Kur Umberto Eco "argëtoheshe" me inflacionin e vonuar tët´ kërkuarit falje.
Jo çdokush mund të vëzhgojë mprehtazi, të tematizojë apo të shkruaj rreth shenjave të absurditetit të shoqërisë, politikës dhe kulturës më mirë se Umberto Eco.
Sot - në motin që po përjetojmë, duket sikur Eco na thërret nga - Përtej - për t´na kujtuar ca sende që do vazhdojnë të kenë pasoja për shoqërinë tonë. Eco na servir në tabaka trushpëlarjen, budallepsjen e tepruar që ka pësuar njeriu, artificialitetin social, sjelljet pseudo korrekte politike, dhe natyrisht - fikjen e siguresës së arsyes duke e zëvëndësuar atë me virtualitetin dixhital dhe histerinë mediatike.
Rilexoja sërisht sot librin e Eco-s "Papa Satàn"(1) - dhe pikërisht esenë - "Kërkohet falje". Semiotika e Eco-s nis të rrëfej me humor shenjat e artit dhe të modës së tët kërkuarit falje - sepse sot kur kërkon falje të vogla, për mëkate të mëdha, ke shancin të kërkosh nga e para falje shabllone për mëkate omnipotente. Po pasojat?
"Papa ka kërkuar falje ndaj persekutimit që i është bër Galileo Galileit." - shkruan Eco.
Cili është në të vërtetë kuptimi dhe qëllimi i kërkimit publikisht - falje?
"Pse Papa - Johannes Paul II´të - i kërkon falje Galileos? Ajo ç´ka absolutisht shihet e domosdoshme është hulumtimi me imtësi i dosjeve për të gjithë njerëzit pak a shumë të shquar - nuk i dihet kurrë se kur mund t'ju nevojiten."- kështu Eco.
"Po për Vietnamin kush duhet të kërkojë falje? Obama? Kerri? Një nga Kenedi-t?
Dhe kush për ekzekutimin e Romanovëve në 1917? Nuk ka dyshim, sepse i vetmi trashëgimtar besnik dhe legjitim i leninizmit dhe stalinizmit është Putini. Por ka raste më të sikletshme.
Kush kërkon falje për Ptolemeun, i cili është në fund të fundit përgjegjës për dënimin e Galileos?
Nëse ai vërtet do të kishte lindur, siç thuhet, në Ptolemais Hermii - në provincën libiane të Kyrenaikasë, do të duhej të ishte Gadafi. Por nëse ai ka lindur në Aleksandri atëherë qeverisë egjiptiane - Mubarakut - i duhet të kërkojë falje.
Kush po kërkon falje për kampet e përqendrimit?
Të vetmit trashëgimtarë të gjallë të nazizmit janë lëvizjet e ndryshme neo-naziste dhe ata nuk janë saktësisht të gatshëm të kërkojnë falje, në fakt ata do ta bënin atë përsëri nëse do të kishin mundësi." (Papa Satàn)
"Të kërkosh falje nuk është sinonim dobësie, por kontroll dhe fuqi, do të thotë kthim i menjëhertë tek arsyeja, duke trullosur ksisoj tjetrin për të dëgjuar."- shkruan Eco në revistën "L´Espresso".
Pikërisht në këto pasazhe eseistike satirike lind pyetja se përse Eco-s i duhet forma romanore për të gjitha këto vështrime të mrekullueshme. Jo më kot Eco shkruante kronika, artikuj dhe esesë për revistën "L'Espresso", e cila u botua në gjermanisht nën titullin "Derrick ose pasioni për mediokritetin". (2)
Rezulton se Eco kishte të drejtë për gjithçka, po, realiteti sot është edhe më i keq. Faktet e shplarjes së trurit, fenomeni i budallepsjes sociale, histeria mediatike, korrektësia artificiale - tani janë publike - por askush nuk i merr më seriozisht.
Ç´na lypet e vërteta kur kemi horoskopët?
(c) Eda Zari, 4.03.2022.
1- Pyetjet dhe përgjigjet e Eco-s përmes librit "Papa Satàn" me nëntitullin "Arti i të kuptuarit të botës" (publikuar në vitin 2016, Milano), pikturojnë radiogafinë e shoqërisë moderne. Libri përbëhet nga ese dhe kronika të ndryshme, që gjallërojnë biseda dhe tema të vyera poaq provokative e që i rrijnë aktualitetit edhe dita sot. Personalisht e shoh këtë libër dhe si një deklaratë dashurie ndaj artit tët´ lexuarit.
2- Nuk ka ndonjë gjë më gjermane se inspektori Derrick. Ai është mishërimi i përsosur i mediokritetit, pështymës dhe karrieristëve të shërbimit civil. Ky vëllim i Ecos është plot parodi dhe sarkazëm inteligjente - libër për çantën personale që e mban pranë në avion apo tren.
(c) Eda Zari, 2022. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Comments