top of page
Search

Nga Eda Zari: ARS LONGA: BEAT-HOVENI TAKOHET ME JAZZ-IN

Fjala magjike është – improvizimi.

Duke ndjekur shembullin e Ludwig van Beethoven – në 250 vjetorin e lindjes.

Ta-ta-ta-taaaa…. Është “riff-i”[1] më titan në historinë e muzikës, paçka se takti i parë, (një triol dhe një gjysmë note, e ngritur në notat – mi dhe sol -) nuk duket shumë premtues. Por, simfonia e 5-të, ose “Schicksalssinfonie” e Beethoven-it (Simfonia e nafakës), është tashmë një mit, një fenomen tingullor për njerëzimin!


Në përfytyrimin popullor, njerëzia vazhdon të mbetet tek ideja se Beethoven karrierën e tij e nisi si kompozitor! Ndërkohë – që të qartohemi, Ludwig u bë i njohur më parë si pianist me famë improvizuese. Bashkëkohësit e tij së pari lëvduan fuqinë e tij improvizuese pianistike ku dominonte fantazia spontane. Gjenialiteti kompozitorial pasoi shumë më vonë, nga çasti kur shtatëvjeçari van Beethoven në vitin 1778 mban koncertin e tij të parë pianistik. Marrim parasysh faktin se në Vjenë (1792), ai u ftua si pianist (madje nuk u lejua të luante literaturën e njohur të kohës) për të demonstruar aftësitë e tij virtuoze në improvizim. Tek hedhim sytë në burimet e tij biografike, vërejmë se Ludwig-u, qysh në moshën trembëdhjetë vjeçare, improvizimin e pat kthyer pasion edhe interpretativ jo vetëm duke luajtur në piano, por edhe në violinë. Pianisti Abbé Josef Jelinek[2], mjaft i famshëm në atë kohë, raporton pas një garë pianistike me Beethoven-in: “Vazhdoj të mendoj për ditën e djeshme! Tek ky i ri jeton Satanai. Kurrë nuk kam dëgjuar dikë të luaj kësisoj! Ai fantazonte mbi temën e dhënë nga unë aq mahnitshëm, sa as vetë Mozartin s´kam dëgjuar të fantazojë”. Carl Czerny[3], konfirmon gjithashtu në kujtimet e tij se improvizimet e Beethovenit shkaktuan zhurmë të “frikshme” interesimi në vitet e para pas mbërritjes së tij në Vjenë. Me pa të voglin dyshim ai qe mjeshtër i një kalibri të panjohur. Shijet e lojës së tij pianistike, dëshmojnë për thyerjen e kufijve të pamundur, duke kërkuar mes tasteve tonet e sakta që i nevojiten pjesës, ashtu si dashuria – shpirtit. Imagjinata e lirë interpretuese ishte një “work in progress”, një kërkesë vetjake artistike, për të kapërcyer madje dhe vetë Ludwig-un. Sidoqoftë, si të gjithë specialistët e konsoliduar, ai kish krijuar kreshmën e tij betoveniane, mbi të cilën liria dhe saktësia interpretuese plotësonin njëra-tjetrën.


Këtë e dëshmojnë fletët e skicave, mbi të cilat Beethoven-i mbante shënime që kishin të bënin me peshën e momentit emocional, si dhe mundësinë e rritjes së efektit pianistik përmes fantazimit spontan.


Dhe për t‘i ardhur më pranë thelbit, vijojnë me çka thekson Beethoven në një prej skicave të tij: „Ju mund të fantazoni vetëm nëse nuk i kushtoni vëmendje asaj që luani, ndaj – më e mira do të ishte, literarisht të fantazoni haptazi – jepini vetes liri të shkojë, luani atë që ju vjen në mendje”[4]. Paçka se kjo tingëllon si një ideal të cilit jo gjithmonë mund t’i shkosh pas, ky shënim i vlen çdo jazzisti edhe dita sot. Për të luajtur korrekt dhe improvizuar guximshëm, Beethoven-i duke qënë edhe një shkencëtar i përpiktë, nuk e lë credon e fantazisë në mëshirë të frymës spontane, pa ndërtuar arkitektura e shkallare kyçe (si në dashuri), pa të cilat nuk ngjitesh apo nuk zbret dot: “Ewig dein, ewig mein, ewig uns”[5] (përgjithmonë yti, përgjithmonë imja, përgjithmonë ne) gjithçka tjetër plotësohet gjatë udhës!


Për shembull, Beethoven-i në faqen tre të skicave të këngës “Sehnsucht”[6], shënon gjithashtu konceptin si mund të kryhet improvizimi: “Në fund të fundit, kënga ndryshon në fugë dhe përfundon me pianisimo […] Në këtë mënyrë, çdo imagjinatë është projektuar e kjo më pas interpretohet në teatër”. Me fjalë të tjera, ajo që bashkëkohësit e tij e përshëndetën si improvizim falë shfaqjes në publik, nuk rrinte pezull nga fryma e shenjtë por bazohej në grupime skelash notative dhe temën e këngës. Mbi këtë armaturë Beethoven-i shtonte dekorime, fermatis ose variacione, emfaza akordesh, frazime ritmike e deklamacione tingujsh që shpiken apo përpunohen kuazi, aty për aty. Teksa vërej se Beethoven-i, është preciz në teknikat e fantazimit, marr shtysë t’i referohem logjikës krej