top of page

Kujtesa jonë kolektive - S´ka mo qofte ke treni! Nga Eda Zari

Writer's picture: Eda ZariEda Zari

Troçthënë… s’ka mo stacion treni m’Tironën tonë!

Çfarë është kjo? Çakërrqejf i dalldisur për të lënë pseudo gjurmë mbi gjurmë?

Ç’mllef të kenë vendimmarrësit për ksilloj vendesh, ku shumëkush nga ne ka një, dy, a më shumë histori shpirti (kurdohera të ketë ndodhur një mesele personale në atë stacion) që sillet ende në atë platformë, kolona e shina si xhind urtak!



(c) Photography by Eda Zari. Stacioni i trenit, Tiranë, 2012.


Nuk jam në ujëra misticizmi, thjeshtë, më mpak ideja se shumë shpejt Tiranës do t’i mungojnë ato xhepat e bukur të moçëm socialë e kulturorë (përmend shuarjen e “Kafe Kursaal” me nam, në qendër të Tiranës, aty ku elita shqiptare kishte “rifuxhon” e vet), ku njerëzia prej kohësh patnë ngritur statujat e kujtimeve të jetës.

Stacioni i trenit në Tiranë qe bërë gati-gati si vakëf për të tërë – pa përjashtim. Atje miletëria kryente pelegrinazhe, sikush me ritualet e tij. E rilexoj lajmin e miratuar për prishjen e stacionit të trenit në Tiranë, dhe ma beh ndjesia hidhtake. Mirëpo, njësoj më ndodhi para ca kohësh kur dëgjova zëra (bëj ‘amin’ që nuk ndodhi) për prishjen e Piramidës së rrjepur pranë bulevardit në Tiranë. Të jenë këto shenjat e kiametit për Tiranën? Dikush edhe do thotë, apo ka thënë: – Amani ore, se nuk qe ndonjë mrekulli arkitektonike, 64 vjet i ka a s’i ka ai stacion (e mes nesh, mos më bëj të flas se erë urinë vinte shkallëve e qosheve)!


(c) Photography by Eda Zari.


– Mir mër vlla, po kur zotnija jote hala s’kish pa drit’n e dillit, e yt vlla i modhi i bite maces me lugare (përnjime, keni qenë pas shtat malesh, prrenjsh e shpellash) ene juve s’ju pat ra koma noiher m’Tiron. 29,000 njerëz (burra e gra) kon blujt kockat e tyne për t’ardh hekurudha deri m’at stacion! Ene, si thu ti? Vetëm me pun krahu, robo! Gjat pushimit m´sonin abetare, u jipnin noi kothere, ene hec bab për Qaf Krrab! Se mos i nihej zoni no njonit, se gjoja par kish për t’qen flet´rrufeja, gjonat e tjera masanej merri me men vet – kish për të thënë ndonjë dem-babadems!


Mendoni pak vlerën lapidareske në respekt të këtyre shpirtrave, jo arkitekturës!

Hekurudha së bashku me stacionin e trenit në Tiranë, duhen trajtuar si objekte të cilat dëshmojnë për një etapë kohe me ngarkesë të tmerrshme diktature, një evidencë që unë dhimbshëm do i vëja emrin “Arbeit macht frei“ duam – s’duam ne.



(c) photo by Eda Zari. Dachau KZ, Bayern, 2016.


Këtu heq një paralele legjitime me kampin e përqëndrimit në Dachau - të cilin e kam vizituar personalisht. Kampi i parë i përqendrimit ngritur nga nacionalsocialistët mori parullën “Puna ju bën të lirë“, punuar me gërma të hekurta, vendosur po në portë hekuri në hyrjen kryesore të kampit: ishte kampi i përqendrimit në Dachau afër Mynihut, i cili u hap më 22 mars 1933 – në mezin e dy muajve pasi erdhi në pushtet Hitleri. Një moto tjetër pikturuar në çatinë e ndërtesës kryesore në Dachau´t, ishte një citim nga Heinrich Himmler, shefi i atëhershëm i policisë së Mynihut, më vonë shef i Gestapos dhe Reichsführer-SS: “Ka një mënyrë për liri. Pikat kryesore të tij janë: Bindja – Zemërimi – Ndershmëria – Urdhri – Pastërtia – Esëllqenia – Vërtetësia – Sakrifica dhe Dashuria për atdheun.”

Memoriali i Dachau´t ruan origjinalitetin sepse vetëm reliktet, vërtetësia e të cilëve nuk vihet në dyshim mund të imunizojë Holokaustin kundër dyshimit të egzistencës së tij dhe mohimit. Sa më tej e në të kaluarën gjenocidi të venitet, aq më i madh është rreziku i relativizimit dhe hedhjes poshtë të së vërtetës. Autenticiteti është një mburojë titanike që i shërben vërtetësisë.








(c) by Eda Zari.


Me të njëjtat parulla fliste diktatura që u ushtrua ndaj atij brezi shqiptar që ndërtuan hekurudha, rrugë, tarrace e vepra të komunistive pa shpërblim por me pseudo forca vullnetare. Ky brez, rininë, shëndetin, veten detyrueshëm ia bënë theror – Idesë. Shumë objekte të këtij lloji mbetën pjesë e së kaluarës sonë që me kast lihen në harresë. Harresë, neglizhencë ndaj rinisë së humbur të një brezi fatmenderosur (që i qofshim falë)!


Çdokush me një botëkuptim të shëndetshëm (duke lënë mënjanë nostalgjinë, apo, le t’i quajmë, fijet e jetës), duke i parë gjërat me largpamësi, pse jo, ashtu sikundër bën Gjermania, Amerika, Franca apo Italia, etj., etj., do thoshte: – Plane të reja po, byjrem – Tirona t’bohet nji metropol dinjitoz, e t’zgjerohet e t’shtriqet, sa t’i majn kokallat, se rraca ka fillu t’shtohet e t’lulzoj, po mër çun, jom dakord! Por aty ku duhet – groshët me krip, e kripa me karar.


Një gjë s’më bën në këtë të tërën: pse duhet shkuar n’Vorë, në një kohë kur bota i mban stacionet në kërthizë të qytetit? “Po me urën, ç’patën xhanëm”? Ja, fiks kështu!


Më 23 shkurt 1949 u përfundua hekurudha Shkozet-Tiranë (prej 38 km), kur minatori Sadik Sinani nguli gozhdën e fundit në shinat e këtij stacioni. Nga një faqe interneti shumë informative, kushtuar hekurudhës shqiptare (një faqe serioze, shumë e përkushtuar si dhe tejet e pasur në informacione mbi hekurudhat në Shqipëri http://www.t669.org/hekurudha_shqiptare.html ), mësoj historikun e ndërtimeve, ngarkuar me video e foto materiale interesante e mbresëlënëse, për të madh e të vogël. Aty tregohen gjithashtu, dhe pasojat të cilat çuan në mpirjen e këtyre damarëve transportues, pa të cilat bota e huaj që nga viti 1835 nuk mund të imagjinohet.

Po lexoja e bridhja sytë tërë kërshëri, dhe nuk e mohoj. Një grusht rëre nostalgjie më kaploi kokës.

M’u ngjall fëmijëria, ato netët ku në pavetëdije, bëhesha pjesëtare e turli bisedave që gumëzhinin nëpër shtëpi. M’u ngjall im atë (iu ndrittë shpirti) tek kuvendonte me miqtë e tij (ai qe inxhinier-specialist për tanket, diagaçët dhe tërë automjetet e blinduara ushtarake me zinxhirë), meraklinj e adhurues të ndezur për tërë ç’kishte të bënte me botën e hekurt të trenit, shinave, teknikën dhe gjithë magjinë që fal inxhinieria mekanike. Flisnin për x lokomotivë çeke, kineze, apo përbërjen e shtresave metalore të rrotave, duke i prerë fjalën shoqi-shoqit: “Jo, anglezët përdorin çelik të pandryshkshëm” (…) “gjermanët janë kursimtarë dhe riciklues të fortë, prandaj përdorin një përqindje të kthimeve dhe mbetjeve të gizës së derdhur apo plumbit”! Diskutonin mbi stampimet dhe zbukurimet e vagonëve të pasagjerëve (ca herë flisnin për dokumentarët propagandues rusë që shfaqeshin vetëm për oficerët në reparte të caktuara ushtarake), rafinimin e pistonave që tregonte libri rus “Lokomotivat e viteve ’40-‘50”, etj., etj.


Vazhdoj të eci në stacionin më të bukur të jetës sime. Fëmijëria!

Malli është i tillë që prishet kollaj nga euforia ndaj, tek shkruaj porosisë veten të jem e esëllt.

Shoh fotot. “Stacioni i trenit Tiranë”, 1975, 1980, gjithëhera paraqitet me të vetmen platformë, me ato kolonat e trasha, pas së cilave mbështesnim bokshet, furnell e ibrik, kamerdaren e zezë, kovat si dhe rrjetën time për fluturat. Pas tyre fshihesha e lozja gjithmonë me tim atë e vëllezërit, apo në atë dishezë ku derdheshim e dyndeshim çdo verë e xhëng vape drejt detit.

Kujtoj – ashtu si të kap dashuria dhe hareja e paanë në befasi, gjallërisht. Sa shumë behare të perënduar midis sot dhe “djesë” sime! Udhëtimi me tren për mua (edhe sot) qe përherë një mini aventurë, mbushur me gajasje (nuk u ngjante aspak atyre odiseve që kemi parë nëpër filma, ku njerëzia u hipte shinave e nisej me ditë të tëra në filifistun, për të mbërritur në një metropol të kësaj bote, ku fundi ishte ajo që u pat bërë zoti kismet), ne niseshim me dëshira të vogla. Çdo radhë sediljeje hante të njëjtën menu: bukë me djathë e domate zemër kau, dhe nga një arançatë, bozë apo ujë çezme.

Me të mbërritur treni, ashtu, pa u zbrazur vagonët, im vëlla, Ilirjani (i ndrittë shpirti aty ku ka rënë) më mbante kalaqafë, dhe unë futesha nga dritarja e vagonit (me marifetet e mija, shkalafitesha dorë e këmbë, që me një tak-çkraf do i bëja një të mirë familjes) dhe te ruaja vendet, duke u ndier më pas fitimtare mbi fitimtarët. Që në shtëpi isha përgatitur për këtë aksion-ritual: që të mos më dukeshin breçkat, vishja pantallona të shkurtra. Këshillë kjo nga vajzat e pallatit. Ja, kështu punonte mendja e një 8-vjeçareje. Më qeshet. Sa i gëzohesha vendit të dritares, dhe prisja me padurim stacionet: Kashar, Vorë, Sukth (aty shiteshin kaushët me thana, mana të bardhë, fiq të ardhur mirë si mjalta, misra, prevederë, dhe lista s’ka të sosur), Shkozet (shumë herë zbrisnim edhe këtu) e deri në Durrës.


Në stacion gjithnjë më impononin altoporlantët ushtarakë. Hinkat e hirta, rrjepur e ndryshkur si mos o zot, ashtu, vënë tufëkatërsh në kulm të strehës. Faaap, më fanepset në vesh thirrja legjendare për nisjen drejt Adriatikut:

“VINI RE, VINI RE! TRENI PËR DURRËS GATI PËR NISJE“!

Ndaj, më mbetet peng kjo fikja e dritës në stacionin e trenit në Tiranë. Lumturia e asaj kohe, dhe stacioni i trenit në Tiranë në mendjen time ende mbajnë era det … prandaj!


Monumentet janë dëshmi e historisë njerëzore. Ata na ndihmojnë të kuptojmë se si njerëzit përballeshin me jetën e përditshme në epoka dhe sisteme të caktuara – si jetonin, punonin dhe vepronin. Ato e mbajnë gjallë kujtesën e realitetit të jetës ndër breza – qoftë në një minierë modeste të thëngjillit, stacione trenash në provinca, një pronë bujqësore ose një vilë me një bahçe me limonë në qytet, ndërtesa e bulevarde dikatorësh, pazarë të gjësë së gjallë etj.,.

Në vendin tonë në veçanti, relikte të konsiderueshme të epokës industriale dëshmojnë arritjet teknike dhe infrastrukturore të një epoke ku Shqipëria merrte e jepte me vëllezërit kinezë, rusë apo jugosllavë. Ndërsa teatrot, kafetë, kinematë, lulishtet, furrat e shpërthimit, kullat dredha-dredha, furrnaltat, limanet ushtarake, stacionet e trenave dhe pasuritë e tashëgimisë kulturore, janë pjesë e një peizazhi urban të pakrahasueshëm me atë ç´ka mund të ngrihet mbi to.


Gjithsesi, nuk prirem të përligj nostalgjinë time duke lëvduar çdo cep e kënd të Tiranës sime të fëmijërisë. Por dhe nuk druhem të them se vlerat e bukura (qofshin ato dhe nga një e kaluar krejtësisht e pashkelur) si dhe dëshmitë e objekteve historike, i adhuroj ashtu sikundër gjuhëtarët dashurojnë gjuhët e vjetra si greqishtja, aramishtja, latinishtja etj., prapa të cilave fshihet një botë reale.

Duke dashur të vërtetojë me këtë të fundit drejtësinë e mendësimit tim, them se askush nga ne nuk mund t´i bëjë bisht përgjegjësisë. Në fund të fundit, dimë që burokracia dhe vendimmarrësit në thelb (zyrtarisht) mbeten anonimë. Në këtë mënyrë avullon dhe përgjegjësia.


Ekziston një shprehje idiomatike në anglisht: “stop and think” – ndalo dhe mendo.

Askush nuk mund të mendojë pa ndalur.


Ndjenja e përgjegjësisë nuk mund të formohet, duke ecur mbi xhenazet e vlerave, dëshmive, apo fakteve pa emër. Përgjegjësia mund të formohet vetëm kur reflektojmë – jo vetëm për ato gjëra që bëjmë, por edhe për ato që nuk i bëjmë.

Ajo që shpon më tepër është gostia jo transparente e pushtetasve, shtruar në dhomën e madhe të ndënjes me emrin Tiranë:

A u pyetën qytetarët e Tiranës për këtë vendim? U dëgjua zëri i tyre?

U krye një peticion kolosal kundër shuarjes së stacionit të trenit?

Kurajo civile e kryeqytetasve - a u muar në konsideratë nga “Naltmadhnitë”?

Njeriu i zemrës më në fund më ndriçoi me këto fjalë: “Pakkush që merr frymë në Tiranë, ka këto kujtime e mejtime që po thua. Kush ta bëjë peticionin? Mos fol si nga maja e Penthouse- it…“!

Düsseldorf, 3 Shtator 2013. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Shënim: Ky shkrim u ripublikua më 13 shkurt 2020 tek "Peizazhe të Fjalës" , të cilit iu shtuan disa mejtime dhe foto të reja nga vizita ime në kampin e përqëndrimit në Dachau të Bajernit, Gjermani. Të gjitha fotot janë shkrepur nga unë.


Tashmë stacioni i trenit në Tiranë, nuk ekziston! Nëse dëshironi të ndani një mendim rreth temës - Kujtesa jonë kolektive, qoftë dhe kujtime tuaja lidhur me një vend kujtimi të përbashkët që nuk e gjeni më, ju lutem, kini mirësinë - ndajeni mes tonë. E juaja Eda Zari.

213 views

Comments


  • YouTube
  • Instagram
  • Facebook
  • Spotify
  • iTunes
bottom of page