top of page
Writer's pictureEda Zari

"Me komunistët nuk flitet"! 24 Shkurt 1991 - Vrasja e Artan Lenjës. Nga Eda Zari



Ditëlindjet tona ishin bri më bri. 21 dhe 22 nëntorin e vitit 1989 e festuam në shtëpinë time, duke vallëzuar të gjithë me dritë fikur - nën tingujt e këngës "Ella, elle l'a", që vinte nga një kasete BASF Ferrochrom. Nga fundi i dhomës, Tani thërriste: "S´keni ndonjë AC/DC?"…

Djali i hallës sime, Bukuries, Artani, kish pak minuta që kish hyrë në pranverën e tij të nëntëmbëdhjetë, ndërsa unë të 18-tat e mija. Matildës (motrës së Artanit - vajzës së hallës, motër poaq për mua), teksa kërcenim hareshëm, i qaja hallin se po "plakeshim"!

Ishte festa jonë e fundit që na bëri bashkë!

Kur humbasim një të shtrenjtë të familjes, kur humb vëllain, vdes një pjesë e gjithë fëmijërisë. Vllamotra - nuk ekziston më ashtu si më parë, sepse me vdekjen, përfundon për të gjithë ekzistenca fizike, tokësore. S´ka më biseda, s´ka më ecje sëbashku, as të qeshura në plazhe, shaka, as lot të përbashkëta ballë një filmi në kinema. S´do ketë ditëlindje me qirinj gazmor, ashtu si ai nëntor i 89-tës. Me vdekjen mbaron "çifti" vëllamotër - Përjetë.

Ndodhesha tashmë në Gjermani, kur në 24 shkurt 1991, përmes telefonit, më vjen lajmi kob për vrasjen e Tanit. Djali i hallës, vëllai ynë, 20 vjeçari Artan Lenja, u vra nga një patrullë ushtarake (jo policore), në lagjen pranë klubit sportiv "Partizani" në Tirane.

Ishte ajo lagje në të cilën Artani kish gëzuar fëmijërinë e tij, kish luajtur me shokët e shkollës 8-të vjeçare Naim Frashëri. I jati e kish mësuar si të ngiste motorrin për herë të parë në atë rrugë!

"Artani, kryente ushtrinë pranë "KSP" - Klubi Sportiv Partizani. Ai qe shpallur shume më parë, kampion i një kadegorie të caktuar në mundje, dhe si i tillë, gëzoi mundësinë ta kryente ushtrinë në Tiranë. Ishte e dielë. Në mëngjesin e datës 24 shkurt të vitet 1991, Tani lahet në shtëpi te mami, dhe niset në klubin e sportit "Partizani", ku sëbashku me ekipin e mundjes, do stërviteshin për një ndeshje miqësore me një ekipi turk. U përshëndet, u puth me mamin dhe mua, dhe doli për t´mos u kthyer kurrë më tek ajo puthje. Ishin ditë - sidomos netë të trazuara në Tiranë" - tregon Matilda.



"Tre ditë më parë, më 20 shkurt, para Muzeut Kombëtar, turma njerëzish, mijëra qytetarë e studentë, rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës. Mami na lutej që të mos dilnim nga shtëpia, pasi për dy ditë me radhë, pranë bllokut tonë, në Shkollën e Bashkuar "Skenderbeg", qe bër një batare e madhe mes forcash që nuk merrshim vesh kush qe kundë kujt. Di, që shumë prej djemve të lagjes, u gjuanin tankeve me gurë, të cilët po afroheshin pranë pallateve. Më darkë të 24 shkurtit, daja, na sjell lajmin se Tanin e kishin plagosur! Lemeria, klithmat dhe kuja na doli prerazi nga vetja si prindërve dhe mua. Mbaj mend mamin si tani, kur pyeste dajën: - "më thuaj të vërtetën e kanë vrarë? Oh, e kanë vrarë se plumbi nuk të fal"!




Gjitonët e lagjes sonë të vjetër, ishin dëshmitarë të ngjarjes. Ndaj dhe lajmi mori dhenë menjëherë. Më vonë, në gjyq, përmes disa dëshmish së komshinjve, mësuam se si kish qenë ngjarja. Artani kish dalë nga stërvitja, dhe po shkonte të merrte tek Rruga Ndre Medja autobusin për shtëpi. Patrulla kishte kapur një djalë të lagjes, të cilin po e tërhiqnin zvarrë nga shkallët e pallatit. Ai i thërret Tanit, i cili po kalonte atypari, për t’i dalë në ndihmë. Tani, i cili për arsye të stërvitjes atë ditë kish qenë pa uniformë, kthehet dhe i thotë patrullës që ta linin të qetë djalin, pasi qe jetim dhe rrinte tek gjyshja. Me të parë Artanin, oficeri i cili kryesonte patrullën, kthehet dhe thotë: "ky është". Menjëherë Artanit i drejtojnë armën, dhe kërcënueshëm i thonë të futet në një makinë tip "BÇ´je", për t’u paraqitur në polici. Tani u thotë se; "s’kam pse të shkoj në rajon, pasi nuk kam bërë asnjë gjë të keqe". Në këtë moment, tre ushtarët të tjerë i drejtojnë automatikun dhe oficeri i patrullës Mikail Themollari jep urdhër për të hapur zjarr, duke ngritur pistoletën dhe duke qëlluar në ajër, ndërsa ushtari i quajtur Ludovik Vata (me origjinë nga Lezha) qëllon në trup.

Fjalët e fundit të Artanit ishin: "Pse më vratë unë nuk bëra gjë"!



Në gjygj u tha se një zonjë pasi e pa ngjarjen filloi të klithte - "çfarë bëtë more, pse e vratë?". Më vonë, mësuam që kjo zonjë nuk u pranua të dëshmonte në gjyq për vrasjen e Tanit. Dëshmitarë të tjerë, treguan se patrulla me nxitim patën marrë djalin e vogël, bashkë me trupin e pajetë të Tanit në makinë - këmbët e të cilit i lanë jashtë, dhe u nisën me urgjencë në drejtim për tek ish- NISH Tulla, për të zhdukur trupin. Ndërsa djalin e vogël, e çuan në rajon, ku kishin deklaruar se - "ky, ka vrarë shokun e vet". Një punonjës policie, i gjurmonte me biçikletë dhe patrulla në pamundësi për të zhdukur krimin, e hodhën trupin e pajetë të Artanit në oborrin e Spitalit Ushtarak. Tek vendi ku u krye vrasja, vendi ishte larë me gjak. Aty kish mbetur një kapele ushtari, të cilën nga nxitimi, pas aktvrasjes, nuk kishin arritur ta merrnin. Më vonë tek ky vend, një grup shokësh të Artanit, rrethuan vendin me lule e qirinj, dhe vendosën fotografinë e Artanit si dhe një pankartë ku shkruhej me gërma të mëdha "vrarë nga PPSH-ja".


Në një intervistë të vitit 2011, Matilda kujton gjyqin e Artanit.

"Rreth një vit më vonë, në gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca gjyqësore, pasi procesi hetimor ishte drejtuar nga kryehetuesi Petrit Serjani dhe hetuesi Luan Berja. Në sallën e gjyqit prokuror ishte Petrit Bici, gjyqtar ishte Petrit Klosi. Në bankën e të akuzuarve oficeri Mikail Themollari, jo vetëm që ishte në gjykim i lirë, por erdhi edhe i armatosur. Ai shoqërohej nga ushtari Ludovik Vata, i cili e mori përsipër krimin. Ndërsa në cilësinë e dëshmitarit erdhi ish-shefi i batalionit të Sigurisë Çelo Boro. Ai erdhi duke buzëqeshur. Me kërkesën tonë dhe përfaqesimin nga ana e avokates Fatbardha Selenica - Kalakula, për të bërë mbrotjen, u arritën që ta ç’armatosin oficerin."

Dëshmitë që u dhanë në atë gjyq:

"Filloi seanca dhe oficeri filloi të dëshmonte duke thëne se:

"Ne kishim urdhër që do të viheshim në ruajtje të rendit për të treguar që jemi shtet i fortë dhe nuk do të zbrapsemi nga disa forca destruktive."

"Nga kush e morët urdhërin?", e pyeti avokatja jonë.

"Nga ministri Kiço Mustaqi’, iu përgjigj Themollari.

"Por në atë kohë Kiço Mustaqi nuk ishte de jure ministër i Mbrojtjes, pasi ishte shkarkuar nga Ramiz Alia, me firmën e kujt ishte urdhëri dhe çfarë thuhej në instruksionet?’, e pyeti sërish avokatja.

"Urdhëri nuk ishte i shkruar, por Ramiz Alia foli në telefon me Mustaqin dhe na u dha instruksioni, bashkë me disa kaseta filmike, që tregonin disa nga pjesmarrësit në ngjarjet e 20 dhe 22 shkurtit, nëse ne do t’i shikonim do t’i qëllonim për të treguar që jemi të fortë", u përgjigj oficeri.

Në gjyq shumë nga dëshmimtarët okularë të çështjes nuk u pyetën dhe kur ata ndërhynin për të treguar historinë, gjyqtari i bënte presion duke i thënë se do t’i nxirrte jashtë. Në gjyq nga deklaratat e dëshmimtarëve dhe të mjekëve të autopsisë, u thanë fakte tepër tronditëse se si Artanin e kishin goditur me qytë automatiku në shumë vende të trupit, se si i kishin thyer disa brinjë edhe pasi kishte vdekur. Oficerit i kishin dhënë një shpërblim moral dhe e kishin paguar për një vit, duke e strehuar në fshatin e tij të lindjes. Ushtari që kreu krimin, së bashku me dy ushtarët e tjerë të patrullës kishin qendruar të strehuar në Ministrinë e Mbrojtjes së bashku me disa ushtarë të tjerë që kishin kryer krime në kufi në fillim të vitit 1990."

Dukej sikur Saga e tragjedisë së familjes sonë po degëzohej në shtigje të pafunda! Teksa një pjesë të familjes sonë i vërdallosinin nëpër malet e Ersekës dhe Borovës për të gjetur trupin e tim vëllai - Ilirjan Zarit - të cilin e vranë më 3 shkurt të vitit 1990 në kufi, në varrezat e Sharrës me datë 25 shkurt të vitit 1991, im at mbante të motrën e cila po vendoste trupin e të birit 20 vjeçar në banesë e tij të fundit. Pasi fisi nuk kish marrë veten ende nga vrasja e Artanit, si për ironi, pas një viti e gjashtë muaj, në verë të vitit 1991 u gjet trupi i Ilirit, i cili u zhvarros nga pllajat e Ersekës për tu vendosus ca parcela larg vendit ku patën vendosur Artanin!!!

Lista e emrave të të vrarëve gjatë trazirave që nisën nga shkurti deri në maj të vitit 1991, u quajt, lista e martirëve: ndë ta, Pëllumb Tahiri, Artan Lenja, Artur Daka, Ismail Capari, Spartak Deliu, Mikel Laro dhe Luzim Barxha.


Puna e kujtesës dhe e kujtimit forcon vetëdijen historike. Kujtimet e kësaj natyre, kanë një efekt mobilizues politik dhe moral. I jam mirënjohëse shpirtit të kujtesës, që riprodhon përmbajtjet historike. Rroftë ajo kujtesë që përfaqëson dhe prek çështjet qëndrore të së kaluarës, që ende është e tashme mes tonë. Mirëpo, në çfarë mënyre flasim për të kaluarën dhe a duhet të ketë kufij për atë c´ka medoemos duhet thënë? Përse ngremë peticone për të kërkuar një legjistlacion të veçatë, ku synohet të bëhet e mundur ndalimi dhe glorifikimi i ish-regjimit komunist?


Lexoj se: "Peticioni u bën thirrje ligjvënësve të miratojnë një legjislacion që i ndalon partitë politike të lavdërojnë ish-diktaturën komuniste të vendit ose retorikën e saj dhe të ndalojnë përdorimin në publik të simboleve të ish-regjimit. Në peticion thuhet se ndryshimet në Kodin Penal duhet të ndjekin modelet e vendosura nga shtetet e BE-së që kanë ndaluar glorifikimin e regjimeve komuniste fashiste dhe totalitare. Ai thotë gjithashtu se funksionarët politikë dhe drejtuesit e institucioneve shtetërore duhet të verifikohen për lidhjet me regjimin e mëparshëm dhe se aktivitetet kriminale të Sigurimit të Shtetit dhe institucioneve të tjera nën komunizëm duhet të zbulohen plotësisht për publikun".


Por krimet e komunizmit, zbardhja e dosjeve, persekutimi i mijra njerëzve, vrasjet, internimet, burgosjet, torturat, nuk përmbajnë apo përbëjnë ndonjë referencë personale, të një grupi të vogël me interesa individësh. Kjo është referencë dhe është detyrim moral i pushtetit, dhe shoqërisë ndaj dhimbjes së një kombi që nuk gëzoi një "Nürnberg", që ende e kaluara e mban fort peng. E marr të mirëqënë se duhet kërkuar me ngulm drejtësia në rang kombëtar!


Nga ana tjetër duket sikur ky peticion tregon se përfaqësimi i qytetarëve në procesin legjislativ tashmë nuk është shumë më mirë i garantuar përmes zgjedhjeve të lira dhe të barabarta, por është i garantuar më mirë përmes një shorti plotësisht të rastësishëm nga njerëz të panjohur!

Ku është demokratcia që gëzojmë atëherë?

Megjithatë, diku duhet vazhduar!

Sipas vlerësimeve të herë pas herëshme të Këshillit Evropian - tregojnë se regjimet totalitare komuniste kanë vrarë deri më tani rreth 95 milionë njerëz në mbarë botën. Kjo shifër përfshinte njerëz që u ekzekutuan, që vdiqën në kampet komuniste të përqendrimit dhe ata që ranë viktima të dëbimit dhe urisë. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës thuhej se do të shqyrtonte me datë 23.02.2022 një rezolutë që dënon krimet e komunizmit.

"Me komunistët nuk flitet"!

Para disa vitesh, disa kolege artistë në Pragë mbajtën një koncert protestë, kundër Partisë Komuniste që kish zënë vend në pushtet përmes lobit të financës dhe biszneseve korrupte në Çeki. Ata luftonin, me një kurajo kolektive, me nje solidaritet të shëndoshë për të mbrojtur atë ç´ka u fitua me shumë mund. Dhe mendoj, po - me komunistët nuk flitet!

Kthehem tek hallet tona.

Shoqëria Shqiptare e ka të kaluarën plot plagë nga komunizmi, nga ana tjetër, Matilda, familja e Pëllumbit, Spartakut, Lulzimit, Mikelit, Ismailit, Arturit, familja ime dhe mijëra të tjerë kanë përvojën - e persekutimit nga komunistët që janë ende plagëhapur.


"Ne si familjarë kemi kërkuar herë pas here zbardhjen e çështjes, por asgjë. Është e pabesueshme, por e vërtetë, ajo çështje nuk u hap më kurrë. Mamaja mbylli sytë duke numëruar se sa vjeç do të ishte Artani" - thotë Matilda.


Në pozicionin e artistit, personalisht i gëzohem teatrit, muzikës, më pëlqen të udhëtoj e lirë. Ndaj kam frikë se do t'i humbasim të gjitha këto nga preferencat në rritje të simpatizantëve romantik të komunizmit. Nga ana tjetër - jo më pak e rëndësishme është edhe fakti, që brezi i dëshmitarëve, i atyre që kujtojnë, po na thotë lamtumirë. Prandaj hapja e dosjeve dhe e dokumenteve të Sigurimit, do ishte një trofe e revolucionit kundër persekutimit dhe krimeve të komunizmit. Një e drejtë e vonuar është një e drejtë e mohuar!



(c) 2022 Eda Zari. Të gjitha të drejtat të rezervuara.



734 views

Comments


bottom of page