Edhe Hitleri e shpalli 1 Majin "Ditë Kombëtare të Punës". Nga Eda Zari
- Eda Zari
- 1 day ago
- 5 min read
Në kujtimet e mia të fëmijërisë në Tiranën e viteve 70-80, si vajzë - 21 Dhjetori, 1 Maji ishte një ditë ngjyrash, marshesh – ishte 1 Maji i ritmit unison të këmbeve “në një hap bashkuar” të njeriut socialist.
Më kujtohet vetja e vogël, me çorapet e bardha të ngritura deri tek gjuri, e veshur me fustanin tim të kuq më të bukur dhe me dy kordhele që zbukuronin flokët. Sandalet e bardha ishin gati për "aventurat" e pardites dhe pasdites, kur dilja me tim atë për vizita tek të afërmit, e në vitet më pas shpesh shkonim për piknik buzë liqenit, ku atmosfera festive ndihej kudo.
Mëngjesi i 1 Majit niste herët, pa gdhirë mirë ora pesë, kur zhurma e bandës së ushtrisë që dominohej nga tingulli “Tubës” përshkonte Rrugën e Kavajës me ritmin 4/4. Tingujt e fanafarës dhe marsheve të panjohura krijonin një atmosferë marciale. Pa zbardhur, autobotet lanin me kujdes asfaltin, sikur të përgatisnin tapetin e kuq për një ngjarje të madhe. Në kryqëzimin e 21 Dhjetorit, pamja merrte një kreshento gjithnjë e më mbresëlënëse.
Kolektivët e ndërmarrjeve kryqëzoheshin me ngut tek 21 dhjetori, duke mbajtur në duar letra të kuqe e të bardha, dhe kurora të punuara me delikatesë nga letra plise dhe ajo e rrudhosur kineze. Këto krijime shpesh merrnin formën e trëndafilave të lidhur me tel bakri, mbuluar me letra të gjelbra, që dëshmonte për një “artizanat” të ritualizuar. Nga dritarja e shtëpisë sonë, ngjitur me berberanen e 21 Dhjetorit, ky film zhvillohej para syve të mi. Uniformat e vajzave dhe djemve të gjimnazit, si dhe veshjet e studentëve, dukeshin aq të rregullta dhe të kuruara, sikur të ishin skalitur në akull.
Më ndërmendet im atë në dhomën ku luanim domino, nga ana e rrugës; me kanotjeren e tij të bardhë, me furçën e shkumosur në fytyrë, duke u rruar me qetësi, ai hidhte një shikim të shpejtë pas perdes dhe, me një buzëqeshje të pa definuar, thoshte: "Nuk e di si do t'ia dalin ata të repartit tim sot në paradë!". Kishte një lloj meraku në zërin e tij, pavarësisht ironisë së lehtë.
Rreth orës dhjetë, përmes televizorit ("Iliria") ndiqnim parakalimin; Tribuna, fjalimet solemne, pionierët që përqafonin "Xhaxhin", brohoritjet e turmës – bashkë me zërin aq familjar të kronistit dhe gazetarit aq të dashur Alfons Gurashi, gdhendën në kujtesën time ritin e përvitshëm.

Edhe pse ishte kohë diktature, ajo që mbaj mend është se njerëzit ishin bashkë. Kishte një ndjenjë kolektive, një sebep të përbashkët për të festuar. Kjo ditë, përtej ideologjisë, ishte edhe një mundësi për të dalë, për t'u veshur bukur, për të dukur bukur, për t´u takuar me miq dhe familjarë, dhe për të ndjerë njëfarë gëzimi në gjitonëri. Përpos kësaj më vonë në të 15´tat e mia 1 maji ishte mundës për të vallzuar me sandale me taka kryqëzuar rreth këmbëqafës. Këto janë ngjyrat dhe ndjesitë e 1 Majit në sytë e mi të fëmijës, kujtime që edhe sot ruajnë një lloj ngrohtësie të shenjtë.
Ky mall i sotëm nuk është thjesht një kthim në kohë, por një dialog i vazhdueshëm mes vetvetes së dikurshme të pafajshme dhe vetvetes së sotme të ndërgjegjshme. Ajo gjerësi prej 35 metrash e Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" në Tiranën e fëmijërisë sime, tani e kuptoj, nuk ishte thjesht një zgjatim i kotë betoni. Ato metra të zbrazëta dukeshin sikur ishin krijuar enkas, si një skenë e madhe e projektuar për një spektakël të caktuar: paradën e 1 Majit. Aty, përpara syve të mi fëminor, defilonin me pompozitet; komiteti qendror, ministritë, të gjitha institucionet madhështore të shtetit, duke shpalosur fuqinë e tyre të dukshme nën ritmin e marsheve ushtarake apo koloraturat e introduksionit të këngës "Për ty atdhe". Megjithatë, në kujtesën time, ato 30 e ca metra mbeten të lidhura ngushtë me atë imazh të fuqishëm të 1 Majit të dikurshëm, kur bulevardi dukej sikur merrte frymë vetëm për atë ditë, duke u mbushur me solemnitetin e imponuar të pushtetit.
Nën shtypjen e diktaturës, ironikisht, lulëzonte një intimitet njerëzor i shtuar, një nevojë e përbashkët për ngrohtësi dhe lidhje nën hijen e kontrollit. Unë fëmija i paprekur ende nga pesha e ideologjisë, përjetoja botën përmes filtrit të dashurisë familjare dhe lidhjeve të ngushta, duke e perceptuar diktaturën si sfond të pakuptueshëm të jetës së përditshme.
Malli i sotëm nuk është thjesht nostalgji për lojërat dhe pafajësinë, por edhe për atë ndjenjë të fortë të komunitetit të mbijetesës, ku njerëzit mbështeteshin tek njëri-tjetri në mungesë të lirisë individuale.
Sot, e shoh atë festë me një tjetër sy që patakset kur mendon mbi origjinën e 1 Majit, për grevat e punëtorëve që kërkonin “8-orarshin njerëzor”, për masakrat që ndodhën në emër të drejtësisë. Më vjen ndërmend fraza e vjetër romake, "pane et circenses" – bukë dhe lojëra – mjeti i përsosur i çdo pushteti për të mbajtur masat të qeta dhe të kontrolluara. Diktaturat, siç e dinim mirë në Shqipërinë e asaj kohe, e kishin zotëruar artin e shndërrimit të ideologjisë në festë, të detyrimit në spektakel.
Ironia e historisë është e hidhur. Një ditë që lindi nga lufta për të drejtat e punëtorëve, u përdor nga regjime totalitare për të maskuar shtypjen dhe mungesën e vërtetë të lirive. Edhe Hitleri, ai që shkatërroi sindikatat e pavarura dhe e instrumentalizoi çdo aspekt të jetës për propagandën e tij, dhe në vitin 1933, shpalli 1 Majin "Ditë Kombëtare të Punës". Një tallje cinike me vetë esencën e kësaj dite. "Arbeit macht frei" (puna të çliron) ishte një gënjeshtër monstruoze, e gdhendur me hekur mbi portat e kampeve të shfarosjes si Auschwitz dhe Dachau. Aty, puna nuk çlironte, por shkatërronte, dehumanizonte dhe në fund vriste. Ndërkohë, Hitleri, i cili orkestroi këtë sistem mizor shfarosjeje, dekreton 1 Majin si një ditë feste për të nderuar "punën dhe punëtorët” duke e shpallur 1 Majin një festë zyrtare, Adolfi nuk po nderonte sakrificat e grevave të Haymarket apo aspiratat e internacionales socialiste. Ai po krijonte një fasadë, një festë të kontrolluar nga shteti, ku "puna" nuk ishte një burim i shfrytëzimit, por një detyrë "fisnike" ndaj kombit, e definuar dhe e udhëhequr nga ideologjia naziste.
Ironia është e thellë sepse e njëjta ideologji që shpalli punën si çlirimtare në hyrje të ferrit tokësor, e përdori atë "ditë feste - pushimi" të punës si një mjet tjetër për të kontrolluar dhe mashtruar popullatën e tij. Është sikur kasapi të festojë ditën e thikave. Hitleri zgjodhi rrugën e djallit: atë të përvetësimit të simbolit të tyre më të rëndësishëm.
Mirëpo, ironia historike qëndron, në faktin se një diktator e institucionalizoi këtë ditë, dhe ajo ka mbetur një ditë pushimi në Gjermani edhe pas rënies së regjimit të tij. Kjo mund të shihet si një paradoks interesant, por interpretimi dhe rëndësia që i jepet sot 1 Majit në Gjermani është thelbësisht i ndryshëm nga ajo që i jepej gjatë periudhës naziste. "Mirënjohja" e sotme shkon më shumë për arritjet e lëvizjes punëtore gjatë historisë sesa për dekretin e një diktatori.
Sot, me këtë kujtesë të dyfishtë – ëndrrën naive të fëmijërisë dhe realitetin e hidhur të historisë – uroj një 1 Maj të ndërgjegjshëm. Një ditë ku të kujtojmë sakrificat e atyre që luftuan për të drejtat tona, por edhe të reflektojmë se si pushteti, në çdo formë, tenton të veshë maska festive për të fshehur fytyrën e tij të vërtetë. Ndoshta, më shumë se kurrë, sot duhet të jemi vigjilentë ndaj "bukës dhe lojërave" të epokës sonë, dhe të kërkojmë thelbin e vërtetë të lirisë dhe drejtësisë, përtej parullave dhe festimeve të dirigjuara.
1 Maj 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Eda Zari
Comentários