Pse Ballkani mbetet jashtë radarit të GEMA-s: Kultura në këndin e vdekur nga Eda Zari
Kushdo që i kushtohet muzikës, ushqen fillimisht iluzionin e një gramatike universale. Tingujt nuk njohin pika kufitare, ritmet nuk pyesin për dogana, dhe një melodi e shpalos rezonancën e vet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë me po atë peshë ekzistenciale si në Elbphilharmonie të Hamburgut. Por sapo fashitet kreshendoja e fundit dhe instrumenti hesht, bota prapa skenës shpërfaqet ashtu siç është në të vërtetë: një konstrukt thellësisht asimetrik, gjeopolitik.
Arti mund të jetë pa kufij, por vjelja e frutit të tij s’është e tillë.

Si artiste që jetoj në Gjermani dhe veproj ndërkombëtarisht, 33 vite më parë vendosa krejt ndërgjegjshëm të anëtarësohem në GEMA. Qe një akt besimi ndaj një institucioni të lindur dikur si gur themeli i Iluminizmit europian – po themi shndërrimi i frymës së lirë krijuese mbi një të drejtë të mbrojtur ligjërisht. Një sistem i ngritur mbi premisën fisnike se prona intelektuale nuk është lëmoshë, por trualli material mbi të cilin mbin e lulëzon autonomia kulturore.
Mirëpo, mjafton të marrësh rrugën e një turneu në skajin juglindor të “kontinentit” tonë - në Shqipëri, Kosovë a në Maqedoninë e Veriut - dhe bëhesh dëshmitare e një thyerjeje dialektike fort të çuditshme. Mbi letër mbretëron harmonia e kulluar e së drejtës ndërkombëtare: Konventa e Bernës, marrëveshjet e ndërsjella të CISAC-ut, parimi I territorialitetit.
Vargu arkitektonik i së drejtës ndërkombëtare të autorit pretendon vlefshmëri universale:
· Një agjenci vendase si ALBAUTOR është e mandatuar me ligj (sipas ligjit shqiptar për të drejtën e autorit nr. 35/2016) dhe në rrugë dypalëshe që, gjatë koncerteve në territorin vendas, të vjelë shpërblimet për repertorin e mbrojtur nga GEMA.
· Këto të ardhura, të shoqëruara me listat e këngëve të dorëzuara me përpikëri, duhet t’i transferohen Gjermanisë në mirëbesim të pa diskutueshëm.
· Më pas, GEMA ua shpërndan frytin autorëve të vet.
Deri këtu, gjithçka ngjan si premtimi i një mblesërie të drejtë.
Por realiteti empirik i ngjan më tepër një kallupi strukturor veshur me një heshtje institucionale. Rrjedha e parave dhe e njohjes nuk është një arterie pulsuese, por një rrugë me një kalim.
Kur një artist nga Ballkani ngjitet në një skenë gjermane(të kuptohemi me repertorin e tij), aparati burokratik i GEMA-s ndërhyn me saktësinë e mirënjohur prusiane: çdo takt regjistrohet, çdo cent licencohet dhe transferohet. Në drejtim të kundërt, e drejta avullon në një tokë të askujt. ALBAUTOR-i shpërfill prej vitesh, me një përdhunim inteligjence sistematike ndaj artistit, detyrimin për rakordim, dokumentim dhe përcjellje të tantiemave të koncerteve të drejtpërdrejta. Krijimtaria shpirtërore e autorëve konsumohet, duartrokitet - dhe tretet për marshalla në eterin e kontabilitetit.
Kjo mund të fshihej lehtësisht pas etiketës së një deficiti lokal, si një nga ato sëmundjet foshnjore të shoqërive në tranzicion. Mirëpo kriza e mirëfilltë filozofike dhe kultur-politike gjendet më thellë: ajo rri e fshehur pikërisht në këndin e vdekur të vetë agjencisë sonë të të drejtave.
GEMA thjesht bën sehir.
Në vend që t’i zbatojë me rreptësinë që i takon një kujdestari të drejtat e saj kontraktuale të verifikimit, kontrollit dhe auditimit ndaj agjencisë simotër ballkanike, në qendrat e Mynihut dhe të Berlinit zotëron një letargji komode. Prapa kësaj fshihet një kalkulim cinik ekonomik, i cili bie ndesh kryekëput me frymën e ligjit mbi shoqëritë e administrimit kolektiv: meqenëse tregjet e Tiranës, Prishtinës apo Shkupit janë nga sasia të papërfillshme, përplasja juridike e administrative thjesht «nuk ia vlen».
Këtu del sheshit tradhtia e fshehtë ndaj detyrimit të mirëbesimit. Detyrimi ligjor i përfaqësimit nuk njeh dallime mes tregjeve të pasura metropolitane dhe periferive. Kur një agjenci e tillë nis ta kushtëzojë mbrojtjen e autorit me etalon fitimi, ajo braktis parimin e solidaritetit dhe degjeneron në një sportel financiar në shërbim të atyre që janë tashmë të kamur e të konsoliduar. Përfundimi është grotesk: artiste, grupet, autorët, krijuesit, detyrohemi të kthehen në detektivë privatë të papaguar të veprës së tyre. Gjurmojnë kontrata, u vihen pas listave të këngëve, repertoreve, emisioneve televiziv apo radiove, u dërgojnë vërejtje organizatorëve dhe kërkojnë dëshmi - pikërisht atë punë për të cilën kemi mandatuar një institucion dhe e paguajmë përmes zbritjeve nga të ardhurat tona.
Kjo prek pyetje themelore të diplomacisë kulturore europiane: sa e besueshme mbetet kjo bashkësi vlerash kur pranon, në rrafshin më modest - atë të pronës intelektuale, institucionalizimin e zonave pa ligj mu në kufijtë e saj të jashtëm?
Shkëmbimi kulturor katandiset në farsë, në mos u mbështetka mbi respektin e ndërsjellë për mbijetesën materiale të vetë krijuesit.
E drejta e autorit nuk është privilegj ekskluziv i tregjeve të kamura të qendrës. Ajo është e pandashme.
Nëse politika kulturore dëshiron të jetë diçka më shumë se retorikë e fjalimeve festive, dhe agjencitë kolektive diçka më tepër se ruajtëse të feudeve ekzistuese, atëherë na duhet ta ndriçojmë këtë kënd të vdekur të Europës. Kjo lyp një strategji të dyfishtë e pa ekuivokë: ALBAUTOR-i duhet të detyrohet, nëpërmjet trysnisë ndërkombëtare dhe kërcënimit me heqje të përfaqësimit në CISAC, të kryejë regjistrimin dhe shpërndarjen e plotë të të ardhurave; ndërsa GEMA duhet të ngrejë menjëherë një komision aktiv kontrolli e auditi për rajonin e Ballkanit.
Sepse vlera e artit nuk matet me përmasat e tregut ku ai kumbon – dhe detyrimi i mirëbesimit vlen pa përjashtim për çdo takt të vetëm, për çdo qindarkë, dhe për çdo njeri që jetën ia ka kushtuar krijimit të muzikës.
© 2026 Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.





Comments