top of page

Nga“Jashtë ICE!” te “Albania is not for sale”: Kur muzika globale përplaset me realitetin tonë. Nga Eda Zari

“Nuk dua të iki nga këtu,

Kjo është shtëpia ime.

Ata duan t´na marrin lumin,

Duan t´na marrin dhe plazhin.

Na lanë në errësirë, dritat ikin sërisht,

Por ne jemi drita që nuk fiket kurrë.

Kjo tokë është e jona, s´është në shitje,

Edhe nëse ata vijnë me miliona e dokumente,

Ky diell është i imi, ky det është i imi.

 

Çfarë i ndodhi Hawaii-t?

E morën dhe e kthyen në hotel.

Tani duan të bëjnë të njëjtën gjë me ne.

Por ky është shteti im, ky është populli im,

Jashtë të huajt që duan t´a blejnë!

Ne jemi ata që jetojmë këtu, Ne jemi ata që vuajmë këtu.

Ju që vini vetëm për të marrë pa dhënë asgjë:

Mblidhni valixhet, se ky vend ka zot!”


A po ndodh kjo me Shqipërinë?


"El Apagón" është titulli i këngës së Bad Bunny-t (pjesë e albumit të tij të suksesshëm Un Verano Sin Ti) homazh për Porto Rikon, ku shpjegohet historia e kolonizimit të Hawaii-t dhe shfrytëzimit të Porto Rikos. Në fund të kësaj kënge, muzika ndalet dhe dëgjohet një pjesë manifesti i kënduar nga Gabriela Berlingeri, ku thuhet pikërisht:

"Yo no me quiero ir de aquí..." (Unë nuk dua të iki nga këtu...)


Aty bëhet krahasimi i drejtpërdrejtë se si po përpiqen ta kthejnë Porto Rikon në një vend vetëm për turistë e resorte luksoze, duke bërë të njëjtën gjë që i ndodhi historikisht Hawaii-t.


Askush nuk largohet sepse do!

Pikërisht sepse buron nga kjo dhimbje, kjo këngë ngre peshë e shndërrohet në një himn për të gjitha tokat që u është mohuar drejtësia, si dhe për njerëzit që u janë nënshtruar dhunës dhe zhvendosjes. Venezuelianët, kubanezët, nikaraguanasit, kolumbianët, haitianët, etj...


Dhe kthej syte tek “revolucioni i flamingove”… po ne, a po na merren lumenjtë, plazhet, perëndimet e diellit pas malit deri tej në horizont të detit?

A jemi ne Hawaii i radhës?

Nga perspektiva e artistit, them se pse folklori i Bad Bunny-t është protesta dhe paqja që i mungon botës dhe një “dong-dong” këmbane që vjen der´tek ne!

Mirëpo çfarë ka në gjenetikën e tingullit, ritmit dhe asaj që rëndom e quajmë “world music”, pikërisht atëherë kur fjalët dështojnë dhe muret lartohen, arrin t’i bëjë njerëzit bashkë?

Pse një e shtënë në një konga tradicionale apo një melodi e hershme e fshatrave karaibe arrin të shpojë tejpërtej botën tonë plastike, të ngopur me ritme artificiale dhe algoritme të ftohta?


Fundjava e 20-21 qershorit solli në "Merkur Spiel-Arena" të Düsseldorf-it dy netë elektrizuese me mbi 50,000 spektatorë, pikërisht në kohën kur në bulevardin e Tiranës mijëra zëra thërrasin çdo pasdite “Albania, is not for sale ”.


Protestat e qershorit në Shqipëri


Ky artist portorikan dëshmoi në mes të Evropës aftësinë e tij unike për të bashkuar kulturat përmes një mozaiku këngësh plot ngjyra, duke treguar se muzika e tij nuk është thjesht një ftesë për kërcim, por një manifest i vërtetë identiteti. Rezonanca e suksesit të tij nuk gjendet te mesazhi i një paqeje utopike, si krem rozë mbi koktein - "të duhemi të gjithë". Përgjigjia e tij gjendet tek nevoja dëshpëruese për sinqeritet. Dhe këtë paradoks sot për sot e mishëron ultra bukurisht Benito Antonio Martínez Ocasio - i njohur globalisht si Bad Bunny.

Ndërsa ngjitej drejt majës - në Santa Clara, kur dritat e Super Bowl-it u ndezen, Benito, djaloshi që dikur paketonte qese në një supermarket të Porto Rikos, do t'i dëshmojë botës se muzika e vërtetë e popullit nuk zbutet dot nga rregullat e pushtetit. Ajo mund të vishet me xhaketa Gucci dhe të kërcehet nga 80,000 veta, por në thelb, mbeten po ato bongo të vjetra, po ato fusha me kallam sheqeri, ata gjyshër që luajnë domino tek kafja lagjes, po ato vajza që zbukurojnë thonjtë dhe i japin hijeshi komshillikut, po ato këngë që ritmojnë për të thënë: "Ne jemi këtu, dhe nuk kemi ndërmend të ikim".


Bad Bunny live - Düsseldorf

Por sytë e planetit nuk ishin vetëm te finalja e madhe e Super Bowl-it. Vëmendja u zhvendos krejtësisht te njeriu që guxoi ta kthente skenën më komerciale të rruzullit në një megafon etnik. Bad Bunny, artisti më i dëgjuar i globit i cili sapo kishte rrëmbyer çmimin Grammy për albumin e vitit tërësisht në spanjisht, „DeBÍ TiRAR MáS FOToS“ (m´ish dashur të bëja më shumë foto) - bëri një gjest të pashembullt. Teksa ngjitej në skenën e ngrirë aristokratike të industrisë amerikane, ai deklaroi prerazi: “Para se të falënderoj Zotin, them: jashtë ICE!”, duke goditur drejtpërdrejt agjencinë famëkeqe të emigracionit në SHBA dhe duke e shndërruar sallën luksoze në një barrikadë të vërtetë proteste.


(Foto: Album cover "Debi Tirar Mas Fotos")


Përmes pengut për fotot që nuk u bënë kurrë, Benito nuk flet thjesht për një dashuri të humbur, por për vetë pamundësinë e njeriut modern për të ndalur rrjedhën e kohës dhe për të hedhur spirancën e lumturisë dhe ankoruar në vlera. Ai ka refuzuar të mbajë qoftë edhe një koncert të vetëm në Usa gjatë turneut të tij botëror, në shenjë proteste ndaj politikave të ashpra të migracionit. Të kesh fshirë qëllimisht tregun më fitimprurës në botë, SHBA-në, nga turneu yt botëror vetëm që fansat e tu pa dokumente të mos rrezikojnë kontrollin apo arrestimin në radhët e hyrjes së stadiumeve, kjo tregon se suksesi i tij nuk është thjesht çështje shifrash. Është qëndrim, aktivizëm, një kauz plot dinjitet njerëzor.


Nga pikëpamja etnomuzikologjike, lëvizja e Bad Bunny-t është një rikthim monumental tek origjina. Vetë fjala folklor nënkupton kujtesën e gjallë të një komuniteti. Në albumin e tij të gjashtë, ai bën diçka gjeniale duke marr reggaeton-in - një zhanër shpesh të akuzuar për vulgaritet industrial dhe hiper-seksualizim, ai i bën një transfuzion gjaku muzikës folklorike portorikane, me stilet rurale, afro-karaibike dhe ritmet salsa. Parë nga perspektiva ime si artiste, kjo quhet sinkretizëm aktiv. Ky “lepurash i keq” nuk po prodhon thjesht beat-e për t'u konsumuar në TikTok, ai po përdor organologjinë e ishullit të tij për t’i thënë publikut: kjo lëvizje i ka rrënjët në djersën artizane të artistit, jo në AI, as anonimitet!


Ndonëse nuk e njoh spanjishten, muzikën latine sidomos atë kubane, portorikane, braziliane etj. e adhuroj.  Stili i saj i arranxhimit - sidomos ajo performancë organike dhe akustike e Bad Bunny-t në Tiny Desk, ku reggaetoni zhvishet nga efektet dhe mbetet te rrënjët më ngazëllen. Por, dëshira për të kuptuar se çfarë fshihej pas këngëve më shtyu të gërmoj në tekstet e tij.


Aty zbulova se përtej rebelimit sipërfaqësor dhe zhargonit të rrugës, esenca e tij krijuese meriton respekt total. Në rrafshin muzikologjik, ai arrin të bëjë bashkë avangardën urbane me folklorin tradicional, ndërsa në rrafshin letrar, ai shndërron të përditshmen dhe zhargonin në një gjuhë politike rezistence. Është pikërisht ky dualitet që të detyron t'i heqësh kapelen.


Pikërisht aty ku tradita rurale vizatohet mbi ritmet urbane, publiku në stadiumin e Düsseldorf-it përjetoi fundjavën e kaluar një natë magjike, një bashkim epokash, ku "BB" ndërtoi një urë ndërbreznore mes rinisë dhe traditës, mes Evropës dhe Karaibeve.


Miqtë e mi, ne jetojmë në epokën e paradoksit të madh ku kulturat e botës po shkrihen në një kusi të përbashkët digjitale, por urat e vërteta të dialogut mes njerëzve po humbin.


Mesazhi i dashurisë që përcjell muzika e Benitos nuk është ftesë për një përqafim pacifist, por një paqe e kërkuar përmes dinjitetit. Kur ai këndon në këngën “Lo que le pasó a Hawaii”: “Ata duan të na marrin lumin, dhe plazhin po se po“, ai bën atë që folklori ka bërë që në krye të herës - kronikën e rezistencës kundër gjentrifikimit dhe kolonializmit. Portorikanët janë qytetarë amerikanë që nga viti 1898 (pas aneksimit), por trajtohen si qytetarë të dorës së dytë që nuk kanë të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale. Për këtë arsye folklori i tij bëhet "pashaporta" e atyre që u është mohuar zëri.

Benito vendosi të gërmojë thellë në rrënjët e muzikës latine, të cilat janë shumë më komplekse se thjesht ritmi “tun-kituki-tun” - plena, bolero, salsa, son... Ai u bë bashkë me një historian duke vënë gishtin e shpjegimit mbi historinë e errët të Porto Rikos. Së bashku me C-Tangana-n dhe këngëtarë të tjerë të kësaj rryme, ai po rikthen, sipas meje, pikërisht një "Buena Vista Social Club" të ri për epokën moderne. Nëse grupi legjendar kuban Buena Vista Social Club në fundin e viteve '90 i tregoi botës se Kuba nuk ishte thjesht një ishull i izoluar politikisht, por një thesar i gjallë i zhanreve si son, bolero dhe danzón, Benito po bën saktësisht të njëjtën gjë për Porto Rikon dhe mbarë Karaibet sot. Dallimi i vetëm, por jetik, është se ai po e bën këtë nga pozita e artistit më të madh të rrymës mainstream në planet.


Protestë dhe Festë

Në studimet e folklorit muzikor, ekziston një rregull i artë - vallet e luftës dhe vallet e korrjes janë shpesh i njëjti çap, veç me tjetër ritëm. Festimi dhe protesta nuk janë armiq të njëri-tjetrit, ato janë dy fytyrat e së njëjtës medalje. Ndaj i kthehem sërisht momentit kur Bad Bunny tek Grammy Award tha: „Para se t'falënderoj Zotin, them: jashtë ICE!“ – por fjalët e tij pasuese ishin thelbi i etnomuzikologjisë humaniste:

"Ne nuk jemi të egër, nuk jemi kafshë, nuk jemi të huaj. Ne jemi njerëz, dhe jemi amerikanë."


Kur shohim Shqipërinë sot, në ditën e saj të 24-rt / 25-të radhazi të protestave, ku njerëzit kanë dalë në sheshe dhe rrugë kundër varfërisë, mungesës së perspektivës, pro lumenjeve, trashëgimisë natyrore, kundër shpopullimit, vargjet e Bad Bunny-t pushojnë së qeni thjesht një këngë nga Karaibet. Ato kthehet në një pasqyrë të realitetit shqiptar.


"Lumi dhe plazhi" i Bad Bunny-t në Shqipëri janë asetet publike të tjetërsuara.

Pra pikat më e dhimbshme ku Shqipëria e sotme  takohet me manifestin e Bad Bunny-t është tema e emigrimit, natyrës, dinjitetit. Artisti portorikan ia kushton çmimet e tij "të gjithë atyre që u desh të linin shtëpitë për të ndjekur ëndrrat", ndërkohë që kënga ushton:


"Nuk dua të iki!".

PRANDAJ - mjafton të kthejmë sytë nga sheshet tona në këtë dritë të ditës së 25-të, sepse këngën më të bukur të dinjitetit dhe të shpresës për veten, sot po ja thotë Shqipëria.

 

Comments


  • YouTube
  • Instagram
  • Facebook
  • Spotify
  • iTunes
bottom of page