A ju kujtohet (😉) pyetja që Pjetri i bëri Krishtit teksa ikte nga kryqi i tij në Romë?
Sot kjo pyetje i drejtohet si shuplakë e rëndë çdo intelektuali shqiptar që po ikën nga kryqi i identitetit dhe përgjegjësisë së tij morale. Në një status në rrjetet sociale, ngrita një pyetje thelbësore (duke iu referuar instalacionit tek Muzeu Kombëtar në Tiranë): A është solidariteti selektiv (vetëm kanceri i gjirit te gratë, jo pankreasi te burrat) një formë e re e pabarazisë, në një kohë kur flasim pareshtur për barazi gjinore? Personalisht iu referova barazisë, duke thënë se shëndeti nuk është çështje gjinore, por njerëzore. Kjo ishte një kritikë thelbësore ndaj aplikimit selektiv të ideologjisë që shfaqi mozaiku. Më pas intelektuali-a thotë se i përdhosa instalacionin me "retorikë neofashiste"- por kjo bie viktimë e së ashtuquajturës "korrozioni i diskursit." Këtu kandidat-doktorantja vetëm se ka kollarisur padijen e saj! Ajo refuzon qëllimshëm thelbin për të debatuar apo iu përgjigjur artikullit tim - si dhe i shmanget përmbajtjes së ligjit të ri për barazinë gjinore (nenet 4, 6, 10), teksa përqendrohet tek burimi i citatit tim - intros së shkrimit tim me titull “Të kesh a të mos kesh ligj”.
Miq e mike të dashura, mike e miq të larguar, ja ku jemi sërish, në pikën zero. Bashkësia jonë, veçanërisht ai rrethi i ngushtë mes kolegësh dhe artistësh, ka falimentuar në mënyrë spektakolare.
Nuk është thjesht se mendimi im ndikoi në marrëdhënien me instalatoren e mozaikut, por se thelbi im i patjetërsueshëm theu marrëdhënien me ata intelektualë që dikur pretendonin se i qëndronin pranë të vërtetës lakuriqe. Veprimi më i fuqishëm politik është integriteti pa fjali të ulëta, të bësh atë që mendon, të shprehësh atë që ndien, pa pasur nevojë të sulmosh apo të imponosh pozicionin tënd si ligj. Ksisoj rizbulova se liria e mendimit - qoftë edhe mes miqsh - është një iluzion kolektiv i bukur, por fragil. Veriu i rëndë që vjen nga kafenetë e Tiranës, është era e intelektualit që ka vendosur të vdesë pa e thënë fjalën e fundit. Nuk është më era e duhanit të dredhur "nga kutia e Rrem´s" (siç thotë batuta e filmit), as qoftet te tymi përgjatë debateve ekzistenciale të dikurshme. Era sterile e frikës, sot, maskohet si mirësjellje evropiane. Ca herë shfaqen hipsterat intelektualë, të cilët kultivojnë një estetikë të veçantë në zgjedhjen e ideve, duke preferuar teoritë e reja, nga autorë të panjohur për masën. Kjo u jep atyre vetëm një ndjenjë të kotë superioriteti antikonformist, sepse në të vërtetë - sikundër ata vetë e sinqerisht e thonë - "jemi lypsarë”! Dhe deri këtu kanë respektin tim! Por matanë kësaj, për të vazhduar sigurimin e financimit të projekteve që kanë përzemër ata thonë: “(…) është një e keqe që s´ke ç´a ti bësh, duhet të bësh pakt”. Dhe ky pakt vlen edhe për ata që vetëshpallen "historianë të pavarur" apo "studiues me qasje të ndryshme kërkimore," (siç shpallet botimi Përafrime, i financuar nga EU4CULTURE dhe UNOPS) sepse deklarimi i pavarësisë bëhet thjesht një premisë marketingu, e cila rrallëherë i reziston sprovës së vendimit të papëlqyer apo kritikës së vërtetë ndaj sistemit që i financon.
Të mos flasim pastaj për intelektualin shqiptar, që rishfaqet me standardet e dyfishta. Kur intelektualët (vite më parë) kritikuan Muzeun Kombëtar Mesjetar (përmes një artikulli tek revista “PTF” dhe tek një episod podkasti) për lejimin e xhirimeve të videoklipit muzikor "Picasso" pranë ikonave, ata u orientuan drejt teorisë së hierotopisë së Alexei Lidov, duke mbrojtur simbolet fetare kundër profanitetit. Mandej propozuan që vetë trashëgimia e kombit të kthehet në një "sakralitet" të paprekshëm. Argumenti ishte i thjeshtë thënë fët e fët: "Le ta shohim kombin si sakralitet nëse nuk jemi të aftë të ruajmë forma të tjera të sakralitetit." Mirëpo, kur instalacioni i diskutueshëm i "gruas qerose" vendoset mbi mozaikun e Muzeut Kombëtar, këtë shoqëria e shikoi si një përdhosje të sakrales kombëtare! Intelektualët që mbajtën ison e hierotopisë heshtën ose e mbrojtën aktin me zell. Ata, kur duan të ndalojnë muzikën rap në muze, argumentojnë se ka detyrime ligjore (i referohen ligjit ICOM - Code of Ethics for Museums 2017 [2006], f. 25) për të respektuar ndjeshmërinë fetare. Por kur vjen tek gruaja e mozaikut, mozaiku kthehet në një fushë të lirë për eksperimentim. Kjo nuk është një luftë për vlerat, por për kontrollin e asaj se kush ka të drejtë të bëjë profanitetin. Pra në kohë reale shohim se nëse je zëri i agjendës së re, ti ke licencë intelektuale për profanitet. Paraja ndan - paraja bashkon!
Si artiste e pavarur - nënvizoj se arti modern duhet të ngatërrojë, duhet të shkelë në zona të ndaluara, duhet të provokojë, apo? Bukuri! Përdorimi i artit modern si mjet provokimi ndaj konvencionaleve shoqërore, një rol tradicional i artit që nga avantgarda, u shfaq qartë në qasjen e gruas pa flokë tek mozaiku.
Megjithatë, pikërisht këtu shtrohet pyetja kritike që vetë natyra e artit të instalatores tek mozaiku nënkupton: A është skena e artit dhe kritika bashkëkohore shqiptare e gatshme për një provokim të dyanshëm? A do të lejohej një diskutim konstruktiv, i kërkuar nga artistët kritikë, nëse lëvizja (apo vetë komuniteti) që autorja e veprës përfaqëson, do të bëhej subjekt i një provokimi kritik artistik?
Kur dikush godet standarten apo traditën, intelektuali thotë: “Pa shiko, sa i thellë, ky/kjo që po “nderon” traditën duke e sfiduar atë!”. Parë nga kjo nahi e lumit kjo lojë pranohet. Mirëpo, provo të provokosh “wokness-in” (këtë zot të ri morali), me artin tënd modern! Çfarë komentesh do të shpërthenin nëpër media, rrjete, protesta me flamuj ylberi deri tek shpalljet “non grata”!
Kundër çdo argumenti, ndodh ajo që ndodh gjithmonë: we love ad hominem.
Në FB skalitet pusulla që thotë: “Do ta ftoja Edën të lexonte, të informohej dhe të kuptonte natyrën e diskursit që ka zgjedhur të amplifikojë, përpara se të riciklojë një retorikë neofashiste nga jashtë, nën petkun e hipokrizisë se shqiptarëve po u cenohet identiteti gjinor e familja. Ky lloj kapsllëku mendor është i pajustifikueshëm! (..) Nga një personazh i tillë, do të prisja heshtje në rastin më të mirë ose njëfarë kurioziteti, së paku, për të kuptuar se ç’dreqin po ndodh realisht”.
I/e dashur intelektual/e, meqenëse më riftuat të lexoj për të kuptuar apo për t'u informuar mbi ligjin e barazisë gjinore (dhe ju risiguroj që e kam bërë këtë sinqerisht, në kontrast me etiketimin e pa vend tuajin), në këtë rast po përgjigjem duke huazuar fjalët e shkrimtarit të angazhuar Janko Kalemi (me këtë koment si ai i del për zot artikullit të tij - tek revista “PTF”) kur i përgjigjet komentuesit: "Po nuk pate kohë të verifikosh vërtetësinë e fjalëve që thua në debat, askush nuk ka detyrë të plotësojë mangësitë e tua informative, dhe kjo nuk e bën pa vlerë arsyetimin e tjetrit. Përkundrazi, vërteton se pjesëmarrja jote në këtë debat nuk është serioze, as objektive."
Veç për një gjë më vjen keq - gjynah që debati mbeti vetem një urdhëresë për heshtje, dhe sulm në tym pa pyetje, pa kërshëri dhe interes. Matanë kësaj, ajo çfarë quani “kapsllëk mendor”, është përgjegjësi intelektuale dhe prindërore. Më vjen keq që nuk po arrijmë dot të bëjmë një debat të mirëfilltë kulturor-artistik për t'u qasur më pranë nga ç’ishim, e jo për t'u distancuar.
Prisni heshtje?
E kam bërë rezistencën time me heshtje dhe me fjalë, duke ndenjur tek kasollja që ka emrin tim lart! Ju që po i vini një flamur Konventës së Stambollit, cilin nen po ngrini në qiell? Nenin 4(3)! A e dini çfarë thotë me të vërtetë ky nen, nëse e heqim gjithë veshjen e tij serioze?
Shqeto thotë k´të: “Nëse dikush merr kopaçe kokës, ju nuk keni pse të pyesni se cilës nga ato 71 gjini i takon ky njeriu” Kaq, mbaroi! Është një rregull i trafikut, një klauzolë procedurale e mosdiskriminimit. Por ju lexoni këtë rregull bazik të ndihmës së shpejtë pastaj thoni: Ja ku e gjetëm! Kjo është drita jeshile për të shpikur gjininë nga e para dhe për të fshirë "babë "dhe “mëmë” nga fjalori! Juridiksion është ky? Ky është mashtrim me xixa.
"Nga e keqja lind e mira," thotë Gëte, sepse e keqja shërben si matës, mu si një hije që i jep formë dritës. Solloisu si të mundesh por sot e keqja nuk vjen si Mefistofeli. Ajo vjen si ligj i sterilizuar, i cili e detyron shoqërinë të bjerë në gjunjë para një gjuhe pa kocka, pa formë, duke na detyruar të numërojmë gjini pafund, ose të pranojmë rregulla që stomaku i shoqërisë shqiptare ende nuk mund t'i tresë. E keqja e kohës sonë është detyrimi për t'u konformuar me një barazi gjinore e shkëputur nga realiteti halleshumë shqiptar
Ja të pyesim troç, pikërisht aty ku logjika dhe ligji ndahen: Si mund të merret me mend mbrojtja e një kategorie thelbësore - gruaja, nëse i njëjti legjislacion refuzon të përkufizojë esencën biologjike të saj? Si mund të bësh fushatë kaq “elegante” te Muzeu Kombëtar për kancerin e gjirit, një realitet brutal biologjik, kur në fakt, ideja e gruas qerose, si ajo e famshme e Xhokondës tullace, është një plagjiaturë e drejtpërdrejtë? Kjo nuk është as një ide origjinale. Kjo është kauza e mirënjohur e Fondacionit Italian ANT, e cila në maj të vitit 2023 festoi 10-vjetorin e saj.

Pra, përveçse mbështetni një kontraditë epistemologjike, ju promovoni një kauzë të ricikluar, duke dëshmuar se prioriteti i vërtetë është vetëm simbolika e zbrazët - jo substanca e jetës. Poaq, në të njëjtën kohë ideologjia që mbrohet përmes ligjit të ri, ngulmon se “edhe burrat mund të kenë shtatzëni sociale”!
Vërtet? Po dua të mirëkuptoj autorin e ligjit por a është termi “mëmë ” dhe “at ”, ato dy fjalë me peshë të rëndë historike, me gjak, me gjenezë, me etikë, thjesht i zëvendësueshëm me termat sterile, si “prindi 1” dhe “prindi 2”? Dhe nëse kaq lehtë po hiqet dorë nga arketipi i nënës dhe babait, a do të ndalemi vërtet në këtë stacion të parë të lajthitjes? A do të zhbëhet i gjithë kodi i thesareve të tjerë familjarë? Cili është termi modern, non-binar që do të zëvendësojë lidhjen shekullore të dajës, xhajës, tezës apo hallës, apo kushërirës së parë nga nahia e atit? Dhe, pikërisht aty ku mbyllet rrethi i brezave, a do të shohim zhdukjen e thjeshtë të gjyshit apo gjyshes (simbolit të kujtesës dhe rrëfimit pra), thjesht për hir të dogmës gjithëpërfshirëse non-binare, apo numrit absurd të 71 gjinive? A duhet të pranojë familja shqiptare pa teklif që ky kodifikim i rrënjëzuar njerëzor, ky vlerësim i lidhjes fisnore, të shkrihet në "anëtar i familjes së lidhje ekuivalente," thjesht për shkak se një ligj i sponsorizuar kërkon të instalojë një software të ri social, duke e kthyer trashëgiminë njerëzore në një update të detyruar?

Foto: Pikturë e Otto Dix "Die Eltern" - Prindërit (e artistit), 1924.
Nuk i bëj dot bisht Hannah Arendt kur thotë se totalitarizmi nuk ka nevojë për përbindësha klasikë, por për njerëz normalë, intelektualë burokratë, që thjesht "binden" dhe pushojnë së menduari.
Përtej diktatit të purpurt, qëndron dhe realiteti i atyre që punojnë dhe jetojnë me shpirtra të mirë, të konsoliduar – me burra gay dhe gra lezbike të cilët janë pjesë e shoqërisë tonë. Ata janë njerëzit tanë me të cilët çdo ditë japim dhe marrin me respekt mes tonë. Të gjithë bashkë duam të kemi një jetë të paqtë në shoqërinë shqiptare, se në fund të ditës jemi qenie njerëzore. Ata nuk i hynë në mes partneritetit që ligji duhet të ketë me prindin pro familjes, as duan të prekin edukimin e fëmijës në moshë të pa konsoliduar, as ndërhynë në katërmuret e askujt!
Por belaja e madhe është se ne po jetojmë në epokën e një sistemi ku të jesh “i kulturuar” nuk do të thotë më të kërkosh të vërtetën me çdo kusht, por të dish saktësisht cilat të vërteta duhen injoruar!
Personalisht nuk i them askujt të heshtë. Po ky roli i propagandës lodh ashtu siç lodhet dikur edhe intelektuali që shkrehet në zhargonishte: “Në Shqipëri secili i bies sipas së vetes, ne k´tu po i biem sipas avazit tonë dhe dikush tjetër ka avaz´n e vet”.
Nisur nga avazi im, po lutem për paqe por nuk negocioj për të. Kam emrin tim dhe kjo më mjafton. Dhe po, jam “pak nga të gjitha”, jam gjithçka që nuk është e ndarë në dy kampe dhe marr nga kudo atë që më duket kuptimplotë dhe mbi të gjitha jam pro fëmijëve. Ndaj, intelektual/e, ndjehuni të mirëkuptuar, madje dhe të përqafuar përzemërsisht nga unë. Për aq gjatë sa jemi në avazin e të shkruarave në Facebook, Insta, Tik-Tok - jemi miq e shokë që do të shihemi dhe do themi: "U këputëm në lost in translation dhe u lodhëm duke bërë qoka rrjetesh."
Domosdo që e di - në k´të pafundësi të komedisë njerëzore, vjen paqja e hidhur e pranimit:
Così fan tutte. Por edhe njëherë - po thosha, a ka mbetur vesh intelektuali të dëgjoj zërin e lirë, sepse ai nuk vjen si prelud, por si një akt sade në pjatën e jetës.
Post Scriptum: E di, do të thoni: Eda Zari i paske rënë shumë gjatë. E vërtetë, më pëlqejnë narrativat dhe elaborimet e thella, por ndryshe nga ajo që jeni mësuar të shihni, fjala këtu është tërësisht e imja dhe e pavarur, ajo nuk është as e shitur, as e paguar nga asnjë seri logosh institucionale. Për këtë arsye, o intelektual/e lexojeni, ju lutem, dacapo.
Sepse thelbi kërkon kohë, dhe liria e mendimit meriton çdo fjalë.
© 2025, Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.









Comments