Xhazi ne Liturgji
Soli Deo Gloria” a la John Coltrane
Potenciali liturgjik i muzikës xhaz dhe paragjykimi i muzikës xhaz në terrenin kult
Psalmi 150, 3-6:
Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste. Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë. Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese. Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.
Komunikimi midis Perëndisë dhe njerëzve në rrjedhën biblike paraqitet vazhdimisht përmes kontaktit muzikor. Rreth 800 vargje të Biblës përmendin në mënyrë eksplicite termin muzikë. Sido të kenë tingëlluar fjalët e përdorura nga Eva dhe Adami, a ka ndonjë dyshim ndaj dëshmive biblike që ata i këndonin fjalët e tyre? Qysh prej zanafillës së njerëzimit, lidhja e muzikës me fenë dhe Kultin është e pandashme, sepse fjala e Zotit nuk mund të skalitet dhe mësohet me forcë, ajo duhet ëmbëlsisht të tingëllojë brenda shpirtit dhe mendjes së njeriut! Muzika duket se ka qenë një tipar i vërtetë i krishterimit. Plini i Riu(1), në letrat dhe kronikat e tij të cilat sot janë një burim i rëndësishëm historik, e konsideroi veçanërisht me rëndësi të theksonte se kulti i ri në Lindjen e Mesme kishte një lidhje të fortë me muzikën dhe formën e riteve: “Ata janë mësuar të takohen me njëri-tjetrin në një ditë të caktuar para agimit dhe të alternojnë kolektivisht me vegla e zë, një këngë Perëndie”.
Muzika dhe besimi kanë një ngjashmëri të pashmangshme mes tyre, duke plotësuar njëra-tjetrën. Besimi larton sigurinë për shumëçka shpresojmë. Besimi është individual dhe dëshmi e një dimensioni shpirtëror, të cilin nuk e shohim por e ndjejmë! Po aq abstrakte, shpresëdhënëse, dëshmuese është dhe muzika. Muzika dhe besimi, kjo binjakësi mirëbërëse, përcakton fuqinë tonë jetësore, rimëkëmb gjithëhera shpirtin njerëzor. Sa më shumë mendoj për këtë, aq më fort më angazhon pyetja: përse duket e pamundur ecja me Zeitgeist-in dhe dinamikat e sotme kulturore, tek madje vetë kreu i kishës katolike Papa Françesk bën thirrje për muzikë të shenjtë, më moderne për zemrat e bashkëkohësve tanë? Pse në Shqipëri paragjykohet kur luhet muzikë në kishë, sidomos muzika xhaz tek interpretohet në mjedise fetare me instrumente? Kur do të distancohemi nga klisheja se xhazi dëgjohet në zhytjet me tym në orët e vona, aty lëkundet djepi i mëkatit?
Shpesh dëgjojmë të flitet nga ky rrafsh paragjykues e kokëfortë. Por si lidhen religjioni, xhazi, dhe kisha me njëra-tjetrën? Si ndikojnë hapësirat e kishave në gjuhën e xhazit?
Së pari këtu duhet dhënë një përmbledhje e shkurtër historike. Me sjelljen e skllevërve nga Afrika në Amerikë, u soll edhe esenca e trashëgimisë kulturore, shoqërore dhe muzikore, e cila u ngjiz me traditat fetare muzikore evropiane që patën ndikuar kontinentin e ri asokohe, duke krijuar një multikulturalitet. Në kulturën afrikane, muzika është e lidhur drejtpërdrejtë me tërë jetën shoqërore dhe adhururese.Thirrje-përgjigjet komunikuese mes tyre ishin praktika tipike shprehëse, ku fjala ritmonte me linja vokale, perkusive e vallëzuese. Meloditë afrikane u ruajtën nën të ashtuquajturën “Tingulli origjinal i thirrjeve dhe lavdërimeve”, ku përmblidheshin këngët shpirtërore dhe ato të punës. Modi afrikan nuk mund të kapet nga sistemi i toneve evropiane, sepse intonacioni i atyre këngëve varion nga ky yni. Gjatë përzierjes së kulturave muzikore, u rritën “notat blu” tok me Pentatonikën (paçka se ekzistojnë mendime të ndryshme mes teoricienëve të muzikës rreth origjinës dhe natyrës së pentatonisë).
Fundi i Luftës Civile në 1865 dhe heqja graduale e skllavërisë deri në mesin e viteve 1920 ndihmuan në zhvillimin dhe inspirimin e stileve të muzikës që ne sot i quajmë xhaz dhe blues. Gunther Schuller thekson se është e vështirë për të vendosur një datë të saktë në të cilën xhazi mund të përshkruhet si një zhanër i pavarur, teksa Jeffrey H. Jackson thotë se që nga të shtënat e para të “Dixieland Jazz Bands” më 1923, për herë të parë mund të flasim për xhazin. Në kishat afroamerikane të origjinës protestante, ungjilli (gospel) doli si zhanër i vet muzikës së shenjtë. Ndërkaq, forma këngëtore kolektive “Gospel”, kishte fituar famë botërore përmes përformancave koncertante në fillim të shekullit të 20-të. Këtu përmendim ansamblin vokal afroamerikan “Fisk Jubilee Singers” ose “Paul Robeson”. Kjo muzikë frymon dhe çliron përditësitë e jetës. Notat blu (terca dhe septima e vogël, si dhe tritonus) shërbenin për të shprehur vështirësitë sociale dhe këtë vazhdojnë ta bëjnë deri më sot. Nëse vërejmë nga afër frymën pastorale të këtij repertori, situatat më të rënda jetësore përkthehen ritmikisht dhe muzikalisht me nota modeste shprese, nota të larta adhurimi, deri në manifestimin e përforcimit të besimit që tingëllon në finale me „coda triumfale” në çdo meshë. Xhazi modern ka vazhduar këtë traditë duke i kënduar një bote komplekse urbane dhe duke kultivuar brenda vetes lartimin e besimit dhe paqes. Nëse në momente kritike vetë jeta nuk tregon rend dhe kuptim, atëherë besimi dhe muzika krijojnë një rend dhe kuptim, duke unifikuar ndjesinë kolektive brenda së cilës qahen hallet e përbashkëta në shtëpi të perëndisë.
D