• HOME

  • PALIMPSEST

  • MUSIC

  • VIDEO

  • BLOG

  • CONTACT

  • More

    Use tab to navigate through the menu items.
    • Eda Zari
      • Apr 14, 2021
      • 1 min read

    Me cilën lipset të dashurohem. Heinrich Heine

    Me cilën lipset të dashurohem ... Heinrich Heine (Vepra të ndryshme)


    Me cilën lipset të dashurohem Meqë të dyja hirplota janë?

    Një femër kokonë është poaq mëmë E bija një nurndritura evlat.


    Të bardhët, kërthinjë të pangarë Ju jeni kaq thirrës për t´u parë!

    T´atillë joshës janë sytë vezullimë, Që butësinë tonë e kapërdijnë.


    Me ngjet zemra me trumhasurin gomarë Që mes dy trumba sanë gajretshëm bluan, nga të dyja cila Është sanë më e mira.

    ---- In welche soll ich mich verlieben ... Heinrich Heine (Verschiedene Werke)


    In welche soll ich mich verlieben, Da beide liebenswürdig sind? Ein schönes Weib ist noch die Mutter, Die Tochter ist ein schönes Kind.


    Die weißen, unerfahrnen Glieder, Sie sind so rührend anzusehn! Doch reizend sind geniale Augen, Die unsre Zärtlichkeit verstehn.


    Es gleicht mein Herz dem grauen Freunde, Der zwischen zwei Gebündel Heu Nachsinnlich grübelt, welch von beiden Das allerbeste Futter sei.


    (Në Shqip: Eda Zari)

    Foto nga filmi "Lolita"- 1962





    • Art
    • •
    • Music
    76 views0 comments
    • Eda Zari
      • Jan 16, 2021
      • 7 min read

    Xhazi ne Liturgji

    Soli Deo Gloria” a la John Coltrane

    Potenciali liturgjik i muzikës xhaz dhe paragjykimi i muzikës xhaz në terrenin kult

    Psalmi 150, 3-6:

    Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste. Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë. Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese. Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.

    Komunikimi midis Perëndisë dhe njerëzve në rrjedhën biblike paraqitet vazhdimisht përmes kontaktit muzikor. Rreth 800 vargje të Biblës përmendin në mënyrë eksplicite termin muzikë. Sido të kenë tingëlluar fjalët e përdorura nga Eva dhe Adami, a ka ndonjë dyshim ndaj dëshmive biblike që ata i këndonin fjalët e tyre? Qysh prej zanafillës së njerëzimit, lidhja e muzikës me fenë dhe Kultin është e pandashme, sepse fjala e Zotit nuk mund të skalitet dhe mësohet me forcë, ajo duhet ëmbëlsisht të tingëllojë brenda shpirtit dhe mendjes së njeriut! Muzika duket se ka qenë një tipar i vërtetë i krishterimit. Plini i Riu(1), në letrat dhe kronikat e tij të cilat sot janë një burim i rëndësishëm historik, e konsideroi veçanërisht me rëndësi të theksonte se kulti i ri në Lindjen e Mesme kishte një lidhje të fortë me muzikën dhe formën e riteve: “Ata janë mësuar të takohen me njëri-tjetrin në një ditë të caktuar para agimit dhe të alternojnë kolektivisht me vegla e zë, një këngë Perëndie”.

    Muzika dhe besimi kanë një ngjashmëri të pashmangshme mes tyre, duke plotësuar njëra-tjetrën. Besimi larton sigurinë për shumëçka shpresojmë. Besimi është individual dhe dëshmi e një dimensioni shpirtëror, të cilin nuk e shohim por e ndjejmë! Po aq abstrakte, shpresëdhënëse, dëshmuese është dhe muzika. Muzika dhe besimi, kjo binjakësi mirëbërëse, përcakton fuqinë tonë jetësore, rimëkëmb gjithëhera shpirtin njerëzor. Sa më shumë mendoj për këtë, aq më fort më angazhon pyetja: përse duket e pamundur ecja me Zeitgeist-in dhe dinamikat e sotme kulturore, tek madje vetë kreu i kishës katolike Papa Françesk bën thirrje për muzikë të shenjtë, më moderne për zemrat e bashkëkohësve tanë? Pse në Shqipëri paragjykohet kur luhet muzikë në kishë, sidomos muzika xhaz tek interpretohet në mjedise fetare me instrumente? Kur do të distancohemi nga klisheja se xhazi dëgjohet në zhytjet me tym në orët e vona, aty lëkundet djepi i mëkatit?

    Shpesh dëgjojmë të flitet nga ky rrafsh paragjykues e kokëfortë. Por si lidhen religjioni, xhazi, dhe kisha me njëra-tjetrën? Si ndikojnë hapësirat e kishave në gjuhën e xhazit?

    Së pari këtu duhet dhënë një përmbledhje e shkurtër historike. Me sjelljen e skllevërve nga Afrika në Amerikë, u soll edhe esenca e trashëgimisë kulturore, shoqërore dhe muzikore, e cila u ngjiz me traditat fetare muzikore evropiane që patën ndikuar kontinentin e ri asokohe, duke krijuar një multikulturalitet. Në kulturën afrikane, muzika është e lidhur drejtpërdrejtë me tërë jetën shoqërore dhe adhururese.Thirrje-përgjigjet komunikuese mes tyre ishin praktika tipike shprehëse, ku fjala ritmonte me linja vokale, perkusive e vallëzuese. Meloditë afrikane u ruajtën nën të ashtuquajturën “Tingulli origjinal i thirrjeve dhe lavdërimeve”, ku përmblidheshin këngët shpirtërore dhe ato të punës. Modi afrikan nuk mund të kapet nga sistemi i toneve evropiane, sepse intonacioni i atyre këngëve varion nga ky yni. Gjatë përzierjes së kulturave muzikore, u rritën “notat blu” tok me Pentatonikën (paçka se ekzistojnë mendime të ndryshme mes teoricienëve të muzikës rreth origjinës dhe natyrës së pentatonisë).

    Fundi i Luftës Civile në 1865 dhe heqja graduale e skllavërisë deri në mesin e viteve 1920 ndihmuan në zhvillimin dhe inspirimin e stileve të muzikës që ne sot i quajmë xhaz dhe blues. Gunther Schuller thekson se është e vështirë për të vendosur një datë të saktë në të cilën xhazi mund të përshkruhet si një zhanër i pavarur, teksa Jeffrey H. Jackson thotë se që nga të shtënat e para të “Dixieland Jazz Bands” më 1923, për herë të parë mund të flasim për xhazin. Në kishat afroamerikane të origjinës protestante, ungjilli (gospel) doli si zhanër i vet muzikës së shenjtë. Ndërkaq, forma këngëtore kolektive “Gospel”, kishte fituar famë botërore përmes përformancave koncertante në fillim të shekullit të 20-të. Këtu përmendim ansamblin vokal afroamerikan “Fisk Jubilee Singers” ose “Paul Robeson”. Kjo muzikë frymon dhe çliron përditësitë e jetës. Notat blu (terca dhe septima e vogël, si dhe tritonus) shërbenin për të shprehur vështirësitë sociale dhe këtë vazhdojnë ta bëjnë deri më sot. Nëse vërejmë nga afër frymën pastorale të këtij repertori, situatat më të rënda jetësore përkthehen ritmikisht dhe muzikalisht me nota modeste shprese, nota të larta adhurimi, deri në manifestimin e përforcimit të besimit që tingëllon në finale me „coda triumfale” në çdo meshë. Xhazi modern ka vazhduar këtë traditë duke i kënduar një bote komplekse urbane dhe duke kultivuar brenda vetes lartimin e besimit dhe paqes. Nëse në momente kritike vetë jeta nuk tregon rend dhe kuptim, atëherë besimi dhe muzika krijojnë një rend dhe kuptim, duke unifikuar ndjesinë kolektive brenda së cilës qahen hallet e përbashkëta në shtëpi të perëndisë.


    Dëshiroj ta interpretoj këtë si një nevojë të vetë besimtarëve apo atyre që janë të pranishëm, për t‘i bërë më tingëlluese aspektet jetësore përgjatë një meshe. Shpirti gjen çlodhje e prehje, qoftë edhe aty ku fjalët nuk janë të mjaftueshme të shprehin apo kur ato dështojnë. Pikërisht aty muzika nis himnin e saj. Në përputhje me rrethanat, si psaltirë modestë, muzikantët e xhazit gjithmonë kanë shoqëruar aspektet shpirtërore dhe besimet personale me muzikën e tyre. Thomas Andrew Dorsey, i cili punonte si Kapelmaestro në një kishë të madhe baptiste në Çikago, ishte i pari i cili krahas punës me koret kishtare nisi të ftonte në kishë, këngëtarë solistë nga skena e muzikës xhaz, emra të mëdhenj si Mahalia Jackson, Della Reese (e cila ndërroi jetë, në nëntorin e vitit të kaluar) deri tek këngëtaret më në zë të klubeve të xhazit, si Billie Holiday dhe Ella Fitzgerald. Më vonë George Lewis dhe grupi i tij Ragtime, regjistroi në vitin 1954 vinylin e parë, me himne të orkestruara në xhaz me titull “Jazz at the Vespers”, xhazi në Mbrëmësore. Muzikantët e xhazit gjithmonë kanë patur nje relatë të ngushtë me religionin.
















    Louis Armstrong shpesh kishte një pastor në studio tek realizonte regjistrimet e tij për albumin e radhës. Duke Ellington me entuziazëm shkroi “Sacre concerts”, duke gërshetuar muzikën kishtare evropiane me tingullin e Bigband-it.

    Tenorsaksofonisti John Coltrane, shpiku termin “xhazi shpirtëror” i inspiruar nga tema e ringjalljes dhe më 1965 realizoi albumin e albumeve “A Love Supreme”. “Dashuria e epërme” – ishte përvojë e re e zgjimit artistik të Coltrane-it, një moment historik në muzikë, një nga albumet më të shitura krahas albumit “Kind of Blue” të Miles Davis. Bashkëshortja e Coltrane, Alice Coltrane, përmend se ideja e kësaj suite xhazi ishte e bazuar në një vizion që Coltrane kishte patur gjatë shërbimit të tij ushtarak në vitin 1946, por kish mbetur duke u mbrujtur brenda tij. Në një intervistë me Branford Marsalis, ajo tregon se në fund të verës më 1964, “ashtu si Moisiu duke zbritur malin …”, John zbriti në këmbë të shkallëve në shtëpinë e saj, dhe mbante në dorë partiturat përfundimtare të suitës. Lavdërimi (pjesa parë): Tashmë tingulli i parë i albumit sinjalizon se diçka është ndryshe nga e zakonshmja. Coltrane fillon me një fanfarë të shkurtër. Një fanfarë e cila kërkon vëmendje dhe shpall rëndësinë e mesazhit vijues. Në kontekstin e “A Love Supreme”, ky sinjalizim duket si një mirëseardhje shpirtërore, një bekim. Ndërsa Psalm (Nr.4) i është nënshtruar një mbylljeje melankolike, me tingull të mbytur, të trishtuar duke ju lutur dashurisë së epërme. Coltrane na zbulon një strukturë muzikale ku metrika dhe ritmi janë lënë të nënkuptohen, duke vendosur primare ndjesinë emocionale. Ndaj pianoja, basi dhe bateria manifestojnë një atmosferë modeste plot përulje interpretative. Në kopertinën e brendshme të albumit ndodhet një poemë lutjeje nga Coltrane. Kjo poemë përcakton rrjedhën e linjës së saksofonit të Coltrane si një libret meshe. Kjo muzikë përforcoi themelet e së ashtuquaturës “Lëvizja e xhazit shpirtëror”.


    Saksofonisti Branford Marsalis në takimet dhe workshop-et me studentë të muzikës mbajtur në USA, Evropë dhe Afrikë, nuk kursen të kujtojë dhe nënvizojë se kishat kanë qenë gjithmonë hapësira të takimeve kulturore dhe sociale. Artistët bashkëkohorë si Brian Blade, Tord Gustavsen, Ike Sturm, Bobby Mcferrin, Jon lopar, Kirk Whalum dhe Kurt Elling vazhdojnë traditën e kultit liturgjik përmes xhazit shpirtëror, duke përformuar në shtëpi të Zotit. Kompozimet e tyre dëshirshëm do i klasifikoja si krijimtari kontemporane e muzikës sakrale dhe këtu heq një pararelele të denjë (paçka se shkojmë pas në historinë e muzikës së shenjtë) me Michael Praetorius. Xhazi shpirtëror ndihet fuqishëm edhe në Evropën perendimore. Marr shëmbull albumin “Officium” relizuar në vitin 1994, regjistruar në manastirin e kishës së Shën Gerold në Bregenzer Wald të Austrisë, ku saksofonisti norvegjez Jan Garbarek dhe Ansambli vokal britanik i Hilliard-it, përqasin improvizime bazuar në këndimet gregoriane.



    Grada e lartë harmonike e dialogut të meditimit të xhazit avangard dhe muzikës sakrale bëri që muzika gregoriane të prekej nga një brez i ri dëgjuesish. Nuk është aspak mister fakti që „Officium” ështe shitur rreth një milion kopje, duke u pasuar me një turne të pasur koncertesh. Ky projekt dëshmon sërisht se trashëgimia e muzikës liturgjike mund të mbahet gjallë pa vizione nostaligjike apo laboratorë asketikë. Njëkohësisht ky koncept muzikal aspak komercial tregon maturi profesionale i cili kuron vlerën promovuese si dhe nevojën e njeriut por dhe besimtarit të sotëm për shprehi të reja muzikore, në rrafshin muzikal kishtar.

    Xhazi brenda adhurimit mund të jetë një lutje ambicioze për tolerancë, një Tropar global brenda së cilës janë mbledhur gjithë tingujt tokësorë duke i lartuar tek hynorja për të lavdëruar “Soli Deo Gloria”! (Vijon)


    1. Më vitet 61-113, ishte jurist dhe gjykatës, senator dhe shkrimtar në Romën e lashtë.


    (c) Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Publikuar më 1maj 2018 tek "Peizazhe të fjalës". Imazhi në kopertinë: Skicë-partitura - dorëshkruar nga John Coltrane, për kompozimin

    "A Love Supreme".

    Në kuadër të temës, ju ftoj të ndiqni dokumentarin e realizimit të albumit "Entropy"- Eda Zari feat. Ibrahim Maalouf - aty ku bizanti takohet me xhazin (publikuar tek "Enja Records"- Germany).

    Gjithashtu, këtu mund të lexoni disa mendime të Prof. Vasil Tole, si dhe muzikologes Mikaela Minga mbi albumin - Entropy.



    • Art
    • •
    • Music
    • •
    • ENTROPY
    71 views0 comments
    • Eda Zari
      • Dec 27, 2020
      • 7 min read

    Gruaja në muzikë – “a guilty pleasure”?


    Përgjatë një palo viti pandemik, përmes koncerteve online, realizuar në filarmoni e salla boshe (ndjekur nga një publik virtual), është “festuar” 250 vjetori i lindjes së Beethoven-it. Jemi në ditët e fundit të dhjetorit dhe ky festivitet zgjat ende duke marrë shkas prej ditës jubilare të pagëzimit (jo të lindjes) të kompozitorit në Bon, më 17 dhjetor 1770. Këto aktivitete, eklipsojnë madje koncertet e festave të shenjta të Krishtlindjeve: këtë herë as Telekom-i nuk përmbahet nga “euforia”, por zbukurohet me Ludwig-un duke sponsorizuar “Beethoven Nacht” (Nata Betoviane), në mbarë rrjetet sociale.


    Epo thashë – po solidarizohem dhe unë me këtë atmosferë! Duke patur një tekst ekzistent – artikullin tim shkruar për Beethovenin (në janar të këtij viti), tek “Peizazhet e Fjalës”, mejtova ti hedh një sy sërish, mos ndoshta i kisha ngrënë hakun veprës së tij. Në fakt, pa e patur qëllim në vetvete, më vajti mendja tek një kontrapunkt [1]! Për inerci, shoh se i paskam ngrënë hakun gruas në muzikë!

    Teksa Bach, Mozart dhe Beethoven janë emra botërisht të njohur, krijueset, kompozitoret, pianistet e talentuara të gjinisë femërore kurrë nuk gëzuan aq shumë vëmendje sa kolegët e tyre, për të mos folur pastaj t´u festohen me tam-tame përvjetore.

    Më duhet të sjell ndërmend një ndër leksionet e historisë së muzikës në klasën e Prof.Lehmann (në vitin 1999) në konservator – “MHSCH” në Këln. Në analizën e tij, gati i zënë në faj, Lehmann – margjinalizimin, lënien pas dore, mos vlerësimin e krijimtarisë, formësimin praktik e teorik muzikor nga gratë kompozitore e instrumentiste ndër shekuj, e formulonte si “Njolla e Bardhë” në hartën e historisë muzikore botërore! Pas disa vitesh kjo “njollë e bardhë” më kujtoi të blija leksikun e muzikologeve, kompozitoreve e instrumentisteve gra evropiane të shekujve 18 dhe 19-të, i cili përfshin rreth 700 muzikante – shumë prej tyre, deri më tani pak të njohura. Gjithashtu ky leksikon vete pas në histori, duke përfshirë emra tepër të dashur për mua – mësueset e degës së kompozicionit të cilat më së shumti kanë punuar si instrumentiste, kompozitore duke dhënë një kontribut gati liturgjik në fushën e muzikologjisë dhe asaj kompozitoriale. Po të gjykoj listën e kolegëve titan të lartpërmendur – kompozitorëve burra, emri – Hildegard von Bingen nuk mbërriti të radhitej pranë emrave të tyre. Brenda “Arkës” së krijimtarisë së kësaj filozofe, kompozitore, poete, mësonjëse e denjë benediktinase (këtu e 900 e kusur vite), gjejmë të shpëtuara 69 deri 77-të kompozime me lirika përkatëse dalë po nga pena e saj, si dhe vepra të tjera shumë me vlerë! S´mund të lihet pa përmendur “Symphonia armoniae celestium revelationum”[2]. Të ketë qënë muzik´e Hildegardës “kënaqësi mëkatare”?


    Megjithëse Hildegard von Bingen, jo vetëm në Gjermani por dhe shumë vende të tjera nderohej dhe shihej si një shenjtore, procesi i shenjtërimit të saj u morr katër herë nën thjerrëzën e Vatikanit, prapëseprapë nuk u kanonizua. Në kalendarin e kishës romane, 17 shtatori [3] konsiderohet – dita e përkujtimit të Hildegard von Bingen. Pas 833 vitesh, në tetor të vitit 2012, Hildegard von Bingen më në fund njihet zyrtarisht si – Shenjtorja Hildegarda von Bingen! Ajo ishte gruaja e parë që themeloi manastirin e saj me ekonomi autonome – në atë kohë krejtësisht e paimagjinueshme. Von Bingen kompozon këngë liturgjike të cilat këndohen nga murgesha (më ato mote, zakonisht këndimi u ndalohej grave), ajo përpilon dokumente shkencore (ky privilegj qe i rezervuar më parë vetëm për murgjit), i lejon murgeshat e saj të vallëzojnë gjatë meshës me rrobë të bardhe dhe flokë të lëshuar, si dhe shkruan biografinë e saj përgjatë udhëtimeve në vende e krahina ku predikonte. Hildegarda gëzon adhurimin tim pakushte.

    Në vëmendje sjell poaq një prej pioniereve të pianos, një paradigmë, një grua e cila modernizoi formën dhe lojën pianistike. Në fillim të shekullit të 19-të, Clara Josephine Wiecy ose – Clara Schumann, i dha fund virtuozitetit dhe vetë-portretizimit të saj pianistik duke u përqendruar në reformimin e përmbajtjeve dhe përbërjeve të repertorit pianistik por jo vetëm. Clara e shikonte rolin e saj, si një shërbyese e formave metodologjike, kompozicionale e instrumentale.


    Nocturne në Fa maxhor [4] (kompozuar nga Clara Schumann)

    Për më tepër, Clara më imponon me gjenialitetin e saj determinues në prapavijën bashkëshortore. Në gjashtëmbëdhjetë vite martesë me Robert Schumann (Schumann-ët jetonin në Düsseldorf), ajo solli në jetë tetë fëmijë, kaloi dy aborte dhe nëse përformonte para publikut, i duhej rishtaz, zemërimin e burrit të saj të famshëm, ta bojkotonte duke krijuar vepra të reja. Pasi Robert Schumann u sëmur (psiqikisht) dhe fjeti të madhen, Clara nuk e sosi përkushtimin ndaj krijimtarisë dhe veprimtarisë së saj. Përkundrazi, ajo çliroi veten, intensifikoi marrëdhënien, dashurinë e saj inspiruese me Brahmsin dhe u kthye me sukses në podiumet koncertante, duke frymëzuar gra të brezit të saj pianistik, frymë që ndihet edhe sot. Ajo i tregoi botës së muzikës – dominuar nga burra, se sa mirë funksionojnë rrjetet femërore, si dhe përcaktoi se çfarë ishte në të vërtetë loja pianistike femërore. Në thelb, puna e saj zbehu klishenë e kolegëve meshkuj se – “loja” e zonjave në rrafshin muzikor s´është asgjë veçse një – këndellje mëkatare, e ashtuquajtura – Guilty Pleasure! Rubinstein lojën pianistike të saj e komentonte plot “rrahje të pakuptimta ose shushurima tastesh të ngadalta”, ndërsa Liszt e epitetonte si lojë të ngathët femërore pianistike. Ishte Clara ajo që risolli në podiumet artistike (dhe tërhoqi vëmedjen e muzikologëve) kompozimet kolosale të Emilie Mayer[5]. Brenda veprave të Mayer, spikasim tetë simfoni, përbërë prej një misteri të thellë tonal ku sillet e zhvillohet një frymë e lartë virtuoziteti. Me vdekjen e Emilies, vepra e saj ra preh e harresës.

    Në këtë radhitje përfshij dhe Alma Mahler. Po të njëjtat arsye na kujtojnë se asgjë nuk e përtërin shpirtin e një gruaje kompozitore sesa të krijojë. I shoqi i saj Gustav Mahler, dikur në letrat e tij na shfaq një pishmanllëk që i ardh´aspak në ndihmë Almës dhe frymës krijuese të saj. Ajo shkruan, citat: “dua të kompozoj, por e kam të ndalur”. Pasi zbuloi kompozimet e Almës, Gustav i shkruan asaj: “Çfarë kam bërë? Këto këngë janë thjesht´ të mrekullueshme! Këmbëngul që ti rishohësh dhe ti publikojmë. Nuk gjej paqe derisa t´ja rinisësh punës. Zot, paskam qënë i ngushtë!”. Por shpirti krijues i Almës jetonte tashmë në plan të dytë.

    Kënga e korrjes (kompozuar nga Alma Mahler)

    Kur shtoj, se tabiate të kësaj natyre i hasim ende në zyra, dhoma e pas kuintave artistike, nuk jam duke thënë hiçgjëkafshë të re.


    Personalisht ma ka ënda të rri larg altoparlantëve dhe zërave që thërrasin se – urrejtja ndaj burrave është një formë çliruese! Mirëpo as më bën përbuzja dhe mosbesimi i Anton Rubinstein kur thotë ndaj gjinisë së kundërt në 1890: “Për krijimtarinë muzikale, atyre u mungon thellimi, fuqia e mendimit, horizonti emocional, liria e linjave muzikale.”

    Ndaj ma ka ënda ti qasem mendësisë së Martha Argerich: “(…) ca gjëra duhet të fliten troç e të thirren ashtu si e kanë emrin. Fatkeqësisht, bota pianistike e kompozitoriale mbizotërohet nga meshkuj, të cilët ua kanë mohuar grave famën e merituar. Kur burrat luajnë në piano, salla e koncerteve shndërrohet në një faltore. Aty riformohet besimi, formulohen ekzegjeza të reja dhe bota rishpiket. Ndërsa kur gratë hyjnë në sallën e koncerteve, kjo hapësirë zakonisht mbetet një “sallon mondan” dhe kaq.”


    Ajo që dikur konsiderohej margjinale tashme është pranuar se rron ende në podiumet artistike – përfshi këtu dhe krijueset në artin pamor apo shkrimtaret.

    Qoftë në muzikën e xhazit apo n´atë klasike – një Dianna Krall, Nina Simone, Carla Bley, Hiromi Uehara apo Gabriela Montero, Yuja Wang, Khatia Buniatishvili, shpesh reduktohen në cilësitë e tyre femërore argëtuese.


    Carla Bley feat. DR Big Band

    Gojë të liga mediale vetëmasturbohen duke i quajtur ato pa teklif – produkte të vyera marketingu, apo duke i rënduar me konotacione seksiste. Rrallë e për mall, kur bëhet fjalë për cilësitë muzikore të kompozitoreve apo instrumentisteve bie fjala për – mëmën e pianistikës Martha Argerich (mjaft aktive edhe në 79-tat e saj), kritikës u mjafton fjalia e vetme lapidareske: “Ajo luan si burrë”.




    Në fakt ky përjashtim lavdëronjës nuk specifikon kualitetin profesional të pianistes por nënkupton: ajo luan fuqishëm, me vrull dhe se ajo ka bërë një plan! “Mjeshtrat” e penës nuk ditën të formulonin kurrë, se Martha me shoqe janë femrat e sotme Betoviane. Po, ato janë me thinja, të pambuluara, seksi, magjibërëse, virtuoze, nëna, motra, bashkëshorte, protestuese, provokuese, debatuese dhe kanë një emër – Njeri!


    Pikërisht këtu ngul këmbë të mos anashkalojë pa thëne atë që është sfumuar në skenat dhe festivalet e muzikës serioze (E – Musik – “Ernste Musik”) në vendin e lindjes së Beethoven, ku dhe jetoj!

    Sot janë të pakët pianistët që kanë ç´të thonë, shumë prej tyre domosdo u mungon marrëdhënia interpretuese me instrumentin ashtu siç u kish hije mjeshtërve të dëshmisë pianistike; Alfred Brendel, Vladimir Horowitz, Friedrich Gulda, Glenn Gould. Sot festohen e lavdërohen kryesisht pianistët për gestikulimin e tyre ekscentrik, për prodhimin e vetvetes si një Brendel apo Glenn Gould i dytë. Madje ca herë këta pianistë i shohim të përformojnë nëpër koncerte ashtu siç ishin pritshmëritë ndaj grave në shekullin e kaluar.

    Por, shumë prej pianisteve të lartpërmendura, muzikën, krijimtarinë, instrumentin, nuk e shohin më si armë në fushë beteje. Ato nuk luftojnë në emër të feminizmit apo të emancipimit si qëmoti, sepse prej kohësh e bëjnë këtë betejë me veprat, lojën e tyre poaq betoviane, rachmaninoviane qoftë akoma me gjuhëthyese emri – shostakoviçiane!

    Janë këto gra e zonja – me, apo pa dekolte, që sjellin e mbajnë në jetë kompozimet e meshkujve krijues të lartpërmendur por dhe kolegeve të tyre harruar ndër mote! Ato dinë të qëndrojnë edhe nën hijen e nënvlerësimit, klisheve seksiste. Domosdo ato prej kohësh e kanë gjetur fronin e tyre në muzikë. Klishetë gjinore kanë qenë dhe do mbeten një pasqyrë e shoqërisë sonë. Sot në kohët e Covid19, arti dhe kultura lëngojnë nga izolimi, heshtja dhe duket se lihet me kast pas dore. Ndaj në këtë mori hallesh që na kanë zënë, duhet ti afrohemi më pranë njëri-tjetrit.

    Arti i grave duhet parë jo vetëm prej rrëfimit mashkullor!

    Në fund të fundit, ajo ç´ka mbetet thelbësore është shpresa se dikur loja gjinore e qenieve njerëzore do të transformohet në tingull, që për mua është dhe mbetet forma më e vërtetë e dashurisë. Gëzuar me Art!

    ______________________________________________________________


    (c) 2020, Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Shkrimi u publikua për herë të parë tek Peizazhe të Fjalës.


    [1] koncepti muzikal – notë kundër notë – kundërveprim. [2] Simfonia e Harmonisë së dukurive qiellore – Një koleksion i këngëve tradicionale liturgjike. [3] Shën Hildegard von Bingen lindi më 1098 në Nierderhosenbach dhe ndërroi jetë më 17 shtator 1179 në Bingen – qytezë pranë Rhein -it. [4] Për mua kjo Nokturne rri si thënie thelbësore e muzikës romantike pianistike, kompozuar nga Clara në moshë shumë të re. [5] Emilie Mayer: Kompozitore gjermane (1812-1883). Në librin “Etaloni Beethoven? Kompozitoret nën hijen e gjeniut kult”, Dr. Martina Helmig, e quan Emilien “femra betoviane”.

    • Art
    • •
    • Music
    236 views0 comments
    45
    6
    78