top of page
Writer's pictureEda Zari

"Qan lulja për lulen", bukuria e poliritmit! Eda Zari


Përtej këngëve përmetare, kabave, lamentimeve e këngëvalleve të lojtura nga mjeshtërit e sentimentit të lartë artistik - Remzi e Myslym Lela, kam përjetuar prej tyre gjithëaq dhe kumbimin e këngëve - divani - ato të "sevdasë", dyzenit - qejfit të ahengut qytetar të shqipërisë së mesme, me autorë usta Isuf Myzyrin, apo krijuesve si Muharrem Gurra etj.


Sëkëndjemi parë, ky repertor luajti një rol të rëndësishëm në formimin tim muzikor.

Myslymi përpos këngëve dalë nga magje e tij, bie fjala kënga e mirënjohur, kushtuar gjyshes sime - Tëtasë - "E para është nëna e dyta më je ti", ai risillte interpretime të këngëve më të dashura të tabanit urban të bashkëkohësve të tij krijues. Myslymi kish zgjeruar spektrin muzikor të këngës dedikur bukurisë e dashurisë për shoqen, gruan, zonjën e zemrës, motrën dhe nënën, me një parim estetik bazuar sipas gjendjes shpirtërore: herë shtruar me gazavaj përmallimi, herë gjallërishëm - deri në mekje plot premtime përgjëruese.


Kam dëgjuar shpesh versionin e tij "Qan lulja për lulen" me autor Muharrem Gurrën.

Gjithëhera tek Myslymi (i cili kishte nje shtrirje vokale 5-së oktavëshe), vëreja frazimin e tij sidomos kryefjalën e lirikës - Lule, lulja, lulen!

Tingulli prijës që vinte nga regjistri i gjoksit modeluar me mini falcetin e tij të përsosur burrëror,

i falte nisjes së këngës një anijatë solide, për ti vajtur nafakës së lules besnikërisht deri në fund me drithërim. Ai e hijeshonte dhe e stoliste këngën me ornamentikë jokrahinore, as tradicionale! Personalisht them se, ai kish krijuar në mënyrën e tij autodidakte - glisandot, trilet, mordentet e dyfishta melizmatike - mikrotonale, të cilat sipas meje u ngjajne deklamacioneve vokale bizantine. Dhe, nuk mbetemi vetem tek zbukurimet e tij vokale sepse do qe vobegtësi.


Frazimi i Myslymit, takt-artet e thyera e të pëziera brenda një batere - thellë brenda së njëjtës gjymtyrë muzikore, më ndëmend blunë e "Take Five" të Brubeck. Nuk di pse i kish aq përzemër përzieriet ritmike, ndofta kjo - prej forcës së zakonit që mbartin instrumentistët - sepse Myslymi luante klarinetë dhe violinë si instrumente parësorë. Ai eksperimentonte vazhdimisht - duke i kthyer vargjet në - heterometrike - ritme të pazakonta në atë kohë njësoj si Brubeck tek "Pick Up Sticks" në 6/4, "Unsquare Dance" në 7/4, "Blue Rondo A La Turk në 9/8". Madje Myslymi nuk mjaftohej vetëm me - "Merr pesë" apo "Merr shtatë". Ai e sajonte strofën ndërgjegjësisht më të ndërlikuar, duke i dhënë shkas dhe shoqëruesve të kënaqnin instrumentin e tyre për t´u kyçur harmonikisht me kalime e progresione notative. Dhe po, nuk e fsheh, teksa bëj këtë analogji mes Myslymit dhe Brubeck (njëri autodidakt e tjetri i shkolluar), sëfundmi, interpretimi dhe muzika e tyre, dëften fort biografinë e shpirtit.

"Qan lulja për lulen" e Gurrës, katapultohet nga Myslymi në bluzin urban të improvizuar. Kësaj këngë kaq të përhapur, Myslymi domosdo i dhuroi atë ç´ka vetë fryma e "shoqnisë" asokohe përdëllehej të dëgjonte!


Shpesh në manjetofonin Gruding tip - TK 246 HiFi-Stereo 1970, ku im vëlla Agimi vendoste bobina shiriti për të dëgjuar solistimet me kitarë të Santanës, hera herës proftaseshe me zërin e Myslymit - "e këpusin çunat, o bobo"! Kuptohej, im vëlla kish regjistruar mbi Myslymin Santanën, Hendrix por - dukej se kënga e Myslymit ish qeliza e asaj bobine.

Një lloj - Palimpsesti tingullor - ku shiriti - si pergamena, rishkruhej me art!


Për nder të Myslymit, usta Myzyrit, krijuesit Muharrem Gurra dhe breznisë së tabanit të muzikës së shqipërisë së mesme, por dhe xhazit të viteve 50-të (i cili u inspirua nga worldmusic), morra shkas ti qasem pikërisht këngës "Qan lulja për lulen", duke i dhënë diçka nga vetja sëbashku me kolegë nga skena e xhazit.

Pianisti Elchin Shirinov (Avishai Cohen Trio) nga Aserbeixhani, trompetisti gjerman Christian Kappe dhe Henning Jung në e- bass (im bir), bazuar në interpretimin e Myslym Lelës, risjellim - "Lulen e këputur"! Ajo që na këndëllen është metrika e cila modulohet herë në strofë, herë merr pamjen e ritmit pa kokë i ashtuquajtur - Acefal. Si edhe në formën origjinale - kënga nuk mbart taksim, por në rastin në fjalë - trompa soliston mbi AA - duke vajtur sërisht në mbyllje me një përsëritje të modusit.


Ju ftoj të shijoni këtë këngë e cila na merr në një ekskursion muzikor - jo pak nostalgjik!




Shënim: "Qan lulja për lulen" lançohet sot me një video muzikale në kanalin tim në Youtube, me videografi të Prod. Ergys Shehu.

(Premier - më 5 Qershor 2021)


5.06.2021, Düsseldorf.

Të gjitha të drejtat e rezervuara.


1,379 views

Comments


bottom of page