top of page
Writer's pictureEda Zari

"Vocalise" - Kur flasim pa fjalë. Eda Zari


Me “Vocalise“ Op.34, No.14, Sergei Rachmaninow shkroi një “këngë“ pa tekst, mbështetur vetëm në potencialin e zërit këndonjës. Kjo vepër rri në një regjistër - pjerrak do thoja për shumicën e instrumenteve - siç është violonçeli.


Sa herë dëgjoj versionin e kënduar nga Anna Moffa, më nevoitet ta kthej vinylin për t´i falur vetes pambarimisht një - encore!


“Përse nevoiten fjalët, teksa zëri këndonjës mund të shprehi gjithçka më mirë dhe shumë më tepër sesa dikush mund t´a shprehi përmes fjalës?“ - shkruan Sergei Rachmaninow. Ndryshe thënë; nuk bëhet fjalë për - Fjalën, por për formën më të qashtër, më të tejdukshme që shpirti i transmeton kordave si organi i parë tingullonjës i shpre-hisë më të përsosur njerë-zore. Një vokalize, i mjaftojnë dy deri tre zanore për të përçuar mallëngjim, ethe, tronditje ngashërimë ose më të madhen - dashuri!


Tek - Vocalise - përqëndrohem vetëm në rrjedhën e një mrekullie vokale, kantabile, melodioze. Aty nis e më kënaq kuptimi i tingullit nazik harmonik. Janë pianisimot e Annës me vibrato herë të murme herë të qelqta (pothuajse të dërguara nga hamëndësia ime - se toni ende nuk është tretur), linjat që janë qëndisur dhe dedikuar për natyrën e vokalit të një këngëtareje me kantilenë dhe teknikë diafragme të përsosur, ... me gjasa, “fajtor“ është nuri i pafund i melodisë!


Një kënge që coda nuk i zgjidhet menjëherë në tonike, ajo të ngre lartë emocionalisht, të lë bukurisht n´hava, në pritje! Kështu që, tërheqja e një note themelore është shpesh loja shejtane artistike, ngulitja notative në një linjë melodie të zgjatur, qofshin ato të “të kontrolluara" nga poshtë ose nga lart kënduar...!


Rachmaninow, vetë ishte një interpretues i esëllt, një krijues nga ai soj i kompozitorëve safi, që kanë çelikosur identitetin personal muzikal. Veprat e tij nuk janë aspak nga ç'mund të interpretohen sot romantikisht dhe me empati ngarkuar - sidomos empatia statike e evropës perendimore.

Ndryshe nga shumë bashkëkohës, të cilët i ishin bashkuar idiomës romantike të konceptimit muzikor, Rachmaninow interpretoi veprat e tij dhe të huaja në një mënyrë të caktuar dhe tepër moderne.


Ai kaloi 25 vjet në emigracion. Njerëzit shkruanin për të se ai kishte stopuar së shkruari muzikë larg vendlindjes. Citati i tij përmendet shpesh: “Pasi u largova nga Rusia, mu shojt dëshira për të kompozuar. Me humbjen e strehës sime, unë humba veten. Një person i për-shkulur që ka humbur rrënjët, traditat dhe tokën e shtëpisë së tij i mungon dëshira për të krijuar, ai nuk ka kundërhelm tjetër përveç fjalës së pathyeshme të kujtimeve të veshura me mjegull.“

Më krijon vaj të brendshëm ky citat, ndaj më pëlqen të mendoj se -Vocalise - ështe e pafjalta e mallit dhe e kujtimeve të Sergeit!


© 2020 I Eda Zari I Të gjitha të drejtat të rezervuara!





408 views

Comments


bottom of page