Search
  • Eda Zari

Them se “Gjidhënia“ është një ndër kryeplanet më të bukura që natyra ka realizuar!

Updated: Oct 3


Eda Zari - intervistë dhënë Gazetës "Si" mbi librin "Luga ime e parë",

realizuar më gusht 2018 (realizuar nga Suadela Balliu).


- Si erdhi ky libër e prej sa kohësh e kishit menduar që recetat e gatimeve me të cilat keni ushqyer djalin tuaj do i sillnit edhe për nënat e reja?


E.Z

Them që në krye të herës, libërthi “Luga ime e parë“ ka hyrë në vitin e tij të nëntë, dhe ndërkohë im bir David, gëzon vitin e tij të dhjetë. Fakti që ky li- bërth aktualisht vazhdon të jetë në qarkullim, tregon sa të nevojshme janë informacione të kësaj natyre sidomos kur sillen nga eksperienca personale. Libërthin e kam krijuar pjesërisht gjatë fazës së parë 15 mujore, tek krahas ushqimit me lugë vazhdoja të ushqeja David edhe me - vakte gjiri! Përgjatë fazës para dhe pas kursore “Nënë dhe Foshnje“, pa asnjë ide të saktësuar, nisa të shkruaj dhe të përditësoja në formën e një ditari ecurinë atë gjithë e tërë që ndodhte mes meje dhe foshnjës. Më pas, idenë për realizimin e libërthit m ́a ndriçoi Dr.Osterhus, doktoreshë pranë “Frauen Klinik Uni Düsseldorf“ (Klinika Universitare e Gruas në Düsseldorf), njëkohësisht dhe drejtoreshë e Këshillit të Mamive po në Düsseldorf.


- Davidi është fëmija juaj i dytë. Po me të parin nuk keni gatuar këto receta?


E.Z

David ka një diferencë prej 13 vitesh me të vëllanë. Gjatë fazës së lartëpërmendur, më vinte e natyrshme të bëja krahasimin mes tyre, sidomos kur fokusohesha tek aspekti i gjidhënies. Ndaj vendosa recetave të gatimit në fazat fillestare të - lugës së parë, t´u japë vend “dytësor“. Më gjerë jam ndalur në rëndësinë ushqyese që mbart qumështi i nënës, dhënia e gjirit, pozicionimi i foshnjës në gji, rëndësia e vetë ushqimit që merr nëna përgjatë gjidhënies etj. Më lejoni të anashkaloj disi pyetjen tuaj, duke dashur të cek disa nga pikat dhe rëndësitë që mbart qumështi i nënës.

Është ushqimi më ideal, gati hyjnor do thoja! Ai mbron foshnjen nga shumë infeksione, alergji apo dhe faktorë të tjerë të jashtëm, dhe i shërben fëmijës në forcimin e imunitetit. Gjiri ka një temperaturë konstante, që i përshtatet butësisë së gojës së foshnjës pa i krijuar dallgë frike. Përtej sëgjithave…qumështi dhe gjiri i nënës garanton një lidhje të fortë midis fëmijës dhe nënës. Në këtë mënyrë, fëmija nis të njoh dhe të tërhiqet ndaj zërit, prekjeve, erën e trupit, aromën e gjirit të nënës. Rëndësia e kësaj lidhjeje për shëndetin mendor dhe fizik të fëmijëve në kulturën gjermane nuk ka gjetur ende mbivlerësimin e duhur. Për fat të keq kultura e dhënies së gjirit akoma është e nënnjohur në shoqërinë e sotme moderne. Përgjatë konsultimeve me Dr. Osterhus, mësova se në qarqet profesionale, rëndësia ka qenë prej kohësh e njohur, si dhe fakti se duhet promovuar kjo vlerë që mbështet lidhjen shpirtërore e sociale mes nënës dhe fëmijës, efekt që ndikon dhe në të ardhmen. Nuk janë të pakta rastet, teksa një nënë i jep gji foshnjes në rehatinë që fal një park pranveror, apo ndodhet në udhëtim me tren bashkë me foshnjen, të pranishmit ndjehen të fyer nga kjo “skenë“!!! Jam e prirur të besoj se në shoqërinë moderne të konsumit, sulmi ndaj “erotizmit“ që përcjell ky akt, ka marrë formën e tij të plotë. Vallë ushqyerja me gji është e ndaluar sepse gjinjtë janë të “rezervuar“ për meshkujt?

Në të njëjtën kohë, studimet kanë treguar se foshnjet që veçohen të vendosura vetëm në shtretër e dhomë të vetmuar, nuk rriten mjaftueshëm me dashurinë dhe ngrohtësinë prindërore.


Ndërsa gjidhënien personalisht e shoh në kontekstin e një pjese shkëputur nga poema “Odë Gëzimi“ (Ode to Joy ) An die Freude - 1785 të Friedrich Schiller (i njohur ndryshe “Hymni i Gëzimit“, pjesë e simfonisë së 9-të të Bethovenit, përndryshe “Hymni i Bashkimit Evropian“) citoj:


"Freude trinken alle Wesen,

An den Brüsten der Natur!"

Gjithë qeniet pijnë gëzim,

Nga gjinjtë e natyrës!

Them se “Gjidhënia“ është një ndër kryeplanet më të bukura që natyra ka realizuar, e më tej perfeksionuar tek gruaja, gjiri i së cilës nuk ështe thjeshtë ornament por burim jete!

Kësisoj, nëntitulli “Nga gjiri i mëmës tek luga“, u kthye qëllim në vetvete. Shtoj njëkohësisht se nuk është “mëkat“ kur nënat (për arsye shëndetësore apo individuale) vendosin apo zgjedhin një alternativë tjetër, siç mund të jetë biberoni, qumështi farmaceutik, industrial apo formulat e ndryshme që tashmë njihen. Çdo lloj alternative efikase që përmbush qëllimin themeltar për një shëndet të mbarë të fëmijës, është i mirëpritur.


- Receta të mbledhura nga gjyshja dhe të afërmit nga jugu, por djali juaj ka lindur në Gjermani. Si ishte të ushqeje foshnjën me receta nga aq larg, ku duhet thënë që në vendet perëndimore për shkak të jetës së shpejtë e in- tensive fëmijët ushqehen me receta të gatshme a gjysmë të gatshme. A u bënte përshtypje atyre që ishin pranë jush, për mënyrën si e ushqenit?


E.Z

Një përgjigje e menjëhertë do ishte; tenxhereve të mija në Gjermani, u ofroj (përtej patateve të zjera, apo gjithëllojet e lakrave) privilegjin e gatimit të trahanasë, pashaqofteve, apo çfarëdo gjelle nga fëmijëria ime qoftë dhe paluze për David! Kjo turlikurioze gatimi, u vjen në të mirë jo vetëm fëmijëve por dhe të rriturve.

Pyetja këtu është, pse ushqimi i vetëpregatitur është më i shijshëm…. Një teto e mamasë sime (nga ato nikoqiret përmetare, e cila përtej gatimit e çonte ditën duke mbledhur mëllagë, kamomile, xinxife - le të themi një Arqile Boti i dytë), kish një moto kur vinte puna tek gatimi:-“Gjellën që t ́a do zemra t ́a bën dora, kur t ́a bën dora jote t ́a han syri, po t ́a hëngri syri t ́a han dhe goja çup e tatas“.

Sot, kudo na prezantohen dhe ofrohen bukur, joshëse, profesionalisht pake- tuar dhe marketuar, produkte ushqimore të gatshme për fëmije. Shpesh dhe jo pa arsye, bëhemi skeptik, dyshues mbi vërtetësinë dhe kualitetin ushqyes që ato mbartin. Industria ushqimore, tashmë e komercializuar dhe e instrumentalizuar promovon një logistikë, e cila pretendon të njohë mirë se çfarë kërkohet në treg për plotësimin e nevojave ushqyese të fëmijës. Reklamimi i këtyre produkteve gjithmone ka si moto temat: kursimi i kohës së pregatitjes, lehtësia e produktit gjysëm i gatshëm, mbartja e mineraleve dhe vitaminave të nevojshme etj.

Do thoni: - Bukur, pra ku çalon puna? Qëllimi im ishte (dhe mbetet i tillë), distancimi nga këto produkte, me dëshirën për t ́i ofruar fëmijës sa më shpesh ushqim të pregatitur nga dora ime, nga tenxherja ime, duke patur në “xhep“ recetat, kujtimet me të cilat unë jam rritur, e influencuar nga ime më, farefisi si dhe nga nusja e tim vëllai (një grua plot urti, me origjinë nga Kamenica e Korçës).

Nga praktika e përditëshme them se aspekti i kohës dhe përpjekjet për pregatitjen e një ushqimi të freskët për fëmijën është shumë më i pakët nga çmendohet. Në fillim nuk nevoiten shumë produkte për gatimin e një supe apo pureje për fëmijën. Perime të stinës furnizojnë mjaftueshëm me vitamina organizmin e fëmijës dhe janë lehtësisht të tretëshme. Periudha e parë 10 mujore, fare mirë mund të shfrytëzohet për të krijuar dhe mbledhur eksperienca të ndryshme në lëmin e gatimit për një ushqim të shëndetshëm për fëmijën, për veten dhe për familjen. Eksperienca e këtyre viteve është e pakthyeshme si dhe ndihmon në ardhmen.



- Nuk e vë në dyshim që duhet të jenë receta të shëndetshme për ushqyer-jen e fëmijëve por a janë të shijshme për qiellzën e fëmijëve ende të pamë-suar me shijet e reja? Si ia keni dalë t’i bëni edhe të bukura për syrin dhe me shije ? Cili ka qenë ushqimi i preferuar i Davidit?


E.Z

Një ndër ushqimet e para më të njohura, (nuk mund t a lokalizojë si recetë nga jugu apo ndonjë zonë e caktuar) ështe paluze e himet orizi - paluze me fruta ose perime. Si fillim provoja të ushqeja David pak nga pak pa e sforcuar apo detyruar, duke i lëni atij kohë mjaftueshëm për të kuptuar shijet e reja në gojë. David gjendej në një proçes të pazakontë, deri sa u mësua të donte lugën e kaltër, pjatën e tij (me figura rosash, apo tullumbace) mbushur me pure apo paluzen me luleshtrydhe. Ndaj nuk nguroja, të përdorja pjata, apo lugë me figura zebrash, apo xhirafa! Këto forma ndihmëse kontribuan në praktikën -Luga ime e parë. Kohë pas kohe, nisa të ngre konsistencen e ushqimit kur fëmija kishte mësuar të hajë e të përtypej mirë. Pregatitja e ushqimit dhe gatimet e shijshme, interesante jo monotone u kthyen në një ceremoni loje të përbashkët, përgjatë kohës tek e fotografoja David të laturisur me pure (e preferuara e tij), apo tek i servirja atë ç ́ka kisha gatuar!



- Mes angazhimeve në karrierën tuaj, si e keni gjetur kohën që të jeni edhe nënë me kohë të plotë, që arrin deri aty sa mbledh receta origjinale për të ushqyer mirë të birin? A është një stereotip i gabuar se nënat në karrierë nuk kanë kohë për familjet dhe shpesh i sakrifikojnë këto të fundit për hir të karrierës?


E.Z

Ku është një dëshirë gjendet një udhë, pra asgjë e pazakontë! Nuk pretendoj se kam mbledhur një numër të pafund recetash, dhe as të kem ndërrmarrë ndonjë udhëtim hulumtues për koleksionimin e tyre. Pas lindjes së David, tre vitet e para me dëshirë vendosa të shkurtojë turnetë, koncertet dhe udhëtimet e largëta. Gjithkush mund të marri vendime në lidhje me jetën private dhe nganjëherë të refuzojë dhe detyrat profesionale. Në çdo fazë të jetës, sipër vetes dhe mbi gjithshka kam fëmijët. Dhe po! Është një stereotip tashmë i dalë mode. Po aq e gabuar është kur dedikimi mëmësor shihet si sakrificë, kurse etërve shumë rrallë u shtrohet kjo pyteje! Mos vallë etërve nuk u quhet sakrificë?

Zgjedhjet tona individuale jetësore (qofshin sakrificat, profesioni, karriera), nuk mund t ́ia varim as vetes as fëmijëve si plenca faji në qaf. Madje fëmijët nuk i sjellim në jetë për të qënë borxhli ndaj nesh, as për “sakrificat“, dashurinë dhe kujdesin tonë prindëror. Dashuria prindërore ky “profesion“ nobel, pa egomani!


Gjithashtu fotografitë në libër dhe gatime i keni realizuar ju. A është ky një libër ku bashkoni jo vetëm përkushtimin si nënë, por edhe pa- sionin tuaj për kulinarinë dhe fotografinë?

Po dhe kështu mund të shihet. Për një libërth të tillë, mendova që lexuesi shpesh më shumë i beson fotove se sa recetave! Përmes fotos së një pjate supe apo konkretizimi i një recete, zbulon sekretin e një shije të re. Nuk jam fotografe, dhe as nuk pretendoj t ́i marre askujt meritat e këtij profesioni. Ndësa arti i kulinarisë për mua ka të bëjë me ceremoninë e ngrënies, dhe të gatuarit për njerëzit që kujdesem dhe i dua, por jo vetëm! Ata që kanë patur rastin të hanë nga dora ime, ma njohin sqimatarinë e gatimit!


- Ku mund ta gjejnë librin të interesuarit dhe a keni në plan ta zhvilloni edhe më tej këtë pasion apo dimension që nuk jua njihnim?


“Luga ime e parë“ gjëndet në treg pranë botimeve “Koha Ditore“ në Kosovë, në Prishtinë pranë "Dukagjini Bookstore", Maqedoni dhe online po me të njëjtin emër. Pasionin e fotografisë e kurojë (duke i publikuar në Instagram) duke krijuar për miqtë e mi aty - këtu ndon-jë ekspozitë modeste apo libër me foto nga vende, ngjarje e njerëz që mi do zemra. Por muzika mbetet ishulli im i besuar, dhe tek krijoj muzikë ajo reflekton ku ndodhem mentalisht!


(c) 2020, Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Gazeta "Si" (botuar më gusht 2018)








43 views

© 2020 EDA ZARI