Albumi i ri "Palimpsest" Poradeci I Heine
“Palimpsest Lasgush Poradeci dhe Heinrich Heine Jeta ime është një palimpsest, kështu është dhe´jotja! “Ç’është truri i njeriut përveçse një palimpsest kolosal? Truri im është një palimpsest i tillë” - kështu Thomas De Quincey në “Libra - Suspiria de Profundis“. Kjo metaforë vlen për zemrën, poezinë dhe muzikën! Pergamenat dhe letrat e shkruara rishtas u quajtën palimpsest. Ky kompleksitet është karakteristika kryesore e albumit dygjuhësh, shqip dhe gjermanisht, të Eda Zarit quajtur “Palimpsest”. Pas pesë vitesh Eda Zari kthehet me një album të ri - si gjithherë - konceptual. Ndryshe nga dashuria e epërme për të cilën John Coltrane në suitën e tij “A Love Supreme” shpreh muzikalisht qëllimin e tij - të jetonte jetën e vërtetë fetare, qëllimi i Eda Zarit është të shkruajë një vepër muzikore shpirtërore mbi poezinë lasgushiane që mbart konceptin kozmik, atë më të epërmin, të cilën Poeti e quan Dashuri. Muzikalisht Eda Zari ndihet si në shtëpinë e vet në varietetet e xhazit, muzikës kinematografike dhe world music. Për nderimin e vargjeve të Lasgush Poradecit, ajo zgjodhi një fjalor të saj melo-ritmik vokal në mënyrë që të përkthejë përshtatshëm vargjet e poetit në muzikë.

Pse Palimpsest? “Me Palimpsest, dua të rrumbullakos bollëkun e shqipes së Lasgushit në bashkekzistencë me vokabularin e ri melo-ritmik akustik ngritur në nivelin e këngës. E kaluara bëhet e pranishme në të tashmen duke u rishkruar dhe si këngë që të ndërmendet lehtazi mëngjeseve apo si lajtmotiv mes dy njerëzish premtuar njëri-tjetrit. Me kalimin e kohës, “Palimpsesti” mund të shtojë shtresa të reja në vetvete. Ky koncept dhe efekt na lejon të përjetojmë njëkohësisht të kaluarën në të tashmen dhe të tashmen në të kaluarën, përmes ndarjes dhe qepjes se kujtimeve, gjuhësisë, fjalës dhe tingullit në kohë dhe hapësirë. Përmes muzikës rishkruajmë biografinë tonë me fjalët e poetit, ndjesinë e shijes si “tingëllon dashuria” ose si kompozohet “dhimbja e lamtumirës”. Albumi mund të “shfletohet” si një libër tingullor. Muzika “lexohet” sikundër poezia “këndohet”! Lexon tingullin, përjetimet i këndon si një koleksion biografik, si një histori e vazhdueshme dehëse. “Palimpsest” duket sikur i flet bërthamës së konceptit të albumit tim, i cili ngrihet mbi një triangël biografik mes meje, Lasgushit dhe Heines. Është kjo trio krijuese në ekzil - e ndarë dhe lidhur në një trini kohore - e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja. Për mua, bukuria e muzikës është se ajo ekziston me dhe përtej çdo mesazhi verbal. Pastaj, çfarë dëshmish të tjera mund të gjejë një poet për suksesin e vargjeve, apo muzikëthurësi për kompozimet, përveç përputhshmërisë muzikore të tonit me fjalën?” - thotë Zari. Duket sikur kjo pyetje qe njëkohësisht përgjigjja e denjë për t’i dhënë Eda Zarit shtysën finale të ngrejë shtyllën e albumit. Disa paralele dhe devijime historike mes Llazar Gushos dhe Heinrich Heine i përforcuan poaq Zarit idenë për realizimin e një albumi jo vetëm me poezitë e Lasgushit, por dhe shqipërimet e tij nga “Libra e Këngëve” të poetit të madh gjerman. Natyrisht e gjitha kjo në emër të parimeve humaniste të artit - manifestimin e marrëdhënies midis poezisë me muzikën, si dhe dygjuhësisë brenda një ideje - si përgjigje specifike ndaj rrethanave të muzikës dhe poezisë - bashkëjetesës së sotme multikulturore - linguistike. “Tek Heine dhe Lasgushi ndiej pasqyrimin e tingujve shpirtërorë përkthyer në vargje. Vargjet e poetëve dëftejnë për tronditjen e këngës së tyre të brendshme. Ndaj Lasgushi fal mesazhin e ngulmit të tij për këngën e re: - “Që nga fund i vetëvetës do të këndoj një mall të ri”. Ndonjëherë kur ndodhte - poezinë e Lasgushit t’ma lexonin apo recitonin qoftë në distancë telefonike apo më drejtoheshin dashurisht përmes vargjeve të tij, fjala vjen: “Ti po vjen që prej së largu …”, “Se të gjeta grua, prandaj…”, ngjyrën e melodisë menjëherë e orkestroja në kokën time si një kolonë zanore, por duke i qëndruar larg elementit etnik, pa shumë përfshirje folklorike qoftë ritmike, melodike apo harmonike. Melodinë e emocionit të vargut të Lasgushit e shikoj krejtësisht si një ngjarje filmike apo një fotografi që rrëfen copëza biografike të Poradecit në Graz, Köln, tek Liqeri, në Bukuresht, shoh ambientet, personazhet, gruan, mizanskenat… apo netët vetmitare të hebreut Heine teksa sillet në ekzil në “Kryeqytetin e Revolucionit” apo në “Panteonin e të gjallëve” siç e quante ai Parisin - andej prej nga ai i shkroi zhgënjimit, urrejtjes, dashurisë dhe mallit për Dyseldorfin - vendin e tij të lindjes! Ndaj, kujdesi maksimal, porosia dhe thelbi i melodisë është krejtësisht i varur nga komponentët përmbajtës të fjalës. Fjala ndikon në vokalin tim, akcentuimin tonal, frazimin, koloritin intim përmes segmenteve a cappella dhe recitativës lirike për t’i dhënë vërtetësinë e nevojshme këngës së Poetit. Kësisoj fjala bëhet më e qëndrueshme e çimentuar me tingullin”- shprehet Zari. Simbolika mbresëlënëse që përçon “Palimpsesti” është vendosja e kujtimeve të zemrës dhe mendjes në një fill të kuq tingulli. Është fjalori muzikor i rishkruar mbi fjalorin poetik, është rroba e dashurisë që Eda Zari i mvesh, me zërin e saj, fjalës lasgushiane. Artistja në bashkëpunim me Henning Jung dhe Leon Brückner, përmes kompozimeve të reja, na shpie me “Palimpsest”, në një udhëtim brenda shpirtit - plot kalesa malli, shprese, ndarjeje, humbjeje, rigjetjeje - përmes fizikes dhe shpirtërores. Një udhëtim ku fjala rishkruhet me muzikë jo vetëm në formën e një partiture por dhe ekzekutohet, këndohet. Poezia gjallohet përmes tingullit sa herë ajo luhet e rikëndohet, duke prodhuar akustikë që e ridimensionon veprën, duke vajtur krejtësisht në të përfundmen e re. Poradeci thotë: “...Esenca e poezisë lirike është muzika shpirtërore, dhe muzikën shpirtërore e bën toni shpirtëror, dhe tonin shpirtëror e bën drithma shpirtërore, lëkundja, tronditja shpirtërore - kurse tronditjen shpirtërore, domethënë, me një fjalë neologjie, emocionin shpirtëror e b