"Orgji"- Else Lasker-Schüler
top of page

"Orgji"- Else Lasker-Schüler


Orgji

nga Else Lasker-Schüler / Deutsche Lyrik (shkruar më, 1910)

Në Shqip: Eda Zari


Mbrëmja puthte fshehëzash

të bleruarin Oleander.

Lodruam dhe ndërtuam tempullin Apollon

Dhe u kalamendem mallpërplotë me shoqi-shoq.

Dhe qiellnata zbrazi duhmën e tij të zezë

thellë valëve të enjtura të ajrit zagushor,

Dhe shekujt u fundosën

Dhe u shtriqën

Dhe sërisht u rreshtuan të artë përsëpërpjeti

Si kurth yjesh farkëtuar.

U harlisëm me fatin e lumur,

Me pemurinat e parajsëmait,

Dhe në arin e ashpër të flokëve t´ua të kërleshur

Këndoi thellazi malli

Ulërimë,

Si zogziu i xhunglës.

Dhe qielli rinor ra poshtë,

Padukshëm, ashpërëmbla erërat;

I grisëm rrobet

Dhe klithëm!

Dehur nga mushti i frymëve.

Qëndisem me jetën tënde,

Derisa në ty e tëra shkrihem,

Dhe përsëritshëm marr trajta

Dhe përdytur shkrihem.

Dhe dashuria jonë brohoriste Këngë,

Dy simfoni të tërbuara!



Orgie

Der Abend küsste geheimnisvoll

Die knospenden Oleander.

Wir spielten und bauten Tempel Apoll

Und taumelten sehnsuchtsübervoll

Ineinander.

Und der Nachthimmel goss seinen schwarzen Duft

In die schwellenden Wellen der brütenden Luft,

Und Jahrhunderte sanken

Und reckten sich

Und reihten sich wieder golden empor

Zu sternenverschmiedeten Ranken.

Wir spielten mit dem glücklichsten Glück,

Mit den Früchten des Paradiesmai,

Und im wilden Gold Deines wirren Haars

Sang meine tiefe Sehnsucht

Geschrei,

Wie ein schwarzer Urwaldvogel.

Und junge Himmel fielen herab,

Unersehnbare, wildsüße Düfte;

Wir rissen uns die Hüllen ab

Und schrieen!

Berauscht vom Most der Lüfte.

Ich knüpfte mich an Dein Leben an,

Bis dass es ganz in ihm zerrann,

Und immer wieder Gestalt nahm

Und immer wieder zerrann.

Und unsere Liebe jauchzte Gesang,

Zwei wilde Symphonieen!


Në Shqip: Eda Zari, 10.05.2020 Düsseldorf

Ilustrimet:1- Grafika me titull "Pajtimi" nga F. Marc. 2 - Kartolinë nga F. Marc për Schüler.

Shënime: Else L. Schüler lindi më 1869, në një familje gjermano-hebree, në Wuppertal- Gjermani. Krahas poezisë dhe vjershërimeve me lutje të thella fetare, vepra dhe poezia e da-shurisë zë një hapësirë ​​të madhe në punën e Else Schüler. Por prapëseprap, lidhjet mes këtyre dy natyrave poetike rrjedhin të njëtrajtshme. Në veçanti, vepra e saj e mëvontë është e pasur me motive biblike dhe kulturë orientale. Por pena e Lasker-Schüler është e hapur, madje shumë e çliruar nga rregullat e formës poetike të kohës. Gjithashtu, ajo është moskokëçarse dhe nuk trembet të krijojë “Neusprache“ (gjuhësi të re) për poezinë e saj. Personalisht, me poezinë e Else Lasker, sikunder quhej; një “wunderkind“ (fëmijë i mbinatyrshëm; me katër vjeç dinte të lexonte dhe shkruante), u njoha duke lexuar biografinë e piktorit Franz Marc. Midis Princ Jussuf von Theben (pseudonimi i Else Lasker-Schüler) dhe Blue Rider (Franz Marc) deri në verën e 1914 ka patur një korrespondencë mjaft të gjallëruar. Nga kartolinat përshëndetëse private dhe letrat e pikturuara me dorë, 66 janë ruajtur dhe shkruar nga Else Lasker-Schüler, dhe 28 nga Franz Marc. E përveçmja e kësaj miqësie qëndron tek "talenti i dyfishtë“ i të dyve: Ashtu siç na paraqet Franz Marc në kartolinat dhe letrat e tij përtej pikturës edhe piktorin poetik, Else Lasker-Schüler jo vetëm që përgjigjet në letrat e saj me një gjuhë të epërme poetike, por ajo është një ilustratore që vizaton mrekullisht. Me veprën poetike "Meine Wunder" (“ Mrekullia ime“, 1911) Schüler u rradhit ndër figurat udhëheqëse të poezisë ekspresioniste gjermane.


© 2020 Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


184 views

Recent Posts

See All
bottom of page