Ennio Morricone - Me vdekje, vdekjen shkeli…
....dhe përjetësisht muzikën kësaj bote i fali!
Ishte 18 shkurti i vitit 2016.
Lanxess Arena- Këln.
E quaja veten me fat atë natë por sot ca më shumë!
Gati 10.000 frymë - në parket, tribuna, galeri dhe lozha, prisnin pezull legjendën që mbërriti në skenë - pa bori trumbetuese, tellall moderatori apo efekte a la “Pop Star“!
Maestro afrohet në meskenë me hapa modest, të urtë por të kujdesshëm. Teksa ngjitet në podiu-min e dirigjentit, në skenën gjigande (pa mure ledesh që të çatrafillosin syrin) në trini seksio-nesh, qëndronte Orkestra Kombëtare Simfonike e Çekisë, si dhe dy kore mikse; Kori Kodály, dhe ai i Operës Kombëtare Csokonai nga Hungaria. Kompozitori më i lëvduar i kinemasë botërore përshëndeti publikun euforik (që s´pushonte nga ovacionet), me një buzëqeshje të kursyer -aspak nga ato buzagazet klishe italiane - por të përzemërt, na bëri shenjë të sosnim e të zinim vend.
Falë sqimatarisë konceptuale dhe motos “simpel is more“ të Morricones, në sfondin blu nuk qe vendosur “cinematic big screen“ - siç ndodh rëndomë në k´si kombinimesh - medemek për të ilustruar muzikën. Muzika e Morricones josh dhe asimilohet shpirtërisht pa u argumentuar nga paradigmat vizuale filmike. Me këto mejtime u ula për të shijuar - ashtu përsëmbari kur i thonë!
Mjeshtri kish bër një përzgjedhje të zgjuar duke e ndarë programin e koncertit në - Tema Suitash. Muzika ishte tingulli dallues që përkundte dhe shtynte kujtesën e publikut ndër skena filmash pafund!
Morricone çel koncertin me një homazh dedikuar regjizorit Giuseppe Tornatore. Suita e filmit "Legjenda e 1900-ës“ nis me solon e harpës… Arena fiton bollëk prej timbri shprese, ëndrrash, dhe ajër prej dashurie ende të panjohur! Orkestra përtej unifikimit muzikal, i përcillte publikut tufëzime pupuriqëse tingujsh, herë sferik, herë të brishtë, teksa koret këndonin si të ishin zëra mitik që shpëtojnë prej pylli magjik. Mirëpo, teksa shijoja suitën e parë më zu “paniku“, ashtu si pushton frika e çdo lumturie absolute kur kupton se - është absolute! Ndjeva se nuk doja të mbaronte orkestra, koret, muzika… Ennio t´mos soste së dirizhuari! Isha në kundërshti ndaj fundisë së çdo suite t´pa filluar…
Më kumbonte dehtazi përbrenda (pa ardhur çasti), ushtria e harqeve tek vargskenat e puthjeve solemne tek “Cinema Paradiso“; flauti që rimerr temën e dashurisë e më pas solo pianistike që pështillet në t´kadiftën e kotrabaseve, pasuar nga klarineta që i shton peshën emocionale ndarjes, humbjes, rigjetjes së vonuar. Dhe mbrritën ato tinguj. Morricone nisi të dirizhoj suitën e “Childhood - Mannhood“. Të gjitha skenat e filmit mbështeten në zgjerimin gradual të temës së Totos, duke transferuar linjën melodike nga solo e violinës, tek flauti, në saksofon alto, dhe coda që kurorëzohet nga seksioni i frymorëve të drunjtë dhe piano.
Më tej suita e “Maléne“ - atypari m´u fanepsën vështrimet djaloshare mbi fustanin e Malénës, nën të cilin ecnin dy vija getash pas pulpash llaftari, teksa soloja e oboes (instrumenti i preferuar i Ennios) lante mendimet mëkatare të djaloshit me faqe ende pa zënë brisku, teksa rrinte përgjunjur tek këmbët e saj në pragdere!