Search

"Një mesh për paqen" në kujtim të viktimave të luftës në Kosovë! Nga Eda Zari


Kur i huaji kuron plagën tonë me tingull!

"Një mesh për paqen" në kujtim të viktimave të luftës në Kosovë!

Karl Jenkins, një kompozitor nga Wales, kompozoi gjatë kohës së qiametit, tmerrit dhe ngjarjeve tragjike të terrorit në Kosovë - "Njeriu me armë - Një meshë për paqen"!

Premiera e kësaj shfaqeje u dha në vitin 2000, në homazh të viktimave të luftës në Kosovë.

Ndër shekuj tema e luftës ka preokupuar shumë kompozitor dhe artistë ndër breza.

Me patjeter që dhe ne kemi këngë e krijime kushtuar heronjve të luftës, por a kemi një meshë,

një vepër monumentale të këtij niveli multikulturor, një reflektim ndaj pasojave shkatërruese që sjell me vete lufta për njerzit, kafshët, ujin dhe tokën? A kemi një mega kurim dalë nga magja jonë artistike?

Motrat dhe vëllezërit tanë kosovarë e kanë ende të freskët fatalitetin njerëzor, tronditjen dhe terrorrin e kësaj lufte. Lufta është hija e vazhdueshme që varet mbi tokën tonë, qoftë bombardimet në Vietnam, Hiroshima, apo ajo e Irakut apo lufta civile e fundit në Siri. Ndaj kujtojmë për t´mos harruar, por dhe mbrojtur dhimbjen që shpesh i harrohet me dashje Kosovës.

Së fundmi gjatë turneut tim këtë verë, pata rastin të takoj një koleg nga filharmonia e Sarajevos. Dhe ashtu në rutinën e bukur dhe privilegjin që mbart mbrëmja pas një koncerti të suksesshëm, u zhytëm në preferencat tona muzikore si dhe morinë e kompozitorëve që na ushqejnë dhe mbajnë zgjuar dëshirën për krijime të vyera. Pasi më përmendi albumin tim "Entropy", mbetëm në territorin e Requem-eve, e më pas i tregova që kisha qënë soliste tek "Mass" (Mesha) të kompozitorit Leonard Bernstein. Në këtë kontekst, përmes celularit të tij, më ndërmendi meshën e Karl Jenkins ngarkuar aq fort muzikalisht me kultura e subkultura. Ngjashëm me "War Requem" të Benjamin Brittens, në këtë meshë gjendet një opus kundër luftës si pjesë e meshës katolike. Përveç përbërësve tipikë "Kyrie", "Sanctus", "Agnus Dei" dhe "Benedictus", Karl Jenkins përdor një sërë tekstesh nga autorë të ndryshëm, si Swift, Kipling, Toge Sankichi, Dryden të cilët ishin dëshmitarë të bombardimeve në Hiroshima dhe vdiqën pak kohë më vonë nga efektet afatgjata të shpërthimit. Vepra është një reflektim - se si lufta nis e ndërton shtratin e saj! Një tipar i veçantë i kësaj vepre janë ndikimet e ndryshme kulturore që zhvillojnë tërësinë e përmbajtjes. Pjesa e dytë është thirrja për lutje e një muezini dhe në pjesën e "Flakadani" përdor materiale tekstesh nga Mahàbhàrata Indiane.


Kjo vepër - një histori plot shpresë dhe dëshpërim, dëshmon luftën dhe paqen, përjeton luftën dhe pajtimin e padëshiruar njerëzor me shkatërrimin që shihet kaq afër. Në fillim dëgjohen hapa që vijnë si trokëllimë e vagullt nga larg - për një çast mendova sikur ishte kërcitja e një pllake gramofoni që sillet keqas nga gërvishtjet. Një daulle e vetmuar mund të dëgjohet nga një distancë që s´ja vë dot emrin. Më shumë se gjashtëdhjetë këngëtarë enden nëpër kishë. Dhe të mbërthen ndjesia se duhet të kesh frikë nga njeriu i armatosur, gjithçka të paralajmëron. Fillimisht në heshtje, me frikën që më vonë ta përforcon një fugato tronditëse e që transmenton urgjencë rreziku. Instrumentet (flautët, daullet dhe tunxhi) tashmë, manifestojnë fatkeqësinë e pandalshme që po afrohet. Thirrja për lutje e muezinit - më çon për minuta të tëra në një distancë orientale - Kyrie, në të cilën sopranoja dhe më në fund i gjithë kori - i luten Zotit për mëshirë. Më dhemb bukuria fatale gjer në asht sepse asgjë nuk mund t´a ndalë kobin. Kërkesa dëshpëruese e një burri të vetëm: "Më shpëto nga njeriu i përgjakur", ndërpritet nga një shpërthim. Ndoshta shpërthimi i parë i bombës. Finalja e Karl Jenkis ndërtohet me një korale përfundimtare, pastorale, plot përulje, plot fajsi dhe thyerje shpirti, thjeshtazi por kaq efektiv është besimi dhe shpresa se vetëm paqja është e larta mbi dhe : “Zoti do të fshijë gjithë lotët. Lëvdoni Zotin ".

Më mirë paqe sesa luftë…

Sa do doja, dhe sa krenare me të drejtë do ndihesha sikur kjo vepër t´ish nga kompozitorët e muzikës sonë "serioze"!



Të gjitha të drejtat të rezervuara. Eda Zari

Kotor - 14.07.2021


92 views0 comments

Recent Posts

See All