Të kesh a të mos kesh ligj: Kjo s'është pyetja! Nga Eda Zari
- Eda Zari

- 3 days ago
- 8 min read
"I nderuar zoti President, zonja dhe zotërinj... të nderuar homoseksualë, të nderuara lezbike, të nderuar androgjinë, të nderuar bigjinorë, të nderuara femra-meshkuj, të nderuar ndërgjinor variabël, të nderuar ndërgjinor, të nderuar gjini kuirë, të nderuar interseksualë, të nderuar aseksualë*, të nderuar meshkuj, të nderuar meshkuj-femra, të nderuar/a pa gjini, të nderuar/a jobinerë, të nderuar pangjinorë, të nderuar transgjinorë, të nderuara transfemra, të nderuar transmeshkuj..."!
Kështu e nis fjalimin e tij në parlamentin Gjerman deputeti Steffen Königer. Kjo video e shkurtër, e përkthyer në mënyrë pothuajse të paprecedentë në shqip, po thyen rrjetin dhe po gjeneron miliona klikime. Megjithëse për audiencën shqiptare partia e këtij deputeti pak rëndësi ka, videoja po komentohet pa ndalim. I vendosur të mos lërë absolutisht askënd jashtë dhe të dëshmojë një përkushtim të pashoq ndaj gjithëpërfshirjes, lista tij bëhet edhe më specifike, duke përfshirë terma si: "Të nderuar hermafroditë, të nderuar gjinia e tretë, gjinia e katërt, gjini të kryqëzuara, të nderuara gra XY... e deri tek ...Drag!" Kjo përshëndetje arrin shifrën mbresëlënëse të 61 gjinive, përpara se deputeti të fillonte fjalimin e vërtetë. Reagimi në sallën e parlamentit gjerman është po aq viral sa vetë lista, shoqëruar me gajasje.
Megjithëse kjo video daton 9 vjet më parë (09.06.2016), ajo që e bën këtë video një "boom" në Shqipëri është fakti se kjo listë e gjatë identitetesh, për veshin shqiptar, tingëllon si një absurditet i kulluar. Por pse po shpërndahet kjo video kaq furishëm? A po komentohet dhe po qeshet për të njëjtën arsye si në sallën e Brandenburgut? Apo po shpërndahet thjesht si një kuriozitet absurd apo është një “meme” pa kontekst?
Sot që flasim, përveç se duhet të dish se kush je përtej fakteve biologjike, duhet të dish saktësisht se si ndihesh dhe si dëshiron të quhesh. Dhe mbi të gjitha, duhet ta bësh këtë të ditur me një gjuhë gjithëpërfshirëse. Në komente lexon se ky është shembulli perfekt i asaj që e pret shoqërinë shqiptare, të zbatojë parimet e ligjit të ri për barazinë gjinore (2025) sidomos nenet 4.(e,ë) 6 dhe 10. Se mos bën dikush “ciu”!
Matanë ndrydhjes në fjalë duhet një ligj i ri për të zgjidhur problemin e fjalorit tonë… Dikur, dikush diku shkruan: “Këta njerëz nuk e kuptojnë se, po të nxitësh përdorimin e metodave totalitare, do të vijë koha kur ato do të përdoren kundër teje, jo krah teje.” Mirë pra, ja, po i japim pyetjes formën konkrete... Meqenëse çështjen e “barazis” e zgjidhëm, e kopsitëm bukur-bukur me ligj dhe ia vumë vulën (punë e mbaruar, apo jo?), përse saktësisht duhet të merremi tani edhe me këtë punën tjetër të lodhshme të 'korrektësisë politike' dhe 'gjuhës gjinore'? A mos është kjo shtojca burokratike që harruam ta lexojmë në fund të kontratës së barazisë? Thjesht pyesim, sepse në letër... jemi të gjithë në rregull!
Siç vëren thellësisht i ndjeri publicist Artan Lame në analizën e tij në maj të vitit 2015, lëvizjet për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ shpesh rrezikojnë të bien viktimë e vetvetes. Fiks një dekadë më parë ai shprehet se shoqatat, të cilat punojnë me fonde dhe projekte europiane, në momentin që nuk marrin vëmendje apo mbështetje reale siç ndodhi me një paradë të tyre (ku nuk pati as reagim, as kundërshtim nga shoqëria e kryeqytetit) ata bëhen agresiv, imponues dhe provokativ. Ky ashpërsim, sipas tij, bëhet i nevojshëm jo për të luftuar homofobinë (të cilën Lame e sheh si një relikt komunist, jo si traditë shqiptare), por për të justifikuar ekzistencën dhe financimin e tyre. Pra, nëse komuniteti nuk kundërshton, lobi gjen shpëtim duke e shtuar "zullumin" dhe duke detyruar shoqërinë. Tashmë askujt nuk i lejohet më të thotë një ndjesi (mbi të cilën ligji në fjalë mëton) a mendim rreth tyre, se është "e ndaluar me ligj", duke rrezikuar të damkoset. Në këtë formë, diskursi zhvendoset nga kërkesa për të drejta tek imponimi i heshtjes.
Zëvëndësministria e Shëndetit Seferi thotë: “Ky ligj nuk parashikon gjini. Ky ligj parashikon mosdiskriminimin. Ky ligj parashikon barazinë mes burrit dhe gruas. Ky ligj e ka të parashtruar atë se cfarë do të thotë gjni, (…) ska të bëj me çeshtjet biologjike të përcaktimit të gjinisë, nuk është ky projektligji që percakton gjinitë. Këtu ne nuk flasim askund për transgjinor dhe nuk flasim askund për ndërhyrjet kirurgjikale. Ky ligj nuk flet as për të çuar apo për të sjellë gjini të tjera. Në mënyrë të posaçme ai nuk flet as për familjet as për martesat (…)!
Zyrtarja i është dorëzuar banalitetit, premtimi i saj është mohimi më i flaktë publik, kur përplaset me tekstin e ligjit! Ky parim është pikërisht ushtrimi i asaj që Orwell e quajti "mendim i dyfishtë", pra t'i kërkosh njerëzve të besojnë deklaratën e zyrtares, dhe jo faktin e shkruar. Kjo është epistemologjia e injorancës e kthyer në strategji shtetërore, ku qëllimi përfundimtar i ligjit nuk është ai që thuhet! Muhabeti është të relativizojë të zezën mbi të bardhë, më pas t’i margjinalizojë dhe krejt në fund t’i bëjë të padukshme vlerat! Nenet 4 dhe 6 të ligjit “fisnik” e margjinalizojnë faktin biologjik (burrë/grua) në favor të konceptit të paqartë të "identitetit gjinor". Dhe në fund, fjalët "burrë" dhe "grua" bëhen të padukshme, duke u zëvendësuar nga fjalori i ri i "gjuhës gjithëpërfshirëse" që qeveria e ka bërë të detyrueshme me ligj (i refereohem nenit 10´te).
Me gjasa, shumë prej nesh e kanë lexuar librin “Ushtari i mirë Shvejk"(ose dëgjuar) “idiotin e mençur”. Analogjia është se si shumë gjëra të shkuara, shoqëria jonë do t´i mbijetoj edhe këtij absurditeti duke u dukur si budallenj të plotë, por jo pa e demaskuar budallallëkun e vërtetë të zyrtarëve të burokracisë dhe të gjithë sistemit. Qëllimi i deklaruar është "heqja e stereotipeve gjinore" dhe "modeleve kulturore". Pastaj ky nen nuk ndalet te lajmet. Ai kërkon që kjo gjuhë e re të futet në "certifikata, diploma, tituj akademikë, ... tekste mësimore, ... punime e referime shkencore". Pika 4. neni 10 thotë: "Ngarkohet Këshilli i Ministrave të përcaktojë me vendim rregullat e përdorimit të gjuhës me ndjeshmëri gjinore". Këtu pikon pyetja logjike: Pse do të duhej që Këshilli i Ministrave të shpikë "rregulla të reja" gjuhe…nëse fjalët "burrë" dhe "grua" janë të mjaftueshme?
Para pak ditësh dikujt i shpreha këtë shqetësim e më pas më përgjigjet se: “Më ngjan se je duke bërë pak teori konspirative aty. Gjërat janë shumë të thjeshta: sebepi i bisedës, ligji për barazinë, është mëse i qartë, të sugjeroj ta lexosh."
Akuzën për “teori konspirative” në një rast tjetër do ta pranoja për gallatë. Mirëpo, po ua ngas llafin prap – meqë jam mes ligjeve - letrave (të 2008 - 2025) dhe Konventës së Stambollit. Të mos e quash të qëllimshëm vendimin për të vendosur "identitetin gjinor" (neni 4) mbi faktin anatomik, e më pas të ndërtosh ligje të reja (neni 12) mbi këtë realitet të ri, është verbëri. Të besosh se Shqipëria do të flasë me "gjuhë gjithëpërfshirëse" (neni 10) brenda gjashtë muajve vetëm sepse u shkrua në ligj, kjo është dogmë, jo jurisprudencë. I them “dikushit” dhe gjithë qokalinjve se “këto metoda do të përdoren dhe kundër teje”- sepse po shohim një arkitekturë që premton një "Kullë Eiffel" pa treguar si do gjindet hekuri apo ç'do bëhet me gurët e themeleve.

Në Evropë, terma si "barazia gjinore" dhe "jo-binar" po konsiderohen gjithnjë e më shumë si slogane boshe, një kritikë kjo që vjen sidomos nga rrymat e feminizmit kritik. Figura ikonike si Alice Schwarzer (1) në Gjermani iu kundërvun sistematikisht këtij diskursi duke argumentuar se theksi i tepruar te "ideologjia gjinore" dhe gjuha gjithëpërfshirëse, si përdorimi i Genderstern (2) është një "luks" akademik. Kjo, sipas saj, e devijon fokusin nga problemi thelbësor i feminizmit: dhuna dhe shtypja reale ndaj grave biologjike. Schwarzer paralajmëron se njohja e identitetit gjinor mbi seksin biologjik, përmes ligjeve që lejojnë vetëdeklarimin, rrezikon hapësirat e sigurta të grave, si strehët, burgjet e grave apo garat sportive. Kjo kritikë ndaj legjislacionit të ri, si “Selbstbestimmungsgesetz”(3), ndahet edhe nga Dhoma Federale e Mjekëve.
Ata shprehin shqetësim të thellë për të miturit, duke këmbëngulur se asnjë person nën 18 vjeç nuk duhet të lejohet të ndryshojë gjininë zyrtarisht pa një diagnostikim dhe këshillim të plotë psikiatrik. Mjekët ankohen se ligji po barazon gabimisht "ndjesinë subjektive" të identitetit gjinor me "gjininë faktike biologjike". Nga perspektiva mjekësore, gjinia është një realitet biologjik, binar dhe i pandryshueshëm, i cili duhet të ndahet qartë nga identiteti gjinor.
Vesi i keq i politikës moderne është prioriteti simbolikës mbi substancën! Pra miratohen ligje që farfurijnë në Bruksel, ndërkohë që ngrohja në shkollat e fshatrave apo lagjet në periferi të qyteteve vazhdon të trajtohet si një luks i papërballueshëm. Është njësoj si me çështjen e kancerit të gjirit. Ne jemi bërë mjeshtra të aktit simbolik. Inaugurojmë mozaikë sensibilizues me gra qerose, sepse kjo na jep ndjesinë e menjëhershme se “bëmë diçka”, se ky akt është dukshëm më moral. Fakti brutal që një grua me një diagnozë të rëndë, e varfër e që nuk ka aksesin e barabartë te barnat jetike, mbetet i pazgjidhur.
Duket se kemi ngatërruar mjetet me qëllimet. Rreziku më i madh nuk është diskriminimi, por frika që po u instalohet qytetarëve, sidomos familjeve të reja. Frika nga paqartësia e ligjit, nga leja e mundëshme për të ndryshuar organet gjenitale në moshë të hershme pa arsye shëndetësore thelbësore, dhe frika nga konfliktet e vazhdueshme. Kjo frikë, që në rastet ekstreme ka çuar në vetëvrasje, po kërcënon dëshirën thelbësore për lidhjet njerëzore dhe krijimin e jetës. Ligji, duke u fokusuar në mënyrë të tepruar te ndjesia, po dështon të garantojë drejtësi dhe qartësi, duke i shërbyer jo mirëqenies së vërtetë të shoqërisë shqiptare, e cila ka nevojë për barazi të vërtetë, jo për luftë.
Llafosim për termin e barazisë? Ky është momenti i çatrafillosur ndërsa flitet me patos për "barazinë e të gjithëve", ajo që po përjetojmë është një "barazi e pamundësive". Prioritet absolut dhe i padiskutueshëm duhet të jetë eliminimi i kësaj hipokrizie, pa bërë politikë me terminologji, a përralla si: Na ishte dikur “Omeri i ri” apo këngët e homoseksualizmit "naiv dhe të paidentifikuar" në folklor, si "Jalla Zot shkarkofshin ktu" apo “Amon kam një babe”!
Në mjediset kreative artistike, por jo vetëm, jam e rrethuar përditë me kolegë, miq e të afërm që kanë orientimet e tyre seksuale. Secili ka “katër muret” e veta, ashtu siç kemi të gjithë tonat, dhe bashkëjetohet në harmoni për bukuri. Askush nuk i bie në qafë tjetrit apo të përpiqet të imponojë preferencat e veta personale. Fundja, kjo është çështja: a thua vërtet që shija e espresos ndikohet nga përemrat që përdor personi që ta solli në tavolinë? Por... dhe këtu kam një ngërç: apo e ngatërrojmë ne këtë paqe që kemi ndërtuar me të rriturit, që e kanë gjetur shtegun e tyre, me atë që i duhet një fëmije? Një fëmijë, një i ri, që është ende “në ndërtim e sipër”, personaliteti i tij nuk është konsoliduar. Pse duhet t'i bëjmë ata më konfuzë nga sa janë? A nuk është më mirë t'u japim kohë të kuptojnë veten, përpara se t'u imponojmë kategori dhe zgjedhje që ndoshta as ne nuk i kemi tretur mirë? Për sa kohë nuk rrezikojmë këtë proces delikat të ndërtimit të vetvetes, gjithçka është në rregull.
Matanë kësaj, a jemi të sigurt që nuk po bëjmë pikërisht këtë?

Përtej çdo marifeti apo llogaritjeje ligjore, dashuria, urtia dhe mençuria e vet´ jetës na thërret aty ku dashuria bëhet afirmim. Nuk është hiç e tepruar të kapërcejmë ndarjet tona të vogla edhe pa kuadrin ligjor, pa shkëmbime apo llogaritje. Vetëm duke dashur jetën në tërësinë e saj, mund të gjejmë barazinë dhe lidhjen njerëzore që kërkojmë.
Por në thelb: A do të jemi ne, në fund, ajo shoqëri që e deshi kaq shumë idenë e barazisë, saqë, nga frika për të jetuar, vendosi ta shpallë atë të vdekur në emër të një ligji?
© 2025, Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë © Gross.
[1] Schwarzer është gazetare dhe feministja më e njohur gjermane, themeluese e revistës "EMMA" (1977), një figurë kyçe por polemike e feminizmit të valës së dytë, e njohur për qëndrimet e saj të forta kritike.
[2] Është një mjet specifik i gjuhës së shkruar gjermane (një simbol tipografik: *) që përdoret për të krijuar një gjuhë neutrale dhe përfshirëse nga ana gjinore.
[3] Përkthimi i drejtpërdrejtë është: Ligji i Vetëvendosjes ose Ligji për Vetëvendosjen. Fjalë për fjalë, termi ndahet kështu: Selbstbestimmung = Vetëvendosje, Gesetz = Ligj









Comments