Search
  • Eda Zari

Nga Vasil Tole:"Lavdërimi i Zotit përmes JAZZ-it, Eda Zari me “Entropy”...!"

Updated: May 10


Lavdërimi i Zotit përmes JAZZ-it, Eda Zari me “Entropy” vjen tërësisht ndryshe për të gjithë.


Pa më të voglin dyshim është një album ndryshe, albumi “Entropy”  i Eda Zarit. Ndryshe për traditën e madhe të muzikës bizantine, ndryshe për vetë JAZZ-in, ndryshe për muziktarët e bandës muzikore shoqëruese ndërkombëtare, po ashtu për pjesëtarët e korit bizantin “KUKUZELI”, ndryshe për dëgjuesit, ndryshe për vetë fjalën e shenjtë, …. e ndryshe për vetë Edën.

Me siguri ka qënë një shkrepje inteligjente ideja për të bërë një alternative Jazz-i me burim nga muzika e madhe bizantine, kryesisht të mbështetur në himnet: “Kurrë nuk po merret vesh”, “Eni shihni”, “Lavirja”, “Zoti është bashkë me ne”, “O bukuri me nam”, “Kyrie Eleison”, “krishti u ngjall”, “Agni Parthene”, që të gjitha tekstet mbështetur mbi shqipërimet e Fan S. Nolit, të kënduara në shqip nga Eda Zari.


Janë dy fakte kokëforta me të cilat duhet të përballesh përpara se ta dëgjosh albumin. E para, se tradita e madhe e muzikës bizantine i përjashton veglat muzikore nga përdorimi në meshën orthodhokse; se vetë JAZZ-i, i madhi dhe i plotfuqishi XHAZ, ka rrënjë të tjera si muzikë dhe fare pak, ose aspak, shembuj nga modelet dhe frymëzimi muzikor bizantin, që të mund ti referoheshe si model.

Por cila është zgjidhja?

Lutja, ajo duket se mbetet thelbi i zgjidhjes së misterit të të bërit Jazz me rrënjë bizantine!



Lutja dhe adhurimi përmes zërit të bekuar muzikor të Eda Zarit zgjidh kontraditat fillestare dhe mëton të ngrejë themele të një këndvështri-mi të ri mbi muzikën bizantine dhe për vetë xhaz-in.

Së pari përmes lutjes, Zari vë në jetë, ndoshta për të parën herë përmes një albumi, atë ç’ka thotë Psalmi 150 nga Bibla, ai Psalm i “çuditshëm” që thotë se:

“Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.

Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.

Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.

Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.

Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.

Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja".

Pra, përse jo: Lëvdoni Perëndinë me tingullin e JAZZ-it ?

Kështu, Lutja sjell novacionin e parë, muzikë bizantine me vegla dhe për më tepër i sjell himnet bizantine fillimisht ashtu siç janë e më pas, si një një cikël orar, i qarkullon ato në realitete të reja muzikore, realitete që Jazz-i i ka të vetat. Pavarësisht kësaj, gjithmonë në qendër mbetet Lutja muzikore, e shprehur herë si raport i individit këngëtar me të shenjtën por edhe si raporti i individit instrumentist me të.

Lutja për Perëndinë, pa emra të përveçëm.

Në thelb mbetet Lutja, tashmë lutja përmes alternativave muzikore, të cilat dalin nga arkitektura e kishave dhe zënë e zgjaten e pushtojnë si gjithësinë përmes vërtetësisë së saj e po aq rikthehen drejt rrënjëve të muzikës bizantine, përpara se ajo të bëhej e shenjtë, pra kur ishte thjesht një fillesë laike e popullore, ashtu siç Xhazi me rrënjë në folk.

Eshtë  adhurimi i fjalës së shenjtë, pavarësisht ndryshimeve metrike e melodike, solove instrumentale e kontrasteve tonale, koraleve klasike bizantine e korifesë Zari si soliste !

Dhe ja ka mbërritur që Lutja të dëgjohet pasi lutja na bën më të mirë të gjithëve ne !

Ashtu si vetë titulli i albumit: Entropi.

Se ҫdo gjë në univers eventualisht lëviz nga rregulli drejt crregullit dhe entropia është masa e këtij ndryshimi, pra "entropi more", na duhet entropia për të krijuar një energji të re përmes transformimit, ose kthimit të drejtimit të diçkaje të njohur për të bërë diçka tjetër të re.

Ashtu siç bëjmë me ujin kur vadisim arat,  diku në një pikë i ndryshojmë drejtimin për të vaditur të tjera vende.

Ky është me pak fjalë albumi Entropi i « Eda  Zarit me shokë», një dëshmi se për novacionet ka gjithmonë kohë dhe se zbulimi i rrugëtimit shpirtëror të njeriut është ENTROPIA e tij e vërtetë!

(Publikuar: "NewsBomb", 18.01.2017, Tiranë)

1 view

© 2020 EDA ZARI