top of page
Search

CAPRICCIO – PORADECI, HEINE DHE TINGULLI. Nga Eda Zari

Muzika e më pas fjala apo fjala e më pas muzika…?


Ashtu si njerëzit, muzika ka dy anë: mendjen dhe shpirtin. Ky i fundit e shpie muzikën të shprehë atë për të cilën fjalët nuk janë të mjaftueshme. Mirëpo, nuk mund të mohohet se filozofët, poetët dhe muzikthurësit priren dhe marrin shkas nga ideologjitë e njëri-tjetrit për të përsosur qoftë tingullin e mendimit apo mendimin e tingullit!


Ca e ngatërruar kjo e fundit?

Pak kohë para Koronës, ndodhesha e ftuar tek kolegët në një koncert të stilit hard bop. Publiku m’u duk i aftë muzikalisht për të përballuar kërkesat jo dhe aq të asimilueshme të kësaj muzike. Në fund të koncertit siç e do zakoni, publiku thirri – Zugabe (encore) – saksofonisti nisi të luajë një kompozim të titulluar – për çudinë time – “Die Welt als Wille”. Kompozitori i referohej veprës “Die Welt als Wille und Vorstellung”[1] të Schopenhauerit. Ishte interesante ngjizja e konce-ptit filozofik me linjën melodike dhe improvizimin hard bop po aq dhe xhaz modal. Mirëpo, tek vëreja interpretimin e muzikantëve – qoftë tingullin kolektiv apo atë solistik mejtova; a është më e lehtë të paraqesësh instrumentalisht një mendim apo filozofi pa nënshprehje verbale, sesa të ngresh një poezi ekzistuese në nivelin e një kënge duke lënë fjalën në vendin e duhur, si një formë që ruan veprat e mendjes – zbatuar me tinguj?

Saksofonisti më la shijen e muzikantit ithtar që do të flasë një gjuhë të përbashkët me filozofin.

“Bota si Vullnesë dhe Ide” – lehtazi kish yshtur frymëzimin e kompozitorit të njëjtësojë gjuhën e mendimit me atë të tingullit. Nuk është zbulim i ri se muzika instrumentale, shprehet pa u martuar me një libret apo tekst të shtrirë nën armature. Schopenhaueri ia rrit rëndësinë muzikëthurësit kur thotë: “Kompozitori zbulon rrënjën më të thellë të botës dhe shpreh mençurinë më të brendshme, përmes një gjuhe që arsyeja e tij nuk e kupton”! Mirëpo, sado entuziaste t´më bëjë filozofia e Arthurit apo të lëvdojë se; – “muzika është më e larta nga të gjitha artet”, po aq më bën të them se muzikëthurësit pa vramendje – jo pak herë e kanë shpërfillur peshën e mendimit, elementët apo fuqinë e thirrjes poetike. Nuk janë të pakta rastet kur muzika apo kompozitorët të ndjellin ndjesinë sikur gjuha poetike – fjalët – ende nuk ishin apo janë shpikur!

Në korrespondencën mes Richard Strauss dhe Clemens Krauss[2] – referuar operës së fundit të kompozitorit me titull – Capriccio – vërejmë pikëpamjet e tyre kundërshtuese për marrëdhënien midis gjuhës dhe muzikës. Cila është parësore… – “Zuerst die Musik und dann die Worte” kundrejt “Zuerst die Worte und dann die musik” (“së pari muzika e më pas fjala” apo “së pari fjala e më pas muzika?”). Së fundmi Krauss bën të mundur të fitojë entuziazmin e Strauss-it, me zgjedhjen e një Soneti të Pierre de Ronsard[3] për arien e Famandit. Ai krijon një ambient që simbolizon lidhjen midis muzikës dhe poezisë, një gjetje e mundimshme si mundi i Sizifit, por që gozhdoi rëndësinë e raportit mes poezisë dhe muzikës si vetë kategoria në të cilën emërohet kjo opera – “Pjesë bashkëbisedimi për muzikë”! Kuriozitet më vete është fakti se poezia “Les Amours” e Ronsard-it, kishte gjetur tashmë shumë më herët rrugën e saj muzikale në kompozimet e Antoine de Bertrand (1580 – 82) dhe Jean de Castro (1540 -1600). Sonetet e para nga Ronsard-i, u sollën në muzikë si një shtojcë e vëllimit poetik nga kompozitorët më të rëndësishëm bashkëkohorë të kësaj periudhe.

Sot, këto zhvillime muzikologët frankofonë i vlerësojnë si simbol i përpjekjeve humaniste për qëndrueshmërinë e veprave poetike të Rilindjen franceze duke kombinuar muzikën dhe poezinë.

Prej vitit 2011, e përrethuar në biotopin e fjalës së Lasgushit, kam kohë që bluaj idenë e ngritjes – jo vetëm të një poezie por shumë poezive të tij në një album të vetëm – në nivelin e këngës! Po aq yshtës dhe i rallë është rasti kur – Poeti përkthen Poetin – ndaj dhe poezitë e shqipëruara t