Kosova jashtë Eurovizionit: "Doganat"e Gjenevës. Nga Eda Zari
- Eda Zari

- Feb 11
- 13 min read
Paradoksi Teknik, Kolonializmi Estetik dhe Gjeopolitika në EBU
Fusha: Diplomacia Kulturore / Marrëdhëniet Ndërkombëtare
“Kultur ist nur das, was es nie hinnimmt, beiseite zu bleiben, wo man es nicht einlässt.”
“Kultura është vetë ajo që nuk pranon kurrë të mbetet mënjanë, aty ku nuk e lejojnë të hyjë.”
- Theodor W. Adorno (1)
Abstrakt
Ky artikull analizon asimetrinë e ashpër mes shpirtit kulturor dhe makinerisë institucionale të Bashkimit Europian, duke marrë si rast studimi përpjekjet e pandalshme të Kosovës për pjesëmarrje në Eurovision Song Contest (ESC).
Përmes dekonstruksionit të rasteve të fundit, si ftesa e mundshme për Kazakistanin (2) shkrimi shqyrton sesi standardet e anëtarësimit reflektojnë dinamikat e fuqisë dhe nyjet gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.
Artikulli argumenton se teksa artistët shqiptarë kanë arritur një integrim faktik në rrjetin nervor të kulturës globale, institucionet mbeten peng i burokracisë së ngrirë. Hulumtimi propozon se Eurovizioni nuk ka qenë kurrë thjesht një festival kënge, por një platformë parësore e "fuqisë së butë" (Soft Power) (Nye, 2004) (3), ku shtetet performojnë identitetin e tyre europian. Për vendet e rajonit, ngjitja në këtë skenë përbën një akt të "Ndërtimi i imazhit kombëtar" (Nation Branding) (Anholt, 2007) (4) . Megjithatë, për Kosovën kjo skenë mbetet një horizont i paarritshëm, duke krijuar një paradoks ontologjik: një vend që eksporton yjet më të mëdhenj të muzikës pop në botë, ndalohet në ekranin e Bashkimit Europian të Transmetuesve (EBU).

Flamuri Kosovës një “gabim grafik”?
Cili ligj i fizikës politike e lejon zërin e Dua Lipës apo Rita Orës të pushtojë altoparlantët e Berlinit, Parisit, Londrës, në Rio, São Paolo, Singapur, Jakarta, Tokio, Kuala Lumpur, Seoul e gjetke, ndërsa flamuri i vendit të tyre trajtohet si një "gabim grafik" që nuk mund të shfaqet në ekran? Këtu ballafaqohemi me atë që mund ta quajmë art si politikë kulturore. Arti, në thelbin e tij, është akti i të bërit të dukshëm. Nëse një komb prodhon artin që Europa konsumon, por nuk lejohet të përfaqësohet në institucionet e saj kulturore, a nuk po dëshmojmë këtu një formë moderne të kolonializmit estetik?
Për mua si artiste, thelbësore nuk është asnjëherë pyetja nëse "kam të drejtë" apo jo në gjykimin tim mbi kontinentin ku jetoj dhe krijoj. Përkundrazi, dëshira ime utopike ka qenë gjithmonë përkatësia në atë hapësirë ku mendimi rrjedh vetvetiu dhe në atë proces shpirtëror që të bën pjesë të një të tëre. Georger Steiner e quante këtë një "ftesë drejt domethënies" (5) . Për mua, ky kontinent nuk është një muze i vjetër as një tabelë ekseli me data e shifra, por një shtëpi ontologjike. 'Damkosja' ime zë fill te refuzimi për ta parë Europën si një hartë të ngrirë administrative. E shoh atë si një rrjet nervor dhe topografi shpirtërore, ku muzika ndërthuret organikisht, pa pasur nevojë për vulat e sporteleve apo lejet e kalimit të burokracisë.
Në vitin 1956, Marcel Bezençon (6) nuk mendonte për kontratat e transmetimit apo zonat e rezonancës. Në një Europë me mure të nxira nga lufta, ai e projektoi festivalin si një antidot ndaj nacionalizmit - një utopi ku valët e radios do të shponin atë që diplomacia e kishte bërë lëmsh.
Ishte misioni i një familjeje që nuk pyeste për pasaporta. Por sot, pasardhësit e tij në EBU sillen si kastelanë të rreptë muzeu që merren më shumë me pluhurin e rregulloreve sesa me vlerën e tablove. Kur Australia ftohet si mysafir nderi, ndërsa Kosovës i kërkohet 'certifikata e lindjes' nga ITU, kupton se vizioni i Bezençon-it është katandisur në një inventar magazinash.
Po përse kjo "shtëpi" e kulturave rezulton të ketë pragje të pakalueshme?
Neni 3.3 (7) i statutit të EBU-së është sot vija e zjarrit ku arti dorëzohet para gjeopolitikës.
Duke kushtëzuar anëtarësimin me (ITU) - një agjenci e OKB-së ku vetoja ruse peshon më shumë se talenti - EBU ka ndërtuar një arkitekturë përjashtimi që e tradhton misionin e saj fillestar.
Ky është paradoksi i ngrirë - një shoqatë që veten e shet si "apolitike", i ka lidhur nyje fatet e saj me mekanizmat më të ngurtë të qeverisjes globale. Interpretimi i këtij neni mbetet selektiv! Nëse në vitin 1950 EBU gjente fleksibilitet për transmetuesit e Marokut apo Tunizisë ende pa u pavarësuar plotësisht, sot për Kosovën ligji lexohet vetëm në formën e tij ndëshkuese. Ky "fortifikim" teknik nuk është gjë tjetër veçse një alibi burokratike për të shmangur guximin vizionar, duke e kthyer një rregullore valësh në një pengesë ideologjike.
Në muzikë, disonanca është një tension që lyp zgjidhje, por në EBU kjo mbetet një 'kakofoni' që e pashë të manifestohej me gjithë peshën e saj në prapaskenat e skenës së madhe.
Si përfaqësuese e delegacionit Shqiptar në Eurovizion (2011, në Düsseldorf ku dhe jetoj), vërejta se si muzika e kryen integrimin faktik shumë më përpara diplomacisë. Mirëpo pashë poaq kuintisencën e këtij absurditeti: krerët e delegacioneve, të mbërthyer nga diktati i institucioneve në letër, i konvertonin pikët e festivalit në qoka gjeopolitike. Në duart e tyre, vota nuk vlerëson këngën, por vulos aleancën e radhës. Ky diktat institucional minon misionin e paqes dhe e kthen votimin në një qokë të rëndomtë.
Në këtë teatër, rasti i Kosovës dëshmon se 'Muri i Berlinit' në art ende nuk ka rënë.
A mundet vërtet EBU të pretendojë paanësi, ndërsa luan 'hapa-dollapa' me rregulloren?
Kur bëhet fjalë për Kazakistanin apo Australinë, "gërma e ligjit" bëhet e përkulshme deri në ftesa speciale, ndërsa për Kosovën - në zemër të Europës - ajo mbetet kallkan. Këtu çështja nuk është më teknike, por parimore! Çfarë peshon më shumë, një e drejtë administrimi valësh apo e drejta universale për të komunikuar përmes artit?
Kosova - Bordi i Paqes 22 Janar 2026
Gadishmëria e Presidentes Osmani - Kosovës për t’u bërë pjesë e 'Bordit te Paqes' (8) të propozuar nga Donald Trump - një strukturë që mëton të trajtojë konfliktet globale jashtë kornizave tradicionale - dëshmon një vullnet për të qenë bashkautorë në tryezat ku rishkruhet rendi botëror. Kjo është ironia supreme: Kosova dëshmon pjekuri për t'u bërë pjesë e një bordi që sfidon ngrehinën globale të sigurisë, por mbetet e përjashtuar nga një konkurs kënge për shkak të një rregulloreje që i referohet një sistemi të ngrirë, të cilin vetë fuqitë e mëdha po e anashkalojnë. Që prej vitit 2023, RTK´ja ka hyrë në një fazë "stërvitore" ambicioze në organizimin e një festivali që synon të jetë porta e Kosovës drejt Eurovizionit. Megjithëse edicioni i parë me La Fazanin dëshmoi pjekuri prodhimi, Gjeneva mbeti e shurdhër; as buxheti prej 350,000 eurosh i vitit 2024 nuk mjaftoi për të thyer gardhin e Bazelit 2025. Këtu shpërfaqet paradoksi. RTK´ja po stërvit muskujt për një garë ku ende nuk e lejojnë të hyjë në pistë. Siç vëren edhe Florent Boshnjaku, problemi nuk është te mikrofoni, por te diplomacia. Festivali mbetet një "rehearsal" në pritje, ku suksesi artistik përplaset me "pozicionin politik" - një luftë me mullinjtë e erës, ku lobimi shtetëror peshon më rëndë se vetë kënga.
Sidoqoftë, kriteret e nenit 3.3 (9) nuk mbarojnë te valët e ITU-së; ato kërkojnë që transmetuesi të dëshmojë një "karakter kombëtar" pothuajse total, duke mbuluar 98% të familjeve. RTK, e pajisur me teknologji japoneze (JICA) dhe dhomat e lajmeve të dixhitalizuara, e ka përmbushur këtë kuotë teknike, por mbetet peng i skepticizmit editorial. Gjeneva përdor krizat e stabilitetit financiar të viteve 2024-2025 si pretekst për të mos parë progresin teknologjik. Këtu shpërfaqet nga fillimi paradoksi i rradhës:
RTK-së i kërkohet të jetë një institucion zviceran në mes të një tranzicioni ballkanik, duke e kthyer standardin teknik në një mjet presioni politik.
Kjo disonancë mes gatishmërisë teknologjike dhe refuzimit burokratik gjen formën e saj më absurde - pothuajse kafkiane - në korrespondencën zyrtare. Letra që RTK (10) i dërgoi Martin Österdahl më 6 qershor 2024 - dokumenti, i nënshkruar nga drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj, nuk kërkon asgjë më shumë se një aplikim të logjikës së thjeshtë: ftesën mbështetur në precedentin e krijuar me Australinë. Pikërist këtu, RTK sillet si një nxënës i shkëlqyer që i kujton mësuesit të moshuar rregullat që ky i fundit i ka shpikur vetë për "gjithpërfshirjen". Në këtë lojë 'kuka-mshefti' me standardet, absurdi bëhet gjeografik! Teksa Australisë i mundësohet të kapërcejë oqeanet për një këngë në skenë, Kosovës i kërkohet të kapërcejë humnerat e burokracisë për të mbërritur tek gjitoni.

Në fund të fundit, po trokasim në një derë që nuk hapet jo sepse na mungon çelësi, por sepse kujdestari brenda ka harruar funksionin e tij fillestar. Ky nuk është një ngërç teknik, por një dramaturgji e përjashtimit - një skenë ku yjeve si Lipa e Ora u lejohet të argëtojnë Europën, por vendlindjes së tyre i ndalohet të ulet në tavolinën e kësaj “familjeje”. Tanimë paradoksi është i plotë: artistët tanë janë tashmë 'brenda', ndërsa flamuri i tyre mbetet peng i një burokratie që e ka humbur lidhjen me Zeitgeistin e duhur. Siç thoshte pianistja Elena Bashkirova:
"Kufizime të tilla të lirisë së artit janë të zakonshme vetëm në diktatura." (11)
Nëse verejmë me vëmendje Elena Bashkirovën, ne nuk po dëgjojmë thjesht një protestë artistike, por një diagnozë të asaj që unë do ta quaja "frikacakëri e sistemuar" e Europës sonë moderne. Pyetja që Bashkirova shtron, e që na djeg të gjithëve, është kjo:
A ka arti një mandat politik? Përgjigja është një "Jo" e prerë, por me një "Dhe gjithsesi" të madhe pas saj.
Problemi me institucionet, si EBU në rastin e Kosovës, është se ato po e kthejnë lirinë e artit nga një vlerë aktive në një klauzolë mbrojtëse për veten e tyre. Kur frika nga gjeopolitika bëhet busulla e një festivali kënge, ne nuk po mbrojmë rregulloret, por po shkatërrojmë atë që unë e quaj ekologjia e shpirtit europian.
Mirëpo, a lypet guxim sot?
Doemos që lypet guxim, mjafton të kthejmë kokën nga festat e krishtlindjeve të vitit 1989 në Berlin. Leonard Bernstein, në një akt që kapërcen rregulloret strikte, ndryshoi tekstin e Simfonisë së 9-të të Beethoven-it: ai e transformoi 'Oden e Gëzimit' (Ode an die Freude) në 'Ode të Lirisë' (Ode an die Freiheit) (12). Ai deklaroi solemnisht: "Jam i sigurt që Beethoven do të na miratonte." Nëse Bernstein shembi mure me një simfoni, EBU po i ruan ato me një rregullore.
Puna është se kur lexon me vëmendje nenin 13 të Kartës së BE-së(13), kupton se liria e artit nuk është ndonjë dhuratë që institucionet na e japin me tollon; është një e drejtë që na takon - ajo "e zeza mbi të bardhë". Fiks këtu paradoksi nxjerr sërisht kokën: ndërsa ligji thotë se arti është i lirë, burokratët e EBU-së i vënë shulin derës, duke u fshehur pas ca rregulloreve teknike të ITU-së që ngjasojnë më shumë me inventarët e magazinave sesa me vlerat europiane.
Mirëpo, artistët nuk kanë më ndërmend të presin ftesën te pragu. Ka ardhur koha që këto ligje t’i nxjerrim nga xhepi e t’ua vëmë mbi tavolinë: Neni 10 i Konventës (14) thotë se shprehja nuk njeh kufij dhe pikë. Juristi Christoph Möllers (15) na mbudh kur shkruan:
"Shteti mund të kontrollojë portofolin, por nuk mund të kontrollojë mikrofonin."
Kur institucionet fshihen pas "frikës politike" për të mbajtur Kosovën jashtë, ato nuk po mbrojnë ligjin, por po mbrojnë frikën e tyre nga liria.
Sikur të mos mjaftonin argumentet që leçisim më lart, na vjen një lloj vërtetimi edhe nga majat e akademisë gjermane. Në fund të vitit 2019, Universiteti i Konstancës (përmes projektit madhor SFB 484) mbylli një kapitull kërkimor 13-vjeçar mbi atë që ata e quajtën "Bazat kulturore të integrimit"(16). Literarisht, pesëqind shkencëtarë erdhën në përfundimin se integrimi nuk është një dosje që mbyllet me një firmë në Gjenevë apo në ITU, por një proces i gjallë shkëmbimi që kërkon liri dhe jo rregullore të ngrira. Këtu vdes edhe alibia e fundit e institucioneve. Ndërsa Europa e mendimtarëve - ajo e Konstancës dhe e DFG-së (Fondacioni Gjerman për Kërkim) - investon miliona për të thënë se kultura është ajo që na mban bashkë, Europa e ekraneve po bën të kundërtën: po përdor teknikën për të na ndarë.
Si artiste që beson te ky "shkëmbim produktiv" për të cilin flet raporti i Konstancës, unë e shoh misionin tonë jo si një lutje për pranim, por si një vazhdimësi të kësaj tradite. Ne po e bëjmë integrimin faktik çdo ditë, në çdo koncert, në çdo shesh, klub dhe në çdo kafe, duke i lënë institucionet të merren me drynat e tyre të ndryshkur. Në çdo përpjekje për të analizuar integrimin e Ballkanit, duhet të pranojmë se po operojmë në një territor ku të vërtetat nuk janë kurrë absolute. Dhe kjo është e bukura e procesit…
Në fund të fundit, muzika dhe arti nuk po presin të hyjnë në Europë - ato janë "shtëpia" ku Europa banon, edhe kur zyrtarët harrojnë të paguajnë dritat.
Në vitin 1982, kur Nicole u ngjit në skenën e Eurovizionit me atë kitarë që dukej më e madhe se vetë ajo, unë isha vetëm dhjetë vjeç. Për një vajzë të vogël në Shqipërinë e atyre viteve, zëri i saj nuk ishte thjesht një medium muzikor; ishte një mjet transporti shpirtëror drejt skenave të mëdha të botës që ekzistonin vetëm në përfytyrim.
Me "Ein bisschen Frieden" (Pakëz paqe) (17), Nicole nuk po prezantonte një dokument ligjor për paqen - ajo po hidhte një hipotezë shpirtërore në mes të një kontitenti të ndarë. Ishte një akt që nuk kishte saktësinë e një ekuacioni, por kishte forcën e një ideje që guxonte të ishte e brishtë.
Por, që ky imazh të mbërrinte në dhomën tonë të ndenjes, duhej një 'operacion' i vërtetë plot marifete, një akt dashurie që sot ngjan me ato skenat absurde e poetike të filmave të Emir Kusturicës, ku njerëzit fluturojnë pas ëndrrave të tyre mbi tarraca pallatesh të hirtë.
I shihnim festivalet e ESC´së tek Rai Uno në fshehtësi të plotë. Mbaj mend vëllanë tim, Agimin, katër kate më lart mbi tarracën e pallatit (tek kryqëzimi 21 dhjetorit, Tiranë), me kokën varur poshtë duke më kërkuar shenjë nëse vinte pamja! Unë, nga dritarja e katit të parë, bëja shenja me duar: "Po, tani e kap!". Ai rrotullonte antenën sikur po kërkonte valët e lirisë, dhe në atë çast, kur rripi zhurmues i ekranit zhdukej dhe shfaqej Rai Uno apo stacioni Zagrebit - me ato yjet xixa të Eurovizionit, ne nuk po shihnim thjesht një konkurs këngësh. Ne po mbanim përdore një ëndërr. S´ishte thjesht një veprim teknik; ishte një përpjekje pothuajse biologjike për të marrë frymë jashtë kafazit. Për ne shqiptarët, rrotullimi i antenës - "kapja valës" - ishte refuzimi i izolimit. Ishte provë e "shpirtit" që gjithmonë gjen një rrugë për ti rënë me sëpatë të pamundurës. Muzika është gjuha që nuk ka nevojë për ferman për t´kaluar kufirin, edhe kur ky kufi ishte i blinduar me tela, bunkerë dhe pika kufitare aty ku im vëlla humbi jetën.
Eurovizioni si ritual dhe "e keqe e domosdoshme"!
Për të mos rënë në kurthin e interpretimeve subjektive, vlen të dëgjohet se si Dr. Irving Benoît Wolther (18) e përkufizon natyrën e vërtetë të këtij organizmi. Ai nuk heziton ta quajë festivalin një "e keqe e domosdoshme" (necessary evil), një format që vetë drejtuesit e EBU-së në vitet '90 dëshironin ta hiqnin qafe, por nuk munden sepse emri i tij ishte bërë i pandashëm nga vetë ekzistenca e tyre institucionale. Për Wolther-in, ESC nuk është thjesht një program televiziv, por një "traditë e jetuar, pak a shumë si Pashkët". Ai shpjegon se suksesi i tij nuk vjen nga rregullat e tregut, por nga:
"... kujtimet e fëmijërisë për mbrëmjet televizive familjare, nga afërsia kulturore e rritur ndër shekuj, por edhe nga kundërshtitë midis vendeve pjesëmarrëse... gjithë kjo nuk mund të reduktohet në një format."
Pikërisht kjo natyrë organike dhe historike është arsyeja pse, sipas tij, ky projekt nuk mund të kopjohet nga amerikanët apo aziatikët. Përpjekjet si "American Song Contest" dështojnë sepse u mungon ajo që Wolther e quan "shpirti europian"- një përzierje e dhimbshme dhe e bukur e historisë, paradokseve gjeopolitike dhe kujtesës kolektive. Se çfarë duhet të mendojmë kur lexojmë një përkufizim që luhatet mes "një të keqeje të domosdoshme" dhe një "rituali si Pashkët", i mbetet secilit prej nesh ta vlerësojë. Por për ne shqiptarët, që këtë festival e kemi parë gjithmonë përmes syve të sinqertë të një fëmije që kërkonte dritën përtej izolimit, mbetet pyetja:
A mund të jetë një institucion "Pashkë europiane" nëse mban derën mbyllur për një anëtar të familjes?
Nëse ky festival ka vërtet një shpirt që nuk mund të kopjohet, atëherë ne zgjedhim të qëndrojmë në anën e atij shpirti - aty ku Bezençon besonte se muzika çan çdo bunker teknokratik.
Ky artikull nuk kërkon thjesht një votë apo një pjesëmarrje; po kërkon që Europa të mos harrojë misionin e saj fillestar - që të jetë "vetë" sinjali që bashkon njerëzit, pavarësisht sa lart apo poshtë tarracës politike ndodhen ata. Ne e kemi bërë pjesën tonë - e kemi mbajtur antenën drejt për dekada.
Është radha e Europës të shohë nëse sinjali i saj i vlerave është ende në transmetim, apo thjesht një 'test-card' me ngjyra për të mashtruar shikuesit e mbetur jashtë.
“Kush mendon, nuk mban vrer"
Dosmosdo që duhet ta nxjerrim pyetjen nga podkastet kritike – jashtë odave tona dhe ta përplasim pas fasadave të xhamta të Brukselit: Pse "kodi" i Europës dështon mjerueshëm sapo mbërrin në kufijtë e Kosovës? Siç vërente Hannah Arendt, "Wer denkt, ist nicht wütend" (19) - kush mendon, nuk mban vrer. Mendimi është, në radhë të parë, një akt de-infektimi; ai e zhvesh zemërimin nga petku i afektit për ta kthyer në sensibilizim. Nëse duam që ky reflektim të mos mbetet thjesht një sprovë diskursive, duhet të kuptojmë se "antena" jonë nuk kap më.
Ne mejtojmë pa vrer, por me një listë të gjatë detyrash shtëpie që presin pas dy anëve të perdes! Europa duhet të kuptojë se kriteret teknike nuk janë vlerat europiane. Të krijohet një status i ndërmjetëm për shtetet që janë de facto pjesë e jetës kulturore europiane. Ndërsa institucionet e Kosovës duhet të pushojnë së komunikuari si viktima të një burokracie dhe të fillojnë të sillen si pronarë të një kulture që Europa tashmë e konsumon (hedhim syrin tek suksesi i artistëve tanë nëpër botë). Le të ndërtohet një infrastrukturë ligjore dhe teknike (RTK) që nuk lyp pranim, por e bën mospërfshirjen të duket si një absurditet logjik. Duhet të investohet në diplomaci kulturore, jo si një lobim politik, por si një invazion estetik.

BE-ja duhet ta shohë Kosovën në Eurovizion si një histori suksesi të projektit të saj të paqes. Çdo vit që Kosova mbetet jashtë, është një vit ku Europa dëshmon se shtëpia e saj ka ende dritare të mbyllura me dërrasa. Integrimi nuk është një akt zyrtar që vuloset në një zyrë me dritë neoni; është një proces i rikuperimit të shqisave. Derisa Eurovizioni të guxojë të jetë i plotë, ai nuk do të jetë kurrë pasqyra e Europës, por vetëm një pasqyrë e thyer që tregon atë që ne duam të jemi, por nuk guxojmë.
Ne do të vazhdojmë ta mbajmë antenën drejt - jo sepse nuk "kapim" sinjalin e tyre, por sepse na dhimbset shurdhëria e tyre.
© 2026 Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: Ky punim është pjesë e programit studimor të Fondacionit KULT 360 mbi Diplomacinë Kulturore. Qëllimi ynë mbetet dekonstruksioni i mureve institucionale përmes fuqisë së kërkimit dhe artit, duke e shndërruar bllokadën e Kosovës në një debat mbi të drejtat kulturore europiane.

Adorno, T. W. (1970). Ästhetische Theorie. Frankfurt am Main: Suhrkamp. (Ky citat nënvizon rezistencën ontologjike të kulturës ndaj përjashtimit institucional)
Rick (2025, 14 korrik). Debüt zum 70-jährigen Jubiläum? Kasachstan könnte zum ESC 2026 eingeladen werden. ESC-Kompakt.
Metz, M. & Seeßlen, G. (2022, 11 shtator). Koncepti "Soft Power" - Weiche Macht (pushteti i butë): Die Krise des Konzepts. Deutschlandfunk.
Dinnie, K. (2008). Nation Branding: Concepts, Issues, Practice. Butterworth-Heinemann.
Steiner, G. (2004). The Idea of Europe. Amsterdam: Nexus Institute. (Për një zbërthim të konceptit të "ftesës" dhe mikpritjes intelektuale të Georger Steiner.)
Die Entstehung und Entwicklung des ESC. [Origjina dhe zhvillimi i ESC]. Europa-Blog, Universität Bremen.
European Broadcasting Union (EBU). Statutes of the European Broadcasting Union. (Edicioni i përditësuar). Neni 3.3, f. 6-7.
Kelmendi, G. (2026, 23 janar). Osmani: "Besoj në udhëheqjen e presidentit Trump për të sjellë paqe". RTKlive
European Broadcasting Union. (2023). EBU Statutory Documents: Statutes of the EBU. Neni 3.3 specifikon detyrimet për anëtarësimin aktiv dhe lidhjen me Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU). Dokument zyrtar.
Telegrafi.com (2024). RTK aplikon që Kosova të marrë pjesë në Eurovision 2025.
Landfried, C. (2024). Kunst und Politik [Arti dhe Politika]. Verfassungsblog.
Hochschule für Musik Franz Liszt Weimar. Beethoven-Rezeption: „Ode an die Freiheit“ [Recepsioni Beethoven-it: „Ode e Lirisë“].
(EUR-Lex) Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian. Neni 13: Liria e arteve dhe e shkencave. Gazeta Zyrtare e Bashkimit Europian (2012/C 326/02).
Këshilli i Europës. Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, Neni 10: Liria e shprehjes.
Möllers, C. (2014). Das Grundrecht der Kunstfreiheit. Frankfurt am Main: Suhrkamp. Shih gjithashtu analizën e tij mbi autonominë e artit në raport me shtetin dhe institucionet publike.
Universität Konstanz / DFG. Sonderforschungsbereich 484: Kulturtheoretische Grundlagen der Integration.
Nicole. Ein bisschen Frieden. Fituesja e Eurovision Song Contest 1982.
Wolther, I. B. 2004 „Ein bisschen Frieden“: Der Eurovision Song Contest als europäisches Ritual. Heinrich-Böll-Stiftung.
Arendt, H. Denktagebuch (1950–1973). Ky mendim mbi raportin mes mendimit dhe zemërimit analizohet gjerësisht në studimet mbi "Vitin e Arendt-it" dhe procesin e gjykimit politik.




Comments