MEMENTO: 24 kuadro në sekondë kundër harresës
Një dritare drejt kujtesës dhe filmit të animuar shqiptar. Nga Eda Zari
Pjesët e artikullit
Si ndodh që vetëm tri vija të vizatuara mjaftojnë për ta çelur portën e kujtimeve të një jete të tërë? Si i ruajmë këto pamje, kur koha kalon dhe njerëzit e dashur ikin?
Të kujtuarit dhe të harruarit janë krejt elementare për një artist dhe njëkohësisht qasja e vetme drejt së tashmes së vërtetë, asaj pike të mesit, thelës së thelës, ekuilibrit fragil midis të shkuarës dhe së ardhmes. Personalisht besoj se njeriu i ruan kujtimet në trup, ku pamjet jetojnë si ikonat brenda një ikonostasi. Te artistët, muzikantët, piktorët, aktorët (megjithëse dhe kjo nuk mund të përkufizohet), është një dhunti e stërvitur, sepse ata punojnë pikërisht me kujtimet, prej nga “zhvasin” bukurisht ndjenjat e tyre.
Çdo njeri - në bibliotekën vetjake gjigante futet me pyetjet e vogla e të mëdha në xhepat e mendjes: si ishte kur isha shtatë a dymbëdhjetë vjeç dhe ku bënte pjesë trupi im? Kur dhe me kë shkova për herë të parë në kinema? Mirëpo, e vërteta e këtij fenomeni është se edhe kujtimi kolektiv është personal. Them se çdokush ka vetëm kujtime personale, madje dhe ajo që quajmë kujtesë kolektive është në fakt një kujtim i personalizuar.
Biblioteka e humbur dhe entropia e kujtesës
Shkoj pas në kohë, në tetorin e vitit 1990, kur lashë dheun e atit dhe shtëpinë e mbushur me pesëqind e ca libra, me arkivën fotografike të sistemuar nga im atë me përpikëri ushtarake, skicat, grafikat dhe pikturat e vëllait, dhe pyes veten se ku janë të ruajtura gjithë ato gjurmë të një jete. Fjala “të ruajtura” do të ishte e pasaktë: siç do të thoshte një sqimatar i kujtesës si Umberto Eco, për të cilin biblioteka e tij private me mbi tridhjetë mijë vëllime nuk ishte magazinë sendesh, por një organizëm i gjallë ku mendja dialogon me kohën, ruajtja kërkon sy që leçisin, dritë dhe fiqir. Ato, përkundrazi, dergjen në një gjendje entropie, të ngujuara në një zgëq mediokër, të privuara nga duar nikoqire e pasionante që dinë të mbajnë në jetë edhe fragmentin më të vogël, që e kthejnë gjurmën e mpirë në dëshmi të gjallë.
Aksidentalisht shoh se po përpiqem të skicoj një fat kolektiv, të qëmtoj një fenomen të njohur të shoqërisë sonë. Kur ikën larg shtëpisë së fëmijërisë dhe shuhet njeriu që e dashuronte dëshminë, dokumentin, foton dhe veprën, kultura e të mbajturit shpërbëhet: trashëgimia tkurret mes një kasaveti të pafrytshëm ose në padije të plogësht, duke mbetur në mëshirën e asaj kohe që i merr dhe i fshin gjurmët pa zë. Ndaj, sa herë kaloj pranë bordurave ballë hotel Dajtit apo te ura e Shallvareve, u qasem me mall të vjetër e të ri librave me kopertina aq të dashura të shtrirë mbi trotuar dhe them: ja, ky mund të jetë nga biblioteka jone. Tartarini i Taraskonit, Martin Iden, Rob Roi, Kopraci, Kushëriri Pons, Të mjerët, Bel-Ami, Udhëtimet e Guliverit, Udhëtimet e Shigjetës së Kaltër… pa përmendur vëllimet profesionale për teknikën e rëndë, diagaçat, tanket e trenat, apo librat e muzikës, letërsisë dhe teknikave të vizatimit.
Pikërisht këto mejtime i ndaja në bisedat e mia me specialistët e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), teksa flisnim për fatin e kujtesës sonë pamore dhe për nismën për të kontribuar në adoptimin dhe restaurimin digjital të filmave të rrezikuar. Dhe teksa e rrëfej këtë, ndiej se gjatë gjithë kohës po flas në emër të dashurisë, asaj dashurie që sjell me vete një lloj interesi të bukur, gati zbulues! Sepse shpesh në jetë ndodh ai soj ekuilibri: pikërisht aty ku mbyllet një portë, çelet një burim i ri ku mund të rigjesh (sidomos në ekran) gjithë punën që im vëlla kishte bërë për filmat vizatimorë.
Piktori në depon e armëve
Imagjinoni një piktor i cili punonte roje në një depo armësh, pikërisht brenda një institucioni si Kinostudio “Shqipëria e Re”, aty ku ai duhej të ishte në atelietë e punës, e jo duke ruajtur hekura të ftohtë. Ky ishte Ilirjan Zari, vëllai im, njeriu që jeta iu pre në kufi, vetëm një javë para se të përfundonte filmi “Talenti i babait” në shkurt të vitit 1990 (me regjisore-piktore Esperanca Konomi). Ai kishte një pretendim fare të thjeshtë: vetëm të pikturonte, edhe pse emri i tij kurrë nuk u zyrtarizua në titrat e filmave.
Shfleto shtresat
Burimet
Më ndërmendet ende ajo qoshe e shtëpisë, ku e gjeja të këputur nga gjumi pas turnit të natës, mes fletave të celofanit të tejdukshëm, mes pikturave me pemë dimri dhe skicave me atë gjethen e vogël që kishte sy koketë, teksa në vitet 1986–1988 po finalizonin filmin “Gjethja”, bashkë me regjisorin Artur Muharremi, piktorët Bledar Gërçaliu, Agron Mesi, Kristaq Koçi, me skenar të Ramadan Pasmaçiut dhe redaktore muzike Mira Meçule.
Shfleto shtresat
Burimet
“Kur Liri fliste për hapësirën e përjetimit dhe se si gjethja vendosi të rrinte fillikat në degë, teksa dielli e përzhiti, kuptoje se nuk bëhej fjalë për histori lineare nga a-ja te b-ja, por për monologje semiotike pamjesh të vogla, ku jeta dhe arti bëheshin një.”
Ai asketizëm gati murgëror me orë të gjata pune nuk ishte ndonjë mision heroik, sepse askush nuk e dinte atëherë se ç’fat do të kishin filmat. Ishte thjesht një formë ngushëllimi përballë vështirësive, një respekt i pastër për profesionin dhe ajo kënaqësia që të fal kreativiteti kur hap një dritare të vogël lirie brenda një bote të ngushtë.
Multiplikativi si gjuhë kolektive
“Filmi është 24 herë gënjeshtër në sekondë për t’i shërbyer së vërtetës, ose për t’i shërbyer përpjekjes për ta gjetur të vërtetën”, kështu e ka formuluar regjisori Michael Haneke këtë paradoks. Nëse në filmin me aktorë iluzioni i 24 kuadrove mbetet i lidhur me trupat realë, në filmin e animuar ai bëhet absolut: çdo formë e dridhje drite është e shpikur nga dora e piktorit.
Pikërisht këtu nis funksioni i dyfishtë i animacionit shqiptar, multiplikativi siç quhej dikur, si stabilizator i kujtesës dhe gjuhë kolektive sociale. Mjafton të kujtojmë filmat vizatimorë “Dy gosti” (Gazmend Leka, Luan Rama, Tonin Harapi), filmin vizatimor “Mi-re-la” (një titull ku gjej të kriptuar vetë emrin tim, sepse ato tri nota të solfezhit italian: Mi, Re, La, në gjuhën e pentagramit gjerman e anglez shkruhen fiks E, D, A), me muzikë të Ferdinand Dedës dhe piktura të Bujar Kapexhiut, “Ndodhitë e Çufos” (Vlash Droboniku, Gaqo Bushaka, me zërin e paharruar të Eva Pëllumbit), “Oreksi i humbur”, apo “Kau dhe ujku” (Tonin Vuksani, Luan Rama) me batutat që hynë në zhargonin e përditshëm si proverba popullore: “Pa brirë ti je mbret, pa brirë është dhe moda”.
Shfleto shtresat
Burimet
Dhe pas tyre, vjen një arkipelag i tërë krijuesish: nga Artan Maku (“Portreti”) dhe Besnik Ajazi, te Artur Muharremi (“Ushtari mburravec”), Artur Dauti, Boris Ikonomi, Stefan Taçi, Gjin Varfi, Shaqir Veseli, Xhovalin Delia, Robert Qafzezi, Sokol Xhahysa, Jani Zhonga, Majlinda Agolli, Rikarda Nova, Mithat Fagu, Gëzim Qendro, Josif Droboniku e Bertrand Shijaku, shoqëruar nga partiturat e kompozitorëve Diana Ziu, Nina Andoni, Aleksandër Lalo, Limoz Dizdari, Gjon Simoni, Majlinda Bërxolli e Majlinda Seiti, dhe lista s’ka të sosur.
Shfleto shtresat
Burimet
Një dritë në të tashmen tonë
Filmat që kemi adoptuar u krijuan në një kohë ku presioni dhe censura ishin një çap larg, kur përditshmëria matej me triska e tallona mishi dhe antenat e televizorit i stisnim me sakrificë mbi çati. Te “Gjethja” dhe “Talenti i babait”, vizatimi pushon së qeni rrëfim dhe bëhet poezi e pastër vizuale mbi brishtësinë e kohës dhe lidhjen mes brezave. E megjithatë, brenda asaj ngushtësie materiale, fantazia ushqente lirinë e brendshme.
Sot, im vëlla dhe brezi i tij kanë arritur një prani të tillë në të tashmen, saqë vërtetojnë thënien e Lawrence Weiner: “All art has been contemporary” (“Çdo art ka qenë bashkëkohor”). Sepse kinemaja duhet të jetë hapësirë përjetimi, më shumë sesa rrëfyese. Njeriu del nga salla e kinemasë, por jo domosdoshmërisht nga një film që e shoqëron përgjatë kohës dhe ngjyroset vazhdimisht në kujtesën e tij.
Prandaj, arsyeja pse i kthehemi këtyre veprave nuk është rehabilitimi i një epoke, por dashuria: ajo forcë nobël që, përmes nostalgjisë së qashtër, na zbut përballë kohës dhe na tregon çfarë meriton të shpëtohet. Kësaj përpjekjeje i shërben pra nata “MEMENTO: 24 kuadro në sekondë kundër harresës”, e ndërmarrë nga Fondacioni Kult 360 në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF). Adoptimi dhe restaurimi digjital i filmave “Gjethja” dhe “Talenti i babait”, që do të prezantohen më 27 Nëntor në Kinema Drita, është një homazh modest për mjeshtrat e animacionit shqiptar.
Shfleto shtresat
Ndaj, MEMENTO - për të qenë dëshmitarë e trashëgues të mirë.
Sepse, siç do të thoshte Gertrude Stein me repeticionin e saj, “një kuadër është një kuadër është një kuadër”, prej nga e vërteta nuk varet nga data kur u vizatua, por nga prania që ruan kur e sheh sërish. Së fundmi citoj regjisorin Wim Wenders te “Qielli mbi Berlin”: njerëzit nuk zhduken kurrë vërtet për sa kohë mbetet dikush të dëshmojë për ta. Ta mbajmë të kaluarën të gjallë si dritë në të tashmen tonë.
- Ngjarja: MEMENTO: 24 kuadro në sekondë kundër harresës
- Filmat e adoptuar: “Gjethja” (1986-88) dhe “Talenti i babait” (1990)
- Organizatorët: Fondacioni Kult 360 & Eda Zari, në bashkëpunim me AQSHF
- Data dhe ora: 27 Nëntor, ora 19:00
- Vendi: Kinema Drita (AQSHF), Tiranë
- Hyrja: E lirë (me konfirmim paraprak për shkak të kapacitetit të kufizuar të sallës)
VAZHDO LEXIMIN





Komente
Duke ngarkuar komentet…